Shumë biznese pa arka fiskale në Kosovë, rreth 5 mijë prej tyre u dënuan gjatë 2021-tës

Fiskalizmi i bizneseve ende mbetet një sfidë për Administratën Tatimore të Kosovës -ATK. Mbi 1.7 milionë euro është dënimi që ka shqiptuar ATK-ja në këtë vit ndaj bizneseve që nuk kanë lëshuar kuponë fiskal.

Dhjetëra mijëra biznese që operojnë, ende nuk janë pajisur me arka fiskale. Ky proces ka filluar para një dekade.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve -ARBK, janë të regjistruara rreth 200 mijë biznese, por disa nga to nuk janë aktive, ose numri i atyre të shuara është mbi 25 mijë.

Zyra për informim me publikun e Administratës Tatimore të Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net se numri total i bizneseve të fiskalizuara me arka fiskale është 36,961, ndërsa nga janari deri në fund të muajit nëntor 2021 janë 2,735 biznese të fiskalizuara me 4,009 PEF të instaluara.

Në ATK kanë treguar se, numri i gjobave për mos pajisje me arka fiskale dhe mos lëshim të kuponëve fiskal gjatë këtij viti është 4,821 në vlerë prej 1,720,125.00  euro.

Janë mbi 700 pika të derivateve të naftës në Kosovë, dhe ato nuk lëshojnë kuponë fiskalë, veç nëse e kërkon ndonjë qytetar vet. Megjithëkëtë në ATK thonë se naftëtarët janë tatimpagues të rregullt.

“Sektori bizneseve që merren me shitjen e naftës kanë qenë grupi i parë për tu fiskalizuar, dhe si sektor janë fiskalizuar për herë të dytë me arka speciale fiskale, të cilat kanë memoriet të veçantë për këtë aktivitete. Aktualisht kemi po thuajse 100%te bizneseve të kësaj veprimtarie të cilat janë fiskalizuar”, ka thënë ATK për lajmi.net.

Në ATK kanë treguar se një pjesë e bizneseve janë të liruara nga obligimi i fiskalizmit.

“Bizneset të cilat nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen procesit te fiskalizimit janë të gjitha ato biznese te cilat mënyrën e pagesave e bëjnë 100% përmes transaksioneve bankare, si dhe një numër i konsiderueshme i ndërmarrjeve publike të cilat faturimin e kanë përmes një memorie e cila transmeton të dhëna në kohë reale”, thotë ATK-ja.

Numri më i madh i bizneseve të pa fiskalizuara i përket kategorisë së bizneseve të vogla.

Pajisja me arka fiskale të subjekteve afariste, kishte filluar si proces në vitin 2010 dhe qëllimi ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet (shitjet).

Në raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.