Një nënë 93 – vjeçare ka disa ditë që po lufton për mbijetesë, ajo nuk ka as bukë për të ngrënë.
Në gjendje të tillë e ka lënë i biri, që ajo nuk di se ku ka shkuar ai. Por, Qamile Poroshica që jeton në lagjen Hajvalia në Prishtinë, në gjendje të tillë e ka pritur sot, ditën ndërkombëtare të të moshuarve, raporton lajmi.net
Objekti ku ajo jeton nuk mund të quhet shtëpi, dhe i mungojnë edhe kushtet elementare të jetesës, por nuk dihet edhe sa të tjerë të moshuar jetojnë në këtë gjendje.
Shkelje të të drejtave të njeriut është cilësuar kujdesi ndaj të moshuarve në Kosovë që disa kohë nga Avokati i Popullit.
Hilmi Jashari thekson se është evidente që kategoria e të moshuarve në Kosovë është e lënë anash.
Ai ka përmendur edhe disa diskriminime të cilat bëhen karshi të moshuarve, duke theksuar se kriteret e përcaktuara me udhëzim administrativ, sjellin diskriminim për të moshuarit.
Problematik sipas Jasharit është edhe mungesa e shtëpive të pleqve në komunat e Kosovës, të cilën e quajti edhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Në Kosovë aktualisht janë rreth 41 mijë të moshuar që jetojnë me pensione kontributdhënëse.
Ndërsa, siç bënë të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi janë edhe qindra mijëra të tjerë që marrin pension jo kontributdhënës.
Për lajmi.net ai thotë se janë rreth 130 mijë të tillë.
Nuk janë vetëm kaq. Në Kosovë ka edhe të moshuar që jetojnë në strehimore të veçanta.
Në gjithsej tri të tilla në Kosovë, janë të vendosur persona të moshuar mbi moshën 65 vjeç, e që janë pa përkujdesje familjare.
Në këto strehimore që quhen edhe shtëpi të komunitetit, por që më shumë njihen si shtëpi të pleqve, janë mbi 200 persona.
Vlerësohet se kriteret e përcaktuara me udhëzim administrativ për shtëpitë e të moshuarve, sjellin diskriminim për ta.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve është një ditë e veçantë për personat e moshës së tretë në të gjithë botën. Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përcaktoi 1 Tetorin si ditën e respektit global për të moshuarit./Lajmi.net/