Si duhet ujiten lulet…

Ju shpesh pyeteni se ç’po ngjet me lulen tuaj që e doni, që po vyshket, po i bien gjethet, apo po shkrihet pa e parë se ka dëmtues. Shumë shpesh arësyeja e vyshkjes së luleve është ujitja e tepruar, me qëllimin më të mirë, ose ngase nuk ujitet mjaft që është rast më i rrallë.

Nevojat e luleve për ujë ndryshojnë varësisht nga lulet, kushtet në tëcilat rriten ato, stina, madhësia e vazos dhe materiali nga i cili është bërë vazoja, (qeramika, plastika). Duhet ditur të gjitha këto për tu kujdesur për lulet në mënyrën e duhur.

Problemet me ujitjen shkaktohen për shkak të kualitetit jo të duhur të ujit, ngase sasia e dheut në saksi është e vogël kurse uji nga ujësjellësi është i mbushur me klor dhe gëlqere. Për këtë shkak ujitja e shpeshtë sjell deri te koncentrimi i kripërave që shkaktojnë zverdhjen e gjetheve / klorozën. Për këtë arësye për ujitje është më së miri të përdoret uji i shiut, uji i destiluar apo i vluar.

Shpeshherë niveli i sipërm i dheut në vazo thahet dhe bëhet kore e cila mbulon vazon, por kjo nuk do te thotë se edhe dheu brenda është i tharë. Prashitja e dheut përsipër ndihmon që dheu të ketë më shumë oksigjen si dhe lagështia e grumbulluar mund të thahet me lehtë.

Gjatë ujitjes duhet të kujdesemi që uji të mos jetë shumë i ftohët sepse ai shkaton stres në rrënjën e lules. Uji ideal për ujitje është ai që e ka temperaturën e dhomës. Nga uji i ftohët psh mund të bien gjethet e geraniumit. Shumë bimëve u pëlqen dushi me ujë të vakët, por asesi mos u bëni dush luleve që kanë gjethet me qime – vjollcat, ose gjethet e tejdukshme (kaladiumi), e as luleve në gjethet e të cilave bëhen lehtë shenja (alazeja, gardenija), e as kaktuseve.

Nga ana tjetër, luleve me gjethe të mëdha (fikusi, monsteri, shefleri, krotoni), u pëlqen dushi.

Ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrën e drejtë të ujitjes së luleve, prandaj edhe nuk ka formulë standarde. Në princip lulet ujiten më shumë kur janë në vlug të rritjes, (lulëzimi, qitja e gjetheve), kur temperatura e ambientit është e lartë, kur lulet janë në vazo të ngushta dhe kur dheu është poroz. Gjëja më e rëndësishme është se ujitjen duhet t’ia përshatim kërkesave të lules.

Eksistojnë lulet e etura, që kërkojnë ujë vazhdmisht, sepse pa ujë vyshken dhe thahen. Te ato duhet pasur shumë kujdes që toka të mos thahet ndërmjet dy ujitjeve. Të tilla janë: adianumi, kalatea, kalceolarija, ciklama, ciperusi, dioneja, fikusi pumila, fitonija, nefrolepsisi, nertera, selaginela, spatifilumi, streptokarpusi…

Lulet që mund të tolerojnë edhe të „harrohen“ të ujiten janë: kaktuset, sukulenta, juka, nolina, zamiokulkasi, dracena, aspidistre, palma cikas, hoja, jatrofa, pahipodijumi…/Mesazhi/