Si ndodhi vjedhja dhe kush tërhoqi paratë nga thesari, emrat e të dyshuarve

Një vjedhje si asnjëherë më parë ka ndodhur nga buxheti i Konsoliduar i Kosovës

 

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, dyshohet se ka bërë transferimin e 2,077,995 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në adresë kompanisë, “LDA Group Shpk”, e cila gjendet në Llapushnik të Drenasit e që për pronar e ka Valon Shalën.

Policia ka njoftuar se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

Të arrestuari, sipas burimeve të lajmi.net janë Labinot Gruda, të cilit i është bastisur banesa në Prishtinë, edhe i është konfiskuar si dhe është bastisur shtëpia në Komoran.

Në arrati janë pronarët e kompanisë “LDA Group Shpk” Kadri dhe Valon Shala.

Kompania në të cilën është transferuar një pjesë e parave është hapur në fund të vitit të kaluar dhe për aktivitet biznesor ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.

Megjikëtë, paratë e  vjedhura kanë qenë të destinuara për Ministrinë e Infrastrukturës.

Lajmi.net ka mësuar se drejtoria e financave në Ministrinë e Infrastrukturës ka vërejtur një tërheqje të mjeteve, për çka e ka kontaktuar Ministrinë e Financave për të mësuar se pse ka ndodhur tërheqja e parave. Aty edhe është mësuar se tërheqja është bërë kundërligjshëm dhe kanë nisur hetimet.

I dyshuari i ministrisë, sipas policisë, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Sipas njoftimit është kërkuar bllokimi i llogarive të të dyshuarve pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

“Prishtinë 09.10.2020. Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Nga ana tjetër, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka dhënë detaje për skandalin e avullimit të mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Para mediave ajo tha se bëhet fjalë për 2.1 milionë euro të cilat kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik, shkruan lajmi.net.

Ato kanë shkuar përmes transaksionit teksa lidhur me rastin janë suspenduar dy persona.

“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta që kanë ndodhur nga llogaria e thesarit e Kosovës, rreth 2.1 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik. Kemi denoncuar rastin, teksa krimet kibernetike po merren me të. teksa janë suspenduar dy zyrtarë. Kemi njoftuar edhe AKI-në. Unë dola që të them se kemi gjurmuar se është transkacion bankar. Institucionet po bëjnë përpjekje që këto mjete t’i kthehet buxhetit të Kosovës. Ky rast është i izoluar me të cilin po merren institucionet. Kemi bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për të parë se është rast i nevojshëm. Nuk është tërheqje e mjeteve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e Kosovës janë në BQK dhe janë të sigurta”, ka thënë ajo para mediave.

Ajo nuk ka treguar emrat e operatorit ekonomik ku kanë shkuar këto para, pasi që sipas saj kjo është kërkesë e prokurorisë.

Bajrami ka thënë se transaksionet kanë ndodhur më 9 tetor.

“Në një të ardhme të afërt do të japim raporte të detajuara. Kemi një kërkesë nga prokurorja që të mos japim informata që të mos dëmtohet procesi. Njëri nga zyrtarët është suspenduar sepse ka qenë vijë raportuese. Tjetri është eprori i tij. Transaksionet kanë ndodhur më 9 tetor, dhe janë bërë pagesa në emër të këtij operatori privat. Ministria e linjës ka pyetur thesarin nëse ky është një vendim gjyqësor, janë bërë verifikimet dhe është bërë denoncimi i rastit”, ka thënë ajo para mediave.

Përmes një konference për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Ajo e ka cilësuar këtë rast si “të izoluar”.

Bajrami në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se rastin në organet e rendit ka denoncuar Ministria e Financave.

“Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transaksionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni. Organet e rendit janë duke u marrë, për të parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka deklaruar ajo.