Izraeli e përligj grabitjen e tokës palestineze përmes dy narrativave, njëra historike dhe tjetra fetare. Ajo historike duket se përdoret më së shumti për opinionin ndërkombëtar, edhe pse është skandaloze për nga logjika dhe legjitimiteti që pretendon. Por ajo që ka më shumë rëndësi mendoj se, është pikërisht narrativa fetare, e cila është themeli që motivon shtimin e kolonëve dhe përligj së brendshmi mos pranimin e zgjidhjes me dy shtete, dhe mbështet po ashtu nga jashtë nga kristiano-sionistët.
Kjo është narrativa që thotë se Zoti ia premtoi atë tokë pasaardhësve të Abrahamit, të cilët sipas intepretimit judaik, janë vetëm bijtë e Is’hakut, për rrjedhojë jahuditë e sotëm janë të vetmit banorë legjitim -fetarisht- të asaj toke deri në fundin e kësaj bote, sepse atë ua ka dhuruar Zoti dhe me këtë “të vërtetë” nuk ka asnjë kompromis dhe as tolerim.
Ky element shumë i rëndësishëm fetar pothuajse nuk përmendet fare në opinionin publik dhe atë mediatik ndërkombëtar, por ai është narrativa kryesore dhe dominuese mes fanatikëve dhe ekstremistëve fetarë në Izrael si dhe në mesin e kristiano-cionistëve, një pjesë e madhe e të cilëve gjenden mes protestantëve që jetojnë në SHBA, që janë dhe një nga faktorët kyç i mbështetjes nga Perëndimi. Pa kuptuar këtë nuk mund të kuptohet thellësisht ky konflikt.
Miti fetar, mbi të cilin ata kanë ngritur narrativën, që i mban ata të lidhur me të atë tokë, është dekonstruktuar si i pasaktë madje edhe nga një pjesë e rabinëve jahudi që dënojnë mënyrën sesi sillet shteti sionist izraelit që e keqpërdor fenë, ndërkohë që vetë sionizmi është në thelb një ideologji laike.
Por efekti i dëmshëm i këtij miti, ndoshta, nuk do të kishte marrë kurrë këto përmasa të sotme dhe këtë kalvar konfliktual të paprecedent në histori, mes arabëve e muslimanëve në njërën anë (e jo vetëm) dhe jahudive sionistë në anën tjetër, nëse ai nuk do të ishte pleksur me një tjetër mit fetar, që është përvetësuar nga një pjesë e protestantëve që jetojnë kryesisht në SHBA, të cilët besojnë se që të vij Krishti për së dyti duhet që të krijohet Izraeli i madh, dhe më pas do të ndodh beteja e Armagedonit…, edhe pse ndërkohë ishin jahuditë ata që e dërguan Krishtin drejt kryqëzimit -sipas versionit biblik- sepse sipas tyre ai ishte një mashtrues!
Kjo aleancë e çuditshme religjoze, e paprecedentë në histori mes dy ish-armiqëve të betuar deri në ekstrem, jo vetëm që nuk është e sinqertë, por ka marrë më shumë në qafë pikërisht jahuditë, që siç shprehen edhe disa rabinë, për shkak të Izraelit dhe sjelljes së tij e kanë bërë gjithë botën t’i urrejë jahuditë.
Kështu që fajin për këtë konflik që trazon mbarë botën, e kanë pikërisht edhe këto mite fetare që keqpërdoren për interesa politike, ndërkohë që njerëzit shkojnë mish për top për shkak të tyre, çka e bën konfliktin akoma edhe më të ashpër dhe pazgjidhje.
Nga: Hoxhë Justinian Topulli