Ballina Sport Futboll Shtyrja e vendimit për Evropianin Shqipëri – Serbi, deklarohet UEFA

Shtyrja e vendimit për Evropianin Shqipëri – Serbi, deklarohet UEFA

Më 16 dhjetor pritej vendimi i UEFA-s që do të konfirmonte Shqipërinë dhe Serbinë si organizatore të përbashkëta të Kampionatit Evropian të vitit 2027 për futbollistët deri në 21 vjeç.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Serbisë kanë paraqitur kandidaturë të përbashkët. Kandidatura e tyre është e vetmja që është bërë në afatet e parapara. Që në shtator nga UEFA kanë thënë se vendimi final do të merrej në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Konfederatës Evropiane të Futbollit, të mbajtur të hënën në Lozanë të Zvicrës.

Ndonëse vendimi final ishte paralajmëruar nga UEFA, por edhe nga FSHF-ja e nga Federata e Futbollit e Serbisë, caktimi i nikoqirëve për “Euro 2027” për futbollistët deri në 21 vjeç nuk ishte përfshirë fare në rend të ditës për mbledhjen e 16 dhjetorit. Dhe rrjedhimisht vendimi nuk u mor.

KOHA ka pyetur të mërkurën në UEFA lidhur me shtyrjen e vendimit. Mori një përgjigje të shkurtër me shkrim nga Zyra e UEFA-s për raporte me media.

“Kjo çështje nuk ishte pjesë e agjendës për mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Lozanë”, shkruan në përgjigje.

Ndonëse pritej, ky organ i lartë i UEFA-s nuk ka shqyrtuar dhe nuk ka vendosur për Evropianin Shqipëri – Serbi. Nuk është saktësuar nëse kjo është bërë për shkak të reagimeve të shumta të shqiptarëve, që kundërshtojnë një organizim të tillë.

Mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është në fillim të muajit shkurt. Dhe ende nuk dihet nëse vendimi do të merret.

“Agjenda për mbledhjen e ardhshme në fillim të shkurtit nuk është caktuar ende”, shkruