Shumë qytete në Shqipëri pa energji elektrike

Një defekt në linjën e furnizimit la të dielën pasdite pa energji elektrike disa nga qytetet më të mëdha në qendër dhe jug të vendit.

Burimet tregojnë se fillimisht linja 220 kilovolt pësoi avari dhe nuk arriti të furnizojë me energji nënstacionin e Spitallës, ndërsa nga Operatori i Sistemit të Transmetimit mësohet se u punua për riparimin e linjës Kashar–Rrashbull.

Raportohet se rreth orës 17:30 defekti futi në terr Beratin, më pas edhe Durrësin, Vlorën, Fierin, Lushnjën e Sarandën. Përjashtim bëri vetëm Porti i Durrësit, i cili furnizohet me energji elektrike nga gjeneratorët që ka për raste emergjence.

Në Durrës elektriciteti u rikthye vetëm në disa lagje rreth orës 18:45. Në orën 19:00 u ndriçua sërish qyteti i Fierit dhe 10 minuta më vonë edhe Lushnja e Berati.

Pa drita mbetën për më shumë se një orë edhe Kavaja, Shkozeti e Rrogozhina.