Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si e ndali Facebooku shpërndarjen e lajmeve në territoret palestineze

Si e ndali Facebooku shpërndarjen e lajmeve në territoret palestineze

Rrjetet sociale kanë qenë baza e informacionit për ata që donin të dëgjonin më shumë nga zërat brenda Gazës. Faqe të ndryshme të medieve në Facebook, si ato të “Palestine TV”, agjencisë “Wafa” dhe “Palestinian Al-Watan News” – të cilat operojnë jashtë territorit të Bregut Perëndimor – u bënë burimi kyç i informatave për shumëkënd rreth botës. Por zëri i tyre u hesht nga politika e re e rrjetit më të madh social në botë, sipas një hulumtimi të kryer nga BBC-ja

Rrjeti më i madh social, Facebook, ka ulur në masë të madhe mundësinë që mediet palestineze të arrijnë tek audienca e tyre, gjatë raportimit për luftën Izrael–Gazë, sipas një hulumtimi të kryer nga BBC-ja.

Në një analizë të përgjithshme të të dhënave të Facebookut, BBC-ja ka gjetur se redaksitë e lajmeve në territoret palestineze – ato në Gazë dhe në Bregun Perëndimor – kanë pësuar rënie të theksuar në angazhimin e audiencës që nga tetori i vitit 2023 kur edhe nisi lufta.

BBC-ja po ashtu ka shikuar të dhënat që kanë rrjedhur nga rrjeti tjetër social Instagram – që po ashtu është pjesë e platformës “Meta” që udhëheq edhe Facebookun. Sipas të dhënave të hasura, del se Instagrami e ka rritur kontrollin mbi komentet e llogarive të palestinezëve pas tetorit 2023.

Gjiganti “Meta” – pronar i Facebookut – ka thënë se çfarëdo raportimi që thotë se ky rrjet social ka heshtur zërat qëllimshëm “është plotësisht i rremë”.

Që nga fillimi i luftës në Gazë, vetëm pak gazetarë të huaj janë lejuar të hyjnë në territoret palestineze aty. Madje ata që u lejuan ishin në gjendje që të hyjnë vetëm nën përcjellje të zyrtarëve ushtarakë të Izraelit.

Rrjetet sociale kanë qenë baza e informacionit për ata që donin të dëgjonin më shumë nga zërat brenda Gazës. Faqe të ndryshme të medieve në Facebook, si ato të “Palestine TV”, agjencisë “Wafa” dhe “Palestinian Al-Watan News” – të cilat operojnë jashtë territorit të Bregut Perëndimor – u bënë burimi kyç i informatave për shumëkënd rreth botës.

Shërbimi arabik i lajmeve të BBC-së ka përmbledhur të dhënat nga faqet e 20 organizatave të lajmeve me bazë palestineze në periudhë prej një viti deri më 7 tetor 2023 kur Hamasi sulmoi Izraelin, por edhe në periudhën nga ajo ditë e deri një vit më pas.

“Angazhimi” është përllogaritje kyçe se sa ka ndikim një llogari e rrjeteve sociale dhe se sa njerëz e shohin përmbajtjen që ajo publikon. Në të përfshihen faktorë të ndryshëm si numri i komenteve, reagimeve (pëlqimeve) dhe shpërndarjeve të postimeve.

Gjatë periudhës së luftës, angazhimi i audiencës parashihet që të ketë rritje. Gjithsesi, të dhënat kanë treguar se që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, këto medie palestineze kanë pësuar rënie të aktiviteteve të ndjekësve me 77 për qind.

“Palestine TV” ka 5.8 milionë ndjekës në Facebook. Gazetarët e redaksisë kanë shpërndarë statistikat e rrjeteve sociale, duke treguar se bëhet fjalë për rënie prej 60 për qindësh në numrin e njerëzve që ua shohin publikimet.

“Ndërveprimi është ndalur plotësisht dhe postimet tona nuk po arrijnë më te njerëzit”, ka thënë Tariq Ziad, gazetar në këtë medium.

Gjatë vitit të shkuar, gazetarët palestinezë kanë shprehur drojën se përmbajtja e tyre online po “heshtet” nga “Meta”. Në fjalë të tjera, rrjeti social po ua pengon shpërndarjen ashtu që të mos shihet nga shumë njerëz.

Për ta testuar këtë, BBC-ja ka marrë të dhëna të 20 faqeve në Facebook të medieve izraelite, si “Yediot Ahronot”, “Israel Hayom” dhe “Chanel 13”. Këto faqe kanë postuar po ashtu numër të konsiderueshëm të përmbajtjeve që lidhen me luftën. E angazhimi i audiencës së tyre përjetoi rritje prej gati 37 për qindësh, për dallim nga mediet palestineze që “u fundosën”.

“Meta” edhe në të kaluarën ishte akuzuar nga grupet palestineze për të drejtat e njeriut. Sipas tyre, kjo kompani e madhe e rrjeteve sociale ka dështuar që të ketë qasje fer në moderimin e aktiviteteve online.

