Maskara e fshatit Izbicë të Skenderajt ishte ndër më të mëdhatë jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjithë kjo ngjarje ndodhi vetëm disa ditë pas masakrës së 28 marsit të vitit 1999, kur forcat serbe sulmuan popullsinë civile të strehuar në Izbicë, e ku i vranë dhe më pas i masakruan mese 150 civilë të pafajshëm.
Edhe pse forcat serbe ishin munduar të fshihnin krimin duke zhvarrosur të vrarit e Izbicës, për ti varrosur në lokacione të ndryshme nëpër Serbi e Kosovë, ishin pikërisht satelitët e NATO-s ata që nxorën të vërtetën në sipërfaqe. Përmes një konference për media të NATO-s, u njoftua për kryerjen e këtij krimi ndaj popullsisë civile.
Pas këtij publikimi, ekipet e specializuara serbe, për fshehjen e krimeve i kishin zhvarrosur kufomat dhe i kishin dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi. Por, në një dokument të vitit 1999 të gjyqtarit hetues, Nebojsa Avramoviq, më datë 31.05.1999 ai jepte urdhër Prokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Risto Pecel, për ekshumim të kufomave në Izbicë të Skenderajt. Në urdhër thuhej se në internet ishte përhapur lajmi se në Izbicë kishte një varrezë masive dhe organet shtetërore serbe duhej ta vërtetonin këtë fakt.
Në anën tjetër edhe prokurori Pecel shumë shpejt arrin ta kryej “misionin” e dhënë. Gjatë po të njëjtës ditë ai harton një raport ku thotë se, pasi kishte kryer “hetim të hollësishëm” në terren kishte ardhur në përfundim se në Izbicë nuk kishte kurrfarë varreze masive”. A është e mundur që brenda disa orëve të vërtetohet nëse ekziston ose jo një varrezë masive?! Shkresë zyrtare e Prokurorisë së Qarkut të Mitrovicës përmes të cilës mohohej tërësisht masakra e ndodhur mbi civilët shqiptarë në fshatin Izbicë të Skenderajt, datë: 31.05.1999).
Dëshimtari Sadik Xhemajli flet për zhvarrosjen e të vrarëve nga forcat serbe
Por, është Sadik Xhemajli, nga Izbica e Skënderajit, ish komandant i UÇK-së në këtë zonë, i cili kishte udhëhequr edhe procesin e varrimit të viktimave në Izbicë, tregon se përpjekjet e para për t’i nxjerrë të vdekurit nga varret në Izbicë ishte bërë vetëm një ditë pas urdhërit të Nebojsa Avramoviqit.
Xhemajli ka dëshmuar edhe në gjykatën e Hagës kundër ish presidentit serb, Slobodan Milosheviqit, i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte. Xhemajli thotë se më 1 qershor të vitit 1999 filluan zhvarrosjet e civilëve të vrarë në Izbicë. “Këtu janë kanë të varrosur deri më 1 qershor të gjithë qitu. Prej datës 1 qershor, kanë fillu forcat serbe, një javë përpara kanë ba sigurimin. Qanena krejt sungjera ka qenë nër hijë, në qebe. Dhe kanë fillu tërheqjen e kufomave. Fillimi ka fillu me kacija, me dorëza, me njerëz të nxanun rob. Dhe nuk kanë mujtë. E kanë lanë. Më 1 qershor kjanë pushu krejt. Më 1 qershor kanë pushu krejt. Më 2 qershor kanë ardhë me eskavatorë, me bagera dhe me kamiona kanë ardhe dhe kanë fillu i kanë hjekë me bagera. Masi I kena varrosë I kanë hjekë krejt me bagera. Komplet I kanë hjekë 147 kamiona. Tani janë gjetë varrezat në petrovi sellë në Beograd,janë gjetë në Zveçan, janë gjetë në Novorlan, s’ka vend që s’janë gjetë. E tani mas ati rasti që janë zhvarrosë krejt, I kanë marrë, Me 1 korrik 1999, unë i kam qitë lajmërimet nëpër fshatra që më 8 korrik me ardhë mi ripërtri varrezat se unë e kisha ditarin, e kisha numrin rendor, emrin mbiemrin, datat dhe me 8 korrik kanë ardhë komplet popullata dhe i kemi ripërtri këto varre komplet dhe kur kanë ardhe popullata prej Shqipnie, gjysa nuk e kanë ditë që I kanë hjekë. Se kanë qenë qysh janë kanë pa nxjerrë. Për momentin qysh thuhet qetash 58, ata janë kanë të varrosur, por tash janë të zhdukur që janë hupë”, thotë Sadik Xhemajli.
Varret në Izbicë ishin parë nga satelitët kurse shteti serb hartonte “sluzhbene beleshke” se aty nuk kishte varrezë masive. Për fatin e keq të Kosovës me këto dokumente të shtetit serb u shërbyen shumë misione ndërkombëtare të pasluftës dhe e vërteta për krimin shtetëror serb mbi shqiptarët nuk u dëshmua kurrë sa duhet.
Gërxhaliu: Të vrarët në Izbicë u zhvarrosën dhe rivarrosën disa herë
Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore thotë për emisionin “Udhëve” se të vrarit e Izbicës u zhvarrosën dhe rivarrosën disa herë, si pasojë e përpjekjeve serbe për të fshehur krimin. “Edhe Izbica i takon trendit të fshehjes së gjurmëve te krimit që faktikisht janë vra për se dyti pasi pas vrasjes janë zhvarrosur dhe janë tërhequr nga Izbica dhe janë dërguar në vende të ndryshme. Një numër të tyre I kemi gjetur në Petrovo Sello të Serbisë që është në trekëndëshin e kufirit mes Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë, në anën tjetër gjendet kodra e Bullgarisë. Pjesët tjera janë gjetur përreth Skenderajt, në Novolan të Vushtrrisë, në dy tri pika të Kosovës. Pra që të gjithë janë tërhequr me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit”, thotë Gërxhaliu.
Deklaratat e Gërxhaliut i kujton edhe dëshmitari Sadik Xhemajli. Ai gjatë luftës kishte mbajtur një ditar, ku kishte përshkruar në detaje vrasjet, masakrat, zhvarrosjet dhe gjitha lëvizjet e torturat ndaj popullsisë civile. Xhemajli, në një intervistë për emisionin Udhëve ndanë rrëfime rrënqethëse nga momentet kur kishte përcjellë me dylbi nga një distancë jo e largët vrasjet e shumë civilëve.
“Bombardimet e NATO-s kur kanë fillu më 24 mars, Policia serbe dhe ushtria kanë hy në fshatin, prej Cerkolezi, Runiku teposhtë dhe kanë përfshi Padalishtë, Çitak, Leçinë, Ternovë dhe kanë grumbullu popullatën në Izbicë. E kanë marrë njëfar strehimi se iu kanë grahë edhe vet ata në një drejtim se në lagjen Imeraj në Padalishtë janë vra 19 veta më 26 mars, bekë imeri ka qenë mësues është I vramë vet I teti, me nanë dhe gjashtë fëmijë. Prej qatyhi tani kanë fillu i kanë hjekë popullatën teposhtë dhe i kanë pru prej jugut. Jug i bjen Izbica me Padalishtë. Dhe njerëzit i kanë tubu në livadhin e Xhemajlave”, ka thënë ai.
I pyetur se ku ka qenë ai në kohën kur aty ishin pozicionu banorët e gjithë këtyre fshatrave, Xhemajli thotë se ai më 27 mars ka qenë në këtë pjesë dhe më 28 mars vëzhgimin e ka bërë nga aty, duke treguar edhe vendin. “I kam pasë dylbitë… Unë kam qenë si vëzhgues, ushtar i UÇK-së, dhe jam i këtij fshati dhe unë kam përcjell me dylbi prej një pjese, prej një kandi tjetër, e kam përcjellë, vëzhgimet i kam ba ka janë ba masakrat, tërheqjen e meshkujve prej tubimit, burrat që i kanë nda në drejtime, në tri drejtime i kanë nda, i kanë nda pleqtë, burra, gra, fmi e krejt. I kanë hjekë prej atyhi burrat dhe i kanë nda në tri drejtime. Një drejtim i kanë çu prej Lugut të Dobranit, një drejtim i kanë çu prej lindjes në ara në Stara Sellë. Në Arën e Dobranit janë vra 78. Tri grupe janë vra në këtë pjesë. Një vend 39, një vend 18, kryesore 78 janë kanë të vramë krejt, të ekzekutum”, tregon ai.
Sipas tij, nga ai vend një pjesë tjetër i kanë dërgu 38 persona. “Edhe atje i kanë ekzekutu ata. I kanë ekzekutu 5 metra pa hy në mal. Ekzekutimin e kanë ba sipas dëshmitarëve, ngat që janë kanë aty në ekzekutim, 1 polic i ka pasë 5 veta me i ekzekutu. Edhe sipas të shpëtuarve, Sheremet Krasniqi është njëri nga ata, ai më ka tregu”, tregon tutje Xhemajli.
Ai thotë se të gjitha i ka parë nga vendi ky fliste. Mirëpo, ushtarët e UÇK-së nuk kishin reaguar në ato momente. Arsyet e mos reagimit i shpjegon dëshmitari Sadik Xhemajli, i cili ishte komandant logjistike në batalionin 3, brigada 112 të Zonës Operative të Drenicës. “Urdhri ka qenë që asnjë ushtar nuk ban me ba bam (me shkrep plumb), për shkak të popullatës. Urdhri ka qenë prej nalti, që edhe nëse mundesh, edhe nëse ta rrokë, edhe nëse s’ta rrokë, mos lëvizni se i vrasin krejt, edhe gratë i vrasin, edhe fminë. Masi i kanë nisë popullatën teposhtë në drejtim të Shqipnisë, pa i nisë hala, kanë hy e kanë nisë me i nda edhe fminë 13, 14 dhe 15 vjeç. Po flas sipas dëshmitarëve, sepse edhe gruan e kam pasë në tubim aty. Ka ardhur një ushtar serb, sipas dëshmitarve po them, edhe ka thanë leni fëmijët, kthehuni. Dhe ushtari serb i ka kthy fëmijët te gratë, burrat nuk i kanë kthy”, ka thënë Sadik Xhemajli.
Ai ka treguar se masakra ka ndodhur më 28 mars nga ora 12. “127 janë vra më 28 mars, Ditë Bajrami, në këto tri grupe. Varrimi është ba më 31 mars dhe 1 prill. Kryetar i këshillit të varrimit kam qenë unë, me grupin me Sylë Dervishin, Naim Rexhepin, Afrim Xhemajlin, Sadik Prokshi dhe unë kam pasë detyrë, unë personalisht, me legjitimu njerëz, se nuk janë kanë njerëz të fshatit. U dasht mi legjitimu në xhepa, me kqyrë kush janë e kah janë se nuk e kena ditë kush janë”. Ndërkohë, si pasojë e zhvarrosjes së viktimave civile të Izbicës ende figurojnë 58 civilë të zhdukur, të vrarë e të zhvarrosur në fillim të qershorit 1999 nga forcat serbe.
“Ka ende të pagjetur. Për shembull nga fshati izbicë janë edhe pesë që jemi në kërkim të tyre por duke marrë parasysh grupin dialogues që vazhdimisht I kërkon në Serbi jemi të varfër me informacione dhe presim nga pala serbe që do të tregoj edhe për vendndodhjen e të tjerëve”, thotë Arsim Gërxhaliu.
Ndërkaq, Sadik Xhemajli, dëshmitar i masakrës së Izbicës thotë se kufomat e fshatit Izbicë janë gjetur në Petrovo Sellë në Beograd, në Novolan, në Bistricë. E Gërxhaliu shton se me vet faktin që shumica prej tyre iu mungojnë edhe pjesë kockore, nuk janë të kompletuar se e dimë që trupi i njeriut ka rreth 206 pjesë kockore, dhe nuk janë të kompletuar. “Është si thashë edhe më herët, i takon trendit të fshehjes së gjurmevë te krimit, zhvarrimeve që kanë ndodhur në Kosovë, pastaj varrimeve në vendet tjera, në disa raste janë hapur edhe prej palës serbe, si në Petrovo Sello, janë punuar edhe njëherë në vendin ku kanë qenë të varrosur. Pastaj ne i kemi zhvarrosur nga Petrovo Selo, i kemi sjellë në Kosovë, janë punuar sërish në Kosovë, është bërë identifikimi përmes profilit gjenetik të AND-së dhe iu kanë kthyer familjarëve. Pra i takojnë atij grupacionit të varrosjeve dhe zhvarrosjeve të vazhdueshme për fshehjen e grupit të krimit”.
Sipas tij, me vet fakti që i takon qershorit, është ajo faza kur ata faktikisht ndodheshin para Marrëveshjes së Kumanovës dhe e dinin përfundimin e tyre, prandaj e kanë shfrytëzuar ketë pjesën e fundit për fshehjen e gjurmëve të krimit. “Qëllimi ka qenë të ti largojnë nga Kosova por disa raste nuk kanë mundur ti largojnë kështu që janë detyruar për shkak të bombardimit të urave në Serbi, janë detyruar ti varrosin edhe në vendet përreth si në Novolan të Vushtrrisë dhe dy tri pika tjera përrerth Skenderajt. Kurse pjesën tjetër që kanë arritur për me dërgu, e kanë dërgu në Serbi, me pretekst se nuk do të gjinden”, ka theksuar Gërxhaliu.
Kush janë drejtuesit e shtetit serb që tentuan fshehjen e krimeve ndaj shqiptarëve
Gjatë hulumtimeve të dokumentacionit serb të luftës shumë shpesh haset emri i një personi si i involvuar në procesin e fshehjes së krimeve. Ai është Velko Odalloviq. Edhe pse ishte shef i socialistëve të Millosheviqit për Kosovë, aktiviteti i tij institucional asnjëherë nuk u fsheh nën petkun partiak.
Gjatë kohës së luftës e sidomos në prag të përfundimit të saj, Odalloviq i ka koordinuar disa segmente shtetërore të sigurisë për fshehjen dhe zhdukjen e provave të krimeve që institucionet serbe kishin kryer mbi shqiptarët. Odalloviq bashkë Zoran Agjellkoviqin ish-i deleguar i Millosheviqit për Kosovë, i kanë bashkërenduar punët me David Gaijqin, Mishko Llakoviqin, Misha Vilotiqin, Boshko Periqin, Bozhidar Filicin, Momo Stojanoviqin etj., që në mënyrë sekrete t’i bartnin disa kamionë me kufoma shqiptarësh të vrarë, cilët në ditët e para të muajit qershor të vitit 1999 nga Kosova ishin nisur në drejtim të territorit të Serbisë.
Në fushatën për bartjen e kufomave nga Kosova në Batajnicë Velko Odalloviq kishte marrë urdhër nga Vllastimir Gjorgjeviqi, kurse operacionin e kishte realizuar Novica Zdravkoviqi.