SI ERDHI EMRI SHQIPTAR? DR. NEXHMEDIN SPAHIU
Pas ardhjes se osmanëve në Ballkan, ata që islamizoheshin, konsideroheshin turq. Kjo ndodhi edhe tek arbërit. Mirëpo kur arbërit u islamizuan me shumicë, dhe nga kjo shumicë, shumica absolute nuk dinin turqishten, atëherë u paraqit nevoja e identifikimit të këtij komuniteti që nuk ishin si arbërit, sepse nuk ishin të krishterë po as edhe turq, sepse nuk flisnin turqisht. Ajo çfarë i ndante nga turqit ishte shqiptimi i fjalëve prej nga lindi emri shqiptar. Fillimisht ky emër u përdor vetëm për shqiptarët myslimanë, por meqë arbërit e krishterë ishin o aleatë të Perandorisë Osmane si Mirdita, Hoti, etj, o të angazhuar së bashku me kusherinjtë e tyre myslimanë në ushtritë e pashallarëve shqiptarë, me kohën, emri shqiptar filloi të përdoret edhe për arbërit e krishterë. Por nga të huajtë shqiptarët vazhduan të quhen si më përpara: albanians, albaneze, albana, arbanasi/albanci, arvanitas, arnaut etj. Ndodhi, pra, i njëjti fenomen si edhe tek gjermanët e hungarezët të cilët poashtu si shqiptarët u konvertuan në masë, por që nuk u konvertuan të gjithë (si anglezët ta zëmë). Në rastin e gjermanëve e hungarezëve: nga katolikë u konvertuan në protestantë. Shih analogjinë. Edhe gjermanët edhe hungarezët ndryshe e quajnë vetën e ndryshe quhen prej të tjerëve. Interesant është fakti se emri shqiptar paraqitet në formë të shkruar së pari në një qytet të formuar pikërisht nga shqiptarët myslimanë. Në Gjakovë më 1699. Ja poezia e asaj kohe e Hafiz Yvejs Efendiut, ku përmendet emri shqiptar e Shqipni, ribotuar nga stërnipi i tij Mexhid Yvejsi nga Gjakova. Do t’i lutem unë Allahut Adem Kurtpashës t’i falë shnet, E t’ia ruej Murat begin Që t’a pshtojë kët milet. Do t’i lutem që Adem pashës T’i falë Allahu aq vjetë e jetë, Gjithë sa ka yje qielli Gjithë sa ka n’botë dushk e fletë. Allah, t’lus unë gjynahqari, Falnai m’katet për jetë e mot, Gjithë ku shkel kamb shqiptari Ti, bekoje, i Madhi Zot. Adem pashë po t’kënnoj uratën Oxhak i parë n’kët Shqipni, Nuk u lodhe për arkëthatën Veç ky popull t’marrë dijeni. Murat beg, Uvill Sabahi Si fener ti Dritë na jep Me emër t’vet t’ruejt Allahi Që nxorre pop’llin n’selamet.