Të majtët kokë më kokë me koalicionin e Presidentit
Votuesit francezë nuk i dhanë siguri Presidentit Macron në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare se koalicioni i tij i qendrës mund të arrijë shumicën absolute të vendeve në Asamblenë e re Kombëtare.
Ky raund votimesh u shoqërua me një abstenim historik “të lartë” nga votuesit francezë. Abstenimi i votuesve vlerësohet në 52.8%, një nivel më i lartë i të gjitha kohërave.
Në mandate deputetesh, koalicioni i partive rreth Presidentit Macron sipas parashikimeve të para rezulton i pari me 255 deri në 295 mandate, por nuk është e sigurt nëse ai do të fitojë shumicën absolute, pra 289 mandate deputetësh nga 577 gjithsej.
Në më pak se dy muaj pas rizgjedhjes, Presidenti Macron u përball me një sfidë të fortë nga koalicioni i krahut të majtë duke rrezikuar mbështetjen e nevojshme për të çuar përpara agjendën e tij të reformave.
Blloku i së majtës i Zhan Luk Melensho, shfrytëzoi zemërimin e qytetarëve nga rritja e kostos së jetesës. Melensho u tha përkrahësve të tij pas mbylljes së votimeve për raundin e parë se partia presidenciale ishte mposhtur.
Rezultat pozitiv ka patur edhe liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen e cila bëri thirrje për një reformë të sistemit zgjedhor për Asamblenë Kombëtare. Le Pen shpreson që për herë të parë të ketë një grup parlamentar që kërkon 15 mandate deputetësh. Në zgjedhjet e vitit 2017 ekstremistët e djathtë kishin fituar vetëm shtatë mandate deputetësh.
“Të dielën e ardhshme, është e rëndësishme të mos lejohet që Emmanuel Macron të ketë një shumicë absolute, me të cilën ai do të abuzojë”, tha ajo, duke shpjeguar se në rast se kampi i Presidentit fiton, Franca do të hyjë në një “tunel pa dritë”.
Kryeministrja aktuale Elisabeth Borne i Macron bëri thirrje për shumicë të qartë në zgjedhjet parlamentare ndërsa të majtët shpresojnë në një dalje masive pro tyre nga votuesit të dielën e ardhshme në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare franceze. /klannews