Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu besimin se shumë vende do të zhvendosin ambasadat e tyre në Kuds, raporton Anadolu Agency (AA).
“Këto deklarata nuk na kanë prekur. Në fund do të fitojë realiteti dhe shumë vende do të njohin Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe do ti zhvendosin ambasadat e tyre atje”, tha Netanyahu, duke iu referuar deklaratave të bëra të mërkurën në Samitin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në Stamboll.
“Kudsi është kryeqyteti i Izraelit, dhe ne sigurojmë lirinë e besimit për të gjitha grupet fetare në këtë qytet të shenjtë”, tha Netanyahu në një fjalim në ceremoninë e mbajtur në Kudsin Perëndimor në nder të Mossadit, Agjencisë së Inteligjencës së Izraelit.
Ai shtoi se palestinezët duhet të pranojnë, siç tha ai, këtë realitet dhe të angazhohen për arritjen e paqes.
Përfaqësuesit e OBI-t në Samitin e Stambollit i bënë thirrje të gjithë botës për të njohur Kudsin lindor si kryeqytet të shtetit palestinez.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi më 6 dhjetor të njohë Kudsin si kryeqytet të Izraelit si dhe zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi.
Kjo u pasua nga protesta të shumta në të gjithë Bregun Perëndimor dhe në kufi me Gazën, në të cilin, gjatë ndërhyrjes së forcave izraelite u plagosën një numër i madh i palestinezëve.