Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, 54 për qind e izraelitëve janë në favor të arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit në Liban, ndërsa 24 për qind e kundërshtojnë një veprim të tillë, transmeton Anadolu.
Sondazhi i kryer nga transmetuesi izraelit ‘Channel 12’ theksoi edhe pakënaqësinë e përhapur me performancën e qeverisë, me 64 për qind e të anketuarve që shprehën mos besim në trajtimin e krizës nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Vetëm 30 për qind shprehën besim në udhëheqjen e tij.
Për sa i përket llogaridhënies, 79 për qind e pjesëmarrësve mbështetën krijimin e një komisioni hetimor për ngjarjet e 7 tetorit të vitit 2023, ndërsa 8 për qind e kundërshtuan këtë ide.
I pyetur për alternativat e mundshme për kryeministër, Netanyahu mbajti një epërsi të ngushtë ndaj liderëve të opozitës, duke siguruar 38 për qind mbështetjen kundrejt Yair Lapid-it me 28 për qind, si dhe 37 për qind kundrejt Benny Gantz-it me 29 për qind.
Megjithatë, ish-kryeministri Naftali Bennett ia kaloi kryeministrit aktual, duke siguruar 38 për qind mbështetje ndaj 34 për qind të Netanyahu-t.
Izraeli vazhdon sulmet ajrore dhe tokësore si në Gaza ashtu edhe në Liban dhe akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në enklavën palestineze.
Gjithashtu edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahu-n dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.