Më shumë se 340 000 persona, prej të cilëve 100 000 civilë, janë vrarë që prej fillimit të luftës në Siri në vitin 2011, theksoi sot Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).
Ky bilanc i ri u njoftua në një kohë kur disa fuqi të huaja kanë intensifikuar përpjekjet e tyre diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm dhe disa ditë nga një cikël bisedimesh për paqe nën drejtimin e OKB-së në Gjenevë.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut që disponon një rrjet të gjerë burimesh në vendet në luftë, ka dokumentuar vdekjen e 343 511 personave në territorin sirian nga mesi i muajit mars 2011 dhe fillimi i muajit nëntor 2017.
“Mes tyre bëjnë pjesë 102 618 civilë, 19 000 prej të cilëve fëmijë dhe 12 000 gra”, theksoi i njëjti burim.
Sipas OSDH-së, më shumë se 119 000 anëtarë të forcave pro-qeveritare janë vrarë, 62 000 prej të cilëve ushtarë sirianë dhe 1 556 anëtarë të Hezbollahut libanez.
Gjatë këtyre katër muajve të fundit, rreth 12 000 persona janë vrarë në të gjithë territorin sirian, 3 001 prej të cilëve civilë.
Shpërthyer në vitin 2011 me shtypjen e manifestimeve paqësore nga regjimi, konflikti në Siri u bë më kompleks me përfshirjen e vendeve të huaja dhe grupeve xhihadiste, në një territor gjithnjë e më të copëtuar./ATSH/