Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse Kijameti është duke ndodhur, e dikush prej jush ka në dorë një fidan, nëse ka mundësi për ta mbjellë atë, përpara se të ndodhë Kijameti, atëherë le ta mbjellë”.
Këto fjalë të Profetit (a.s) tregojnë për optimizëm dhe nxisin për punë edhe nëse nga kjo botë kanë ngelur qoftë edhe disa minuta, sepse njeriu duhet të vazhdojë të punojë dhe ta lulëzojë Tokën, përderisa ajo ende nuk është shkatërruar.
Sill ndërmend situatën e vështirë, në të cilën ishte Profeti (a.s) bashkë me Ebu Bekrin (r.a), kur ishin në shpellë.
Idhujtarët e Mekës kishin kërkuar në çdo vend për Profetin (a.s) dhe shokun e tij, derisa gjurmët i kishin shpënë tek gryka e shpellës, në të cilën ishin strehuar ata të dy.
Ebu Bekri (r.a) pati frikë për Profetin (a.s.) dhe veten e tij. Mirëpo Profeti (a.s) – me optimizmin që e karakterizonte gjithmonë – i tha: “O Ebu Bekër! Ç’mendon për dy persona, nëse Allahu është i treti i tyre?!”
Allahu i ndihmoi me mrekullinë e rrjetës së merimangës, të cilën kur idhujtarët e panë në hyrje të shpellës, menduan se në shpellë nuk ishte futur askush, prandaj edhe u larguan.
Kujto historinë e Profetit Jusuf (a.s), i cili e filloi jetën e tij me hedhje në pus, pastaj u shit si skllav e më vonë e futën padrejtësisht në burg.
Pas të gjithë këtyre peripecive e vështirësive, ai u bë administratori e Egjiptit, shtetit më të fuqishëm të asaj kohe.
Mos harro historinë e Musait (a.s), ai kishte dalur nga vendi i tij, kishte shkuar në një vend të huaj dhe padyshim qe optimizmi dhe mos dorëzimi janë cilësi të të dalluarëve.
Pastaj kujtoni kur njëra prej vajzave të Shuajbit a.s. në Medjen i rekomandon të atit, që ta marrë Musain (a.s) në shtëpinë e tij, për shkak se ajo kishte parë tek ai dy cilësi të mira. Ajo pa, se Musai (a.s) ishte shumë aktiv, duke dëshmuar për forcën e tij.
Ajo pa gjithashtu edhe moralin e Musait (a.s), duke dëshmuar se ai ishte besnik.
Ajo i tha babait: “Merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht njeriu më i mirë që mund të marrësh në shërbim është njeriu i fortë dhe besnik”[ El Kasas 26].
Gjykimi i saj ishte shumë i drejtë, sepse kur dikush e kryen një punë në mënyrë të përsosur dhe është besnik ndaj asaj që i besohet, nuk ka dyshim se ajo punë do të ketë sukses.
Nuk ka vend për dobësi e pesimizëm për të dalluarit !
Nga: Hoxhë Sadik Avdiu