Anemia si pasojë e mungesës së hekurit në organizëm manifestohet me një sërë simptomash. Ndjesia e lodhjes pas gjumit, e të ftohtit të vazhdueshëm, ethet dhe plogështia janë disa prej tyre.
Njeriu mund të ketë mungesë hekuri në organizëm për shkaqe nga më të ndryshmet, ku përfshihet ushqyerja e keqe, sëmundjet kronike, mosha dhe gjinia.
Trupi e përdor hekurin për të prodhuar hemoglobinë.
Hemoglobina transferon oksigjenin në të gjithë trupin.
Mungesa e hekurit nënkupton më pak oksigjen në organizëm dhe fillimin e anemisë.
Njerëzit më të rrezikuar nga anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit
Gratë
Gratë janë më të rrezikuara nga mungesa e hekurit për shkak edhe të ciklit të tyre menstrual.
Gratë shtatzënë nga ana tjetër kanë nevojë edhe për suplementë të hekurit.
Të moshuarit
Me kalimin e moshës, oreksi është gjithnjë në rënie.
Vaktet pakësohen dhe sasia e hekurit e marrë nga ushqimit gjithashtu.
Njerëzit që marrin medikamente
Sipas të dhënave, përdorimi i medikamenteve të ndryshme shteron sasitë e hekurit në organizëm.
Ilaçet për hollimin e gjakut siç është aspirina, e të tjera si këto kanë efekt negativ sa i përket sasive të hekurit.
Njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike
Sëmundjet që shkaktojnë humbje të gjakut siç janë ulçera apo tumori i zorrës së trashë, janë shpesh shkaqe të fshehura të mungesës së hekurit.
Diagnostikimi i anemisë
Anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit mund të zbulohet falë analizave të gjakut.
Megjithatë, janë simptomat që vërehen nga vetë pacientët që tregojnë më shumë për sëmundjen.
Siç e përmendëm, lodhja edhe pas gjumit, të ftohtit të vazhdueshëm, zverdhja e duarve dhe këmbëve, ethet dhe plogështia janë disa prej tyre.
Si trajtohet mungesa e hekurit në organizëm
Trajtimi i anemisë së shkaktuar nga mungesa e hekurit nis me përmirësimin e regjimit ushqimor.
Burime të mira ushqimore të hekurit
Burime të mira ushqimore të hekurit janë:Spinaqi,
Agrumet,
Boronicat,
Gocat e detit,
Gjalpi i kikirikut,
Farat e kungullit,
Fasulet dhe thjerëzat,
Frutat e thata.
Sa i përket suplementëve, ato mund të merren vetëm nëpërmjet mjekut.
Këshillohet që ushqimet e mësipërme t’i shoqëroni me ushqime me vitaminë C, si agrume, speca, luleshtrydhe etj.