Një raport i pavarur i vitit 2021, i kryer nga kompania, pati thënë se kjo nuk është e qëllimshme, por ndodh për shkak të mungesës së ekspertizës arabishtfolëse në mesin e moderatorëve. Fjalët dhe frazat shpesh interpretoheshin si fyese ose të dhunshme, edhe pse në fakt nuk ishin të tilla. Për shembull, fraza arabe “Alhamdulillah”, që do të thotë “Falënderimi i takon Zotit”, shpesh u përkthye automatikisht si “Falënderimi i takon Zotit, territoret palestineze po luftojnë për lirinë e tyre”.

Për të parë nëse kjo i shpjegon rëniet në angazhim të audiencës në mediet palestineze, BBC-ja ka analizuar të dhënat e ngjashme edhe të 30 faqeve të Facebookut të medieve me gjuhë arabe, por me bazë në lokacione të tjera. Për shembull u përfshinë edhe “Sky News Arabia” dhe “Al-Jazeera”.

Gjithsesi, të dhënat kanë treguar se këto faqe kanë shënuar rritje në angazhim prej gati 100 për qindësh.

Si përgjigje ndaj këtij hulumtimi, “Meta” ka thënë se nuk e ka mbajtur asnjë sekret për “masat politike të përkohshme” të marra në tetor të vitit 2023.

Kompania ka thënë se është përballur me sfida në balancimin e së drejtës për liri të shprehjes, me faktin që Hamasi ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si organizatë terroriste dhe ishte e tillë edhe sipas politikave të vetë “Meta-s”.

Gjiganti teknologjik po ashtu ka thënë se faqet që kanë postuar ekskluzivisht vetëm për luftën kishin më shumë shanse që të prekeshin në kuadër të angazhimit të audiencës.

“Ne e dimë se bëjmë gabime, por çfarëdo implikimi se ne kinse qëllimshëm heshtim një zë të caktuar, është padyshim i rremë”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.

Sipas të dhënave për sivjet, Facebooku ka 3.07 miliardë përdorues aktivë. Platforma po ashtu ka 2.11 miliardë përdorues aktivë në ditë, që paraqesin 68.73 për qind të bazës mujore të përdoruesve.

Rrjedhja e dokumenteve të Instagramit

BBC-ja ka folur po ashtu edhe me pesë ish-punonjës dhe punonjës aktualë të kompanisë “Meta” për ndikimin që thonë se politikat e kompanisë kanë pasur në llogaritë individuale të palestinezëve.

Njëri prej tyre, që ka folur në kushte anonimiteti, ka shpërndarë dokumente të brendshme të një ndryshimi që i është bërë algoritmit të Instagramit. Sipas dokumenteve, aty kuptohet se “është shtrënguar” moderimi i komenteve që vijnë nga llogaritë e palestinezëve nëpër postimet në Instagram.

“Brenda vetëm një jave pas sulmit të Hamasit, kodi u ndryshua në rrënjë duke u bërë shumë më agresiv kundrejt palestinezëve”, ka thënë ai.

Mesazhet e brendshme kanë treguar se një inxhinier ka shprehur shqetësim për urdhrin, duke thënë se kjo mund të paraqesë një “paragjykim të ri në sistem kundrejt llogarive të palestinezëve”.

“Meta” ka konfirmuar se e ka marrë masën, por ka thënë se kjo ka qenë e domosdoshme për t’iu përgjigjur asaj që e ka cilësuar si “shpërthim në përmbajtjet me urrejtje”, e që vinin nga territoret palestineze.

Të paktën 137 gazetarë palestinezë raportohet të jenë vrarë në Gazë qëkur ka nisur konflikti. Ka të tjerë që po vazhdojnë punën, pavarësisht rreziqeve që i përcjellin përditë.

“Shumë nga informacionet nuk mund të publikohen për shkak të pamjeve që shpërfaqin shumë – për shembull nëse ushtria e Izraelit kryen një masakër dhe ne e incizojmë, atëherë kjo video nuk do të shpërndahet”, ka thënë Omar el Qataa, një nga fotoreporterët e paktë që kanë vendosur të qëndrojnë ende në Gazën veriore.

“Por pavarësisht sfidave, rreziqeve dhe ndalimeve të përmbajtjeve, ne duhet të vazhdojmë të shpërndajmë përmbajtjen për palestinezët”, ka përfunduar ai.

Të dhëna mbi luftën

Sipas njoftimeve të zyrtarëve shëndetësorë palestinezë në Gazë, në luftën e deritashme janë vrarë më shumë se 45 mijë palestinezë. Sipas tyre, mbi 106 mijë persona kanë marrë plagë qëkur ka nisur lufta. Ministria nuk i bën ndarjet midis civilëve dhe luftëtarëve, por ka thënë se më shumë se gjysma e të vdekurve janë gra dhe fëmijë. Ushtria e Izraelit ka thënë se i ka vrarë më shumë se 17 mijë militantë, duke mos ofruar dëshmi.

Kjo luftë është larg më vdekjeprurësja ndër luftimet e kamotshme mes Izraelit dhe Hamasit. Sipas të dhënave, dy për qind e popullatës së paraluftës tashmë është vrarë.

Gjithçka pati nisur më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau në disa sulme më shumë se 1200 izraelitë dhe mori qindra pengje. Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara janë duke provuar sërish që të ringjallin përpjekjet për të arritur një armëpushim mes palëve.

Përktheu: Endrit Berisha /koha.net

Exit mobile version