Sa më gjatë të keni në plan për të udhëtuar, aq më shumë përgatitje për veturën ju duhet. Qetësia e shoferit është shumë e rëndësishmë dhe për këtë Zgjimi Company ju tregon hap pas hapi se si duhet të bëni gati veturën për udhëtime të gjata.
Provoni gomat a janë të fryra sa duhet. Në shumicën e pompave të benzinës ka mjete për të fryrë gomat tuaja dhe për të balancuar ajrin brenda në goma. Edhe goma rezervë duhet të jetë e fryer sipas rregullit të gomave që ju i përdorni. Përveç gomave, ju duhet të kontrolloni edhe paisjet për të ndërruar gomat, duke u siguruar a i keni të gjithë çelsat për ndërrimin e gomave. Sigurohuni që ju dini të ndërroni gomat e veturës pas ndonjë fatkeqësie.
-Provoni vajrat e veturës a janë në rregull. Uji, karburanti dhe vaji i motorit duhet të jenë në nivelin e kërkuar që ju të vozisni pa brenga jashtë shtetit. Pa mos qenë në rregull vajrat dhe uji i veturës, mos udhëtoni jashtë shtetit.
-Kontrolloni a janë në rregull të gjithë sinjalizuesit e veturës tuaj. Dritat për ndriçim të rrugës, sinjalizimet për kthim në të majtë dhe të djathtë. Dritat për ndalesë pas dhe dritat për mjegulla gjithashtu duhet të jenë në rregull.
– Familjarët dhe shokët e familjes suaj duhet të dinë se në çfarë drejtimi jeni nisur. Kjo duhet të bëhet, që në rast aksidenteve, të dinë në cilin drejtim mund të ju gjejnë.
– Kontrolloni motin në vendin ku shkoni. Edhe për rrobat që ju duhet të merrni me vete por më e rëndësishme është për paisjet e makinës suaj. Rruga mund të jetë e lagësht ndërsa ju duhet të keni kujdes që të vozisni me shpejtësi të kontrolluar.
– Merrni me vete ushqim, edhe pse keni në plan që të ndaleni për rruge në pikëndalesa për të blerë ushqim. Nëse ju keni tejkaluar një pikë dhe nuk keni blerë ushqim dhe ndërkohë ju ka ndodhur një problem me veturë, ju do të keni ushqim për të shuar etjen dhe urinë deri sa të kishit ndrequr veturën.
– Në veturë duhet të keni materiale shëndetësore për intervenim të shpejtë. Fasha, barna për rrugë, ujë dhe dezifektuesit duhet të jenë në kutinë e veturës suaj për ndihmë të parë. Përditësojeni paketën tuaj të ndihmës së parë pas një kohe, në rast se ndonjë produktit i ka kaluar afati.
-Sigurohuni që në veturë të keni mbushës për telefona. Telefoni juaj pas disa orësh përdorim mund të harxhohet dhe për këtë ju duhet të mbani mjete alternativë për rrymë elektrike. Kabllot për rrymë dhe ‘power bank’ janë shumë të nevojshme për rrugëtimin tuaj.
-Edhe pse në telefonin tuaj apo veturën tuaj mund të keni mjete GPS, teknologjia mund të dështojë. Për çdo rast, ju keni nevojë edhe për harta të letrës të cilat janë mundësia e fundit dhe më e sigurtë e juaja për t’u gjindur nëse nuk e dini rrugën për ku jeni nisur.
– Kontrolloni me aplikacione të ndryshme se ku ka radarë të policisë për tejkalim të shpejtësisë. Për çdo rast ju e dini se ku të ndaloni shpejtësinë për mos u dënuar, por duhet të keni parasysh se radari i policisë nuk është parandalim. Siguria e familjes suaj është më e rëndësishme se dënimi. Vozisni sipas rregullave dhe shenjave në komunikacion.
– Kontrolloni a i keni me vete të gjithë dokumentet. Sigurimi i veturës, pasaporta, leje e vozitjes, sigurimi i familjes, letërnjoftimet dhe të gjithë dokumentet tjera duhet të jenë me ju. Dhe, po, mos harroni kartonin e gjelbërt. /Telegrafi/