Ballina Jeta Familje Si po dështon “Airbnb” t’i mbrojë mysafirët nga kamerat sekrete

Si po dështon “Airbnb” t’i mbrojë mysafirët nga kamerat sekrete

Kompania që mundëson rezervimin e vendbanimeve me qira afatshkurtër “Airbnb” është akuzuar nga një numër i madh i klientëve për dështim në mbrojtjen e tyre nga kamerat e fshehura në hapësirat ku ata kanë kaluar momentet më private. Shumë raste kanë shkuar nëpër gjykata, ndonëse “Airbnb” heziton marrjen e përgjegjësisë, duke u munduar madje t’i zgjidhë çështjet “personalisht” me mysafirët

Një tjetër padi nga një tjetër viktimë, pushimet plot argëtim të së cilës u shndërruan në një makth: Një grua u filmua fshehurazi duke u zhveshur në një pronë që e kishte marrë me qira. Imazhet e saj u ruajtën në kompjuterin e një grabitqari të dyshuar seksual, të akuzuar për spiunim të qiramarrësve të cilët nuk dyshonin për vite me radhë.

“Airbnb”, një nga kompanitë më të mëdha në botë për qira afatshkurtra, e kishte parë këtë lloj skenari më parë. Kompania u mundua t’i rregullojë vetë rastet e kamerave sekrete shpejt dhe në mënyrë konfidenciale.

Por ndodhi ndryshe.

Një përfaqësues i “Airbnb” që dëshmoi në një rast gjyqësor në fillim të vitit të kaluar ofroi një paraqitje të rrallë të problemit të kompanisë me kamerat sekrete.

Gjatë dëshmisë prej disa orësh, punonjësi i “Airbnb” zbuloi se kur një i ftuar ankohet për një kamerë sekrete, kompania, si praktikë, nuk njofton zbatuesit e ligjit, madje as kur aty është i përfshirë një fëmijë. Megjithatë, kompania kontakton me qiradhënësit për ankesat si pjesë e hetimeve të brendshme – një veprim që ekspertët e zbatimit të ligjit thonë se mund të pengojë hetimet penale sepse u jep të dyshuarve kohë për të shkatërruar provat.

Një hetim i CNN-it zbuloi se “Airbnb” vazhdimisht dështon të mbrojë mysafirët e saj pavarësisht se e di se kamerat e fshehura janë një shqetësim i vazhdueshëm brenda industrisë së kompanisë. Strategjitë e korporatës së “Airbnb”, për më tepër, kanë synuar parandalimin e rregullimit të tregut të qirave afatshkurtra për të lejuar kompaninë të distancohet nga përgjegjësia për sigurinë dhe privatësinë e mysafirëve.

Mijëra imazhe janë sekuestruar nga vendbanimet me qira afatshkurtër nga forcat e zbatimit të ligjit. Kamerat e fshehta të vendosura në dhomat e gjumit dhe banjat tregojnë të ftuarit gjatë momenteve të tyre më private – duke ndërruar rrobat, duke qenë me fëmijët e tyre, madje edhe gjatë marrëdhënieve seksuale, sipas rishikimit nga CNN-i të të dhënave të gjykatës dhe policisë, si dhe intervistave me gati 22 persona që gjetën pajisje vëzhgimi në pronat me qira afatshkurtër ose deklaruan në polici se ishin filmuar fshehurazi.

Viktimat thonë se jetojnë nën hijen e frikës se ato momente private do të bëhen ushqim në internet.
“Ky nuk është numri im i sigurimeve shoqërore apo adresa ime e emailit. Ky është trupi im i zhveshur”, tregon një grua, nikoqiri i së cilës e filmoi fshehurazi duke kryer marrëdhënie seksuale me burrin e saj në një vilë në Teksas.

“Airbnb” refuzoi kërkesën e CNN-it për një intervistë. Sidoqoftë, në një deklaratë me shkrim, një zëdhënës ka thënë se ankesat për kamerat sekrete janë të rralla, por kur ato ndodhin “ne ndërmarrim veprime të duhura dhe të shpejta, të cilat mund të përfshijnë largimin e pronave që lëshohen me qira të cilat e shkelin politikën”.

Zëdhënësi shtoi se “politikat e besimit dhe sigurisë së ‘Airbnb’ udhëheqin industrinë e qiradhënies dhe përfshijnë kontrollet e sfondit për mikpritësit dhe mysafirët me bazë në SHBA”.

CNN-i zbuloi se disa nga politikat e mbrojtjes nga “Airbnb” bien në kundërshtime të theksuara.
Faqja e internetit e kompanisë, për shembull, u thotë përdoruesve se nuk duhet të mbështeten në kontrollet e saj për të kaluarën e qiradhënësve, për të identifikuar “të gjitha dënimet e mëparshme penale ose filmimet e shkelësve seksualë”

Dhe edhe nëse “Airbnb” zbulon se një qiradhënës ka një të kaluar kriminale, dënimet për “vrasje, terrorizëm, përdhunim ose ngacmim të fëmijëve” nuk janë diskualifikues automatik, sipas politikës së kompanisë.

“Perëndimi i egër”

Brian Chesky ishte i papunë kur atij dhe shokut të tij të dhomës u lindi ideja për “Airbnb” në vitin 2007, ndërsa përpiqeshin të lëshonin një vendbanim me qira në San Francisko. Për 80 dollarë në natë, ata hapën shtëpinë e tyre për tre udhëtarë, duke u ofruar dyshekë me ajër, mëngjes dhe Wi-Fi. Ata e quajtën fillimin e tyre “Air Bed and Breakfast”. Trembëdhjetë vjet më vonë, kompania u bë aq publike sa arriti vlerën e 47 miliardë dollarësh.

Sot, “Airbnb” – e cila vlerësohet më e lartë se “Hyatt Hotels Corporation” dhe “Marriott International” së bashku – vazhdon të ndjekë përfitimet e të qenit një zinxhir ndërkombëtar hotelesh, duke mbajtur mbi supe pak nga kostot ose përgjegjësitë.

Ndryshe nga hotelet, “Airbnb” nuk kontrollon pronat që reklamon ose nuk punëson staf në vend, si roje sigurie, recepsionistë ose profesionistë pastrimi. Në vend të kësaj, kostot e mbajtjes dhe mbrojtjes për vendet që lëshohen për qira afatshkurtra ua lë atyre që presin mysafirë.

Dhe, ndërsa hotelet mund të mbahen ligjërisht përgjegjëse për mysafirët e dëmtuar në pronën e tyre, “Airbnb” shpesh nuk mbahet. Në fakt, “Airbnb” ka luftuar kundër një përgjegjësie të tillë në gjykata, duke argumentuar se ka pak kontroll mbi atë që ndodh në listimet e saj, pavarësisht se përfiton afërsisht 17% nga çdo rezervim.

Industria e qirave afatshkurtra shumë miliarda dollarëshe paraqet një “pamje rozë” me reklama që theksojnë se si ndarja e shtëpisë përmirëson lidhjen njerëzore dhe ofron hapësira intime dhe private për udhëtarët.

Megjithatë, krimi i dhunshëm dhe prostitucioni, si dhe vdekjet e udhëtarëve, e kanë vënë vazhdimisht “Airbnb” dhe konkurrentët e saj në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Një shqetësim sigurie, i cili ka kaluar kryesisht i pakontrolluar nga “Airbnb” dhe pjesa tjetër e tregut të qirave afatshkurtra, janë kamerat sekrete. “Airbnb” ka qenë në dijeni për problemin për të paktën një dekadë dhe ka njoftuar vazhdimisht aksionarët e saj për këtë çështje në raportet vjetore, që kur u kompania u bë e famshme.

“Ne ishim të vetëdijshëm për këtë, kishte një bollëk rastesh që vinin”, ka deklaruar një ish-punonjës i “Airbnb”, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të një marrëveshjeje me kompaninë për moszbulim. Punonjësi, ekipi i të cilit merrej me çështjet e sigurisë dhe privatësisë, ka thënë se kamerat sekrete ishin ndër shqetësimet kryesore të grupit.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, kompania për vite lejoi mbikëqyrjen me video nga pritësit në zonat e përbashkëta, nëse mysafirëve u bëhej me dije kjo.

Chloe LeBrument, e cila udhëtoi për në Londër, Ontario, verën e kaluar me të fejuarin e saj për një festival muzikor, gjeti një kamerë të fshehur në një karikues në dhomën e gjumit që kishte rezervuar në “Airbnb”.

“Jam e sigurt se ka shumë, shumë njerëz që janë larguar nga dhoma duke mos pasur idenë se ata ishin filmuar”, është shprehur LeBrument, mikpritësi i së cilës është akuzuar penalisht për “vojerizëm” (praktikë e përcjelljes së të tjerëve gjatë sjelljeve private apo intime). LeBrument përshkroi se ndihej e zemëruar dhe e zhgënjyer nga përvoja.

“Është një ndjenjë vërtet e pakëndshme”, ka thënë ajo.

Në janar, CNN-i filloi të kontaktojë me ish-punonjësit e “Airbnb” për të pyetur për shqetësimet e kamerave të fshehura brenda industrisë. Në fillim të marsit, “Saturday Night Live” u tall me faktin se sa e përhapur është problematika. Pak më shumë se një javë më vonë, kompania njoftoi se do të ndalonte të gjitha kamerat e brendshme që nga 30 prilli. Kompania nuk tha asgjë se si do t’i detyronte pritësit t’i respektonin rregullat.

“Ju mund t’i keni të gjitha këto rregulla të shkëlqyera, por nëse askush nuk po kontrollon nëse rregullat po zbatohen … është ende një lloj ‘Perëndimi i Egër’”, ka deklaruar avokatja Bianca Zuniga-Goldwater, e cila përfaqëson disa viktima të kamerave sekrete në paditë kundër “Airbnb” dhe “Vrbo”.

CNN-i shqyrtoi dhjetëra hetime dhe padi policore në të gjithë SHBA-në që përfshinin të paktën 75 viktima, dhe zbuloi se “Airbnb” shpesh lëviz me shpejtësi për t’i zgjidhur ankesat jashtë gjykatës.
Një avokat i ka thënë CNN-it se “Airbnb” u përpoq ta zgjidhte çështjen gjatë një telefonate, pasi ai u kishte thënë atyre se do të ngrinte një padi në emër të një mysafiri që kishte gjetur një kamerë të fshehur në dhomën e rezervuar përmes “Airbnb”.

Sipas gjashtë avokatëve që përfaqësonin klientët në çështjet kundër platformës për qiratë afatshkurtra, “Airbnb” kërkon t’i dërgojë ankuesit në arbitrazh, një proces që fsheh çështjet nga opinioni publik. Kur arrihet një marrëveshje, “Airbnb” u kërkon përdoruesve të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti, të cilat i pengojnë ata të diskutojnë detajet e marrëveshjes.
“Airbnb” i ka thënë CNN-it se përdorimi i arbitrazhit dhe marrëveshjet e moszbulimit janë praktika standarde brenda industrisë.

Një burrë i cili u filmua duke kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij në një apartament me qira të rezervuar përmes “Airbnb”, dhe mori një kompensim financiar nga kompania, ka thënë se ndihej “i pistë” që kishte nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti.

“Na u mbyll goja”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar kompania duhej të zbatonte një urdhër gjykate për të përcaktuar se sa ankesa ose raportime ishin bërë në “Airbnb” nga njerëz që ishin regjistruar nga pajisjet e vëzhgimit që nga 1 dhjetori i vitit 2013.

Përfaqësuesi i “Airbnb” doli para gjykatës me një numër ankesash. Në paraqitjen e tij përfaqësuesi u përpoq të minimizonte rëndësinë e numrit të rasteve, duke dëshmuar se ato mund të pasqyronin raste të tilla si një kamerë e ziles së derës që nuk funksiononte ose një tabletë me aftësi regjistrimi të lënë jashtë në një tavolinë kafeje.

Përfaqësuesi nuk dha asnjë statistikë që detajonte numrin e pretendimeve.

Duke folur për CNN-in, zëdhënësi i “Airbnb” nuk pranoi të specifikojë se sa ankesa ka pasur.

CNN-i kontaktoi më shumë se 130 ish-punonjës që trajtonin çështjet e sigurisë ose paraqitën shqetësime sigurie për linjën mbështetëse të “Airbnb”. Nga 24 që u përgjigjën, gati gjysma thanë se nuk mund të flisnin për përvojën e tyre për shkak të marrëveshjeve për moszbulim me kompaninë. Ata pak që pranuan të intervistoheshin thanë se një nga shqetësimet më të zakonshme që dëgjuan, vinte nga të ftuarit që kishin frikë se po regjistroheshin në mënyrë të fshehtë.

“Unë kurrë nuk kam pranuar një telefonatë për një kamerë në zilen e derës”, ka thënë një ish-punonjës.

“Momenti më i frikshëm i jetës sime në Comfort, Teksas”

David Wyzynajtys dhe e dashura e tij nuk kishin përdorur kurrë “Airbnb” përpara se të rezervonin një fundjavë romantike në korrik të vitit 2021. Kur çifti pa një pronë të largët në Texas Hill Country me komente të shumta pozitive dhe një mikpritës që kishte fituar statusin e lakmuar “superpritës” nga “Airbnb”, ata e rezervuan atë .

Por pasi çifti mbërriti në vilë në Comfort, Teksas, Wyzynajtys vuri re diçka që e tmerroi atë: një kamerë e fshehtë e futur në mur dhe e drejtuar drejtpërdrejt nga shtrati.

“Momenti më i frikshëm i jetës sime”, e ka quajtur Wyzynajtys atë.

Wyzynajtys dhe partnerja e tij u larguan shpejtë nga prona dhe vozitën mbi 16 km për të arritur në një hotel. Të tronditur, ata kontaktuan “Airbnb” përmes linjës së saj të bisedës duke kërkuar që dikush t’i telefonojë.

Por, askush nuk i thirri.

Në vend të kësaj, çifti mori një mesazh brenda aplikacionit nga “Airbnb”, më vonë atë natë.

Sipas të dhënave të gjykatës, një përfaqësues i “Airbnb” kërkoi leje për të raportuar ankesën e Wyzynajtys te pritësi, një burrë i quajtur A. Jay Allee.

“A ju pengon nëse kontaktojmë pritësin dhe marrim edhe anën e tij të historisë?” Wyzynajtys kujton përfaqësuesin e “Airbnb” duke pyetur përmes mesazhit.

Çifti kishte frikë nga Allee – ata shqetësoheshin se ai mund t’i kishte parë përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë ndërsa zbuluan pajisjen dhe nxituan të largoheshin. Duke dashur të shmangte një konfrontim për shkak të ndjenjës së rrezikut, Wyzynajtys e mohoi kërkesën e “Airbnb”.

Wyzynajtys është shprehur se “Airbnb” ishte “krejtësisht neglizhente ose nuk i interesonte fare”.

Të nesërmen, Wyzynajtys kontaktoi organet e zbatimit të ligjit.

Policia mori një urdhër kontrolli dhe bastisi pronën e Allee, duke konfiskuar telefonat celularë, kompjuterët dhe kamerën, të cilat Allee kishte përdorur për të filmuar të ftuarit për gat një vit. Midis më shumë se 2,000 videove të gjetura, forcat e rendit identifikuan më shumë se 30 viktima, duke përfshirë disa fëmijë. Shumë të ftuar – të cilët rezervuan të njëjtën pronë qoftë përmes “Airbnb” ose “Vrbo”, u kapën në faza të ndryshme të zhveshjes. Disa ishin filmuar duke kryer marrëdhënie seksuale.
Allee më vonë u padit me 15 akuza të filmimit vizual dhe u deklarua fajtor për gjashtë prej tyre.
Trembëdhjetë persona që qëndruan në vilën e Allee, duke përfshirë dy të mitur, paditën “Airbnb” në gjykatën shtetërore të Kalifornisë në korrik të vitit 2022. “Airbnb” arriti marrëveshje me paditësit gjashtë muaj më vonë.

Një padi kundër “Vrbo”, e ngritur nga tri çifte që qëndruan në pronën e Allee dhe u regjistruan të gjithë në momentet intime, është në vazhdim të procesit.

“Përmbajtja digjitale është e përhershme”

Allee u lirua nga burgu në shkurt pas një dënimi me një vit. Avokati i tij nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Policia identifikoi më shumë se 30 viktima të dyshuara që qëndruan në vilën e Allee, por mund të ngrinte akuza vetëm në lidhje me 15 prej tyre.

Për disa prej atyre viktimave, qëndrimi i tij i shkurtër në burg nuk i përshtatej krimit që kishte kryer.
“Më pak se një muaj për çdo viktimë,” ka thënë Wyzynajtys, viktima që gjeti kamerën e fshehtë të Allee.

Megjithatë, dënimi i butë i Allee nuk ishte i pazakontë. Në shumicën e shteteve, dhe në nivel federal, video-vojerizmi është një kundërvajtje, e dënueshme me jo më shumë se një vit burgim.

Në vitin 2022, “superpritësi” tjetër i “Airbnb”, Peter Madden u deklarua fajtor për shtatë akuza për shkelje të privatësisë në lidhje me filmimin e pesë të ftuarve në pronën e tij në Maine, sipas Prokurorit të Qarkut Cumberland.

Viktimat vuajnë pasoja më të gjata.

Të gjitha viktimat e Allee që folën me CNN-in, shtatë gjithsej, thanë se pësuan trauma afatgjata për shkak të veprimeve të Allee. Ata gjithashtu e kanë të pranishme frikën se imazhet e tyre, ose ato të fëmijëve të tyre, do të përfundojnë një ditë në internet, nëse nuk ka ndodhur tashmë.

“Ajo që shndërrohet në përmbajtje digjitale mbetet përgjithmonë”, ka thënë gruaja që u filmua fshehurazi në momente intime me burrin e saj në vilën e Allee.

Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti /koha.net

Exit mobile version