Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, shpreson se Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e vet. Ai pranon se vendi nuk është imun ndaj rreziqeve që i kanosen çdo ditë, por falë pranisë së KFOR-it situata e sigurisë në Kosovë është stabile.
Krijimi i ushtrisë së Kosovës, gjegjësisht shndërrimi i FSK-së në FAK (Forca të Armatosura) është vendim politik për të cilin nuk mund të jepet një interval i caktuar kohor se kur do të realizohet një gjë e tillë. Kështu ka deklaruar komandanti i FSK-së, gjeneralejtnant, Rrahman Rama, i cili megjithëkëtë në një intervistë për gazetën “Zëri” është shprehur optimist se ky vendim do të vijë së shpejti.
Rama tutje ka thënë se përgjatë tetë vjetëve prej se TMK-ja është shndërruar në FSK, Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur sfida të ndryshme, porse ka arritur sukses në shumë aspekte, si në ngritjen profesionale të stafit, procedurat e standardeve operative, etj.
Gjatë kësaj interviste, komandati Rrahman Rama, pavarësisht asaj që tha se krijimi i ushtrisë është vendim politik, vlerësoi se institucionet janë duke punuar në këtë drejtim.
“Është vendim politik, siç e dini, dhe unë jam i sigurt që përkushtimi i institucioneve të Kosovës tash është më i madh, duke e parë nevojën, duke i parë ato rreziqet që po i kanosen për çdo ditë edhe vendit tonë, se nuk jemi imunë ndaj rreziqeve, por edhe në regjion dhe në kuptimin global”, ka theksuar Rama.
Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe për bllokimin e ushtrisë që po ia bën Lista Serbe, për atë se a iu lejohet dalja në veri të Mitrovicës si FSK, a kishin marrë urdhër për të dalë në këtë pjesë në rast të eskalimit të situatës, kur treni rus ishte nisur nga Serbia.