Si ta dalloni kur skadon çaji i malit, këshilla për ta ruajtur të freskët

Çaji i malit është një nga bimët që rrallë herë mungon në shtëpitë shqiptare. Shumë prej nesh e pijmë atë rregullisht çdo ditë, pa vrarë mendjen për ndryshimet në cilësinë e tij si pasojë e mënyrës së gabuar të ruajtjes.

A është i gabuar supozimi se çaji i malit e ruan cilësinë pafundësisht?

Jetëgjatësia e çajit

Çaji i papërpunuar dhe i papaketuar që është në gjendje natyrale humbet cilësinë e tij shumë më shpejt se çaji në bustinë. Kur është i papaketuar, gjethet e çajit përthithin lagështinë dhe aromat shumë më shpejt se çaji në bustinë. Kjo ndodh si pasojë e mënyrës së gabuar të ruajtjes.

Megjithatë, çdo lloj çaji ka karakteristikat dhe jetëgjatësi të ndryshme, të cilat ndikojnë në cilësinë e tij. Vlerat sigurisht janë më të madhe në çajrat e papërpunuar, por duhet pasur kujdes me ruajtjen.

Çaji i zi

Çaji i zi i nënshtrohet oksidimit dhe fermentimit të plotë që ka si qëllim të zgjasë jetëgjatësinë e tij. Nëse e ruani siç duhet, çaji i zi i papaketuar është i konsumueshëm për 18 muaj ndërsa në bustinë ai mund të konsumohet brenda 2 viteve.

Çaji i malit, çajrat bimorë dhe çaji jeshil

Në rast se nuk përpunohen dhe paketohen, jetëgjatësia e këtyre çajrave është disi më e shkurtër. Ndonëse substancat mirëbërëse të çajrave mbeten të paprekur, ekspertët këshillojnë që këto çajra të konsumohen brenda një viti nga data e mbledhjes. Megjithatë, disa prej tyre e ruajnë aromën dhe shijen edhe 18 muaj nga data e mbledhjes.

Si të dalloni nëse çaji është i prishur

Çajrat përmbajnë vajra esencialë të cilët nëse ekspozohen ndaj lagështisë, thartohen. Përtharja e vajrave esencialë të bimës dallohet kur gjethet bëhen tepër të thata.

Nuhatini gjethet

Nëse vini re që çaji ka humbur aromën e tij karakteristike e të ndezur, atëherë me siguri vajrat esencialë kanë avulluar. Kjo nënkupton se çajit i mungon shija dhe aroma e mirë.

Ziejeni

Nëse e zieni çajin për rreth 3 deri në 5 minuta dhe sërish aroma është tepër e zbehtë për të zgjuar shqisat tuaja, atëherë gjethet janë të vjetëruara. Nëse gjethet e çajit janë të lagështa ose janë ndotur me substanca të tjera, atëherë ato do të ngjajnë të pluhurosura. Aroma e gjetheve mund të jetë si ajo e mykut. Kjo është një këmbanë alarmi që çaji duhet hedhur.

A shkakton probleme shëndetësore çaji i vjetëruar?

Çaji i vjetëruar nuk e sëmur njeriun, por shija dhe aroma e tij nuk janë aspak të këndshme për t’u konsumuar. Nëse çajrat nuk ruhen në një enë të mbyllur fort, ato do të përthithin aromat e tjera në dollapet e kuzhinës.

Si të ruani çajin

Çaji duhet mbajtur në një enë të mbyllur fort me kapak. Ena duhet mbajtur në një ambient të freskët dhe jo të ndriçuar shumë. Temperatura ideale e ambientit duhet të jetë 15-25 gradë Celcius.

Nëse keni një larmi çajrash, secilin prej tyre duhet ta ruani veçmas. Kjo vlen edhe për çajrat me bustinë dhe ato me gjethe të freskëta.