Ballina Jeta Shëndetësi Si ndikojnë ‘cheat days’ në dietën tënde?

Si ndikojnë ‘cheat days’ në dietën tënde?

Ke punuar fort gjatë gjithë javës, ke ndjekur me përpikëri planin tënd ushqimor dhe ashtu si pa kuptuar vjen fundjava – dita kur mendon se e ke fituar të drejtën për të shijuar çdo gjë që ke refuzuar të konsumosh gjatë javës. Por, çfarë po ndodh vërtet me trupin gjatë këtij “cheat days”? A është një shpërblim i merituar, apo një “hedhje poshtë” e gjithë përpjekjeve?

Në fakt, shumë nutricionistë paralajmërojnë se mbajtja e një diete të rreptë gjatë javës dhe konsumimi i tepërt i snacks dhe ushqimeve me shumë kalori në fundjavë mund të ketë efekte të padëshiruara. Një nga problemet më të mëdha me “cheat day” është se shumica e njerëzve e shohin si një “leje” për të ngrënë pa kufij. Në vend që të kontrollojnë porcionet, shumë persona kalojnë nga një ushqyerje e disiplinuar drejt një konsumi të tepruar ushqimi.

Çfarë ndodh me metabolizmin gjatë një “cheat day”?

Një “cheat day” mund të japë ndjesinë se po përshpejton metabolizmin, por e vërteta është më e ndërlikuar. Kur trupi i yt ndjek një dietë të me më pak kalori për disa ditë, ai ngadalëson metabolizmin për të ruajtur energjinë. Pra, është ideja e një dite ku ha më shumë është që të rrisësh përkohësisht kaloritë dhe të “ringjallësh” metabolizmin. Megjithatë, kur e tepron me ushqimin, në vend që të përshpejtosh djegien e kalorive, mund të bësh të kundërtën – të krijosh një “problem” që rezulton në një mbyllje të javës me më shumë kalori se sa mendon.

Shkenca pas dëshirës së tepruar për ushqim

“Cheat day” shpesh përforcon një cikël jo të shëndetshëm të shpërblimit dhe fajit. Pas një vakti të tepruar, trupi prodhon më shumë insulinë për të përballuar sasinë e madhe të sheqerit dhe yndyrave që ke konsumuar. Kjo çon në rënie të sheqerit në gjak më vonë, gjë që të bën të ndihesh i/e lodhur, nervoz/e dhe të rrit dëshirën për më tepër ushqime të shpejta. Në vend që të ndihesh i/e shpërblyer, përfundon duke ndjerë faj dhe zhgënjim.

Alternativa më e zgjuar: Balancë, jo tepri

Në vend që të kesh një “cheat day” ku i lejon vetes gjithçka, mund të zgjedhësh një alternativë më të qëndrueshme: Balancën. Në vend që ta teprosh me konsumin e ushqimeve të preferuara një herë në javë, provo t’i përfshish në porcione të vogla gjatë gjithë javës. Një copë çokollatë të martën ose një pjatë makarona të premten nuk do të ndikojë përpjekjet e tua. Përkundrazi, kjo të ndihmon të ndjekësh një stil jetese të qëndrueshëm dhe të shmangësh ciklet ekstreme të teprimit dhe kufizimit.

A ia vlen “cheat day”?

“Cheat day” mund të tingëllojë si një ide e mirë, por në praktikë, shpesh çon në teprime që prishin ekuilibrin e përpjekjeve të përditshme. Nëse dëshiron të ndjekësh një mënyrë të shëndetshme jetese, sekreti është të ndërtosh një marrëdhënie të mirë me ushqimin, ku asgjë nuk është e ndaluar në mënyrë kategorike, por çdo gjë hahet me masë. Kështu, nuk do të kesh më nevojë për një ditë “shpëtimi”, sepse balanca do të jetë pjesë e jetës tënde çdo ditë.

Exit mobile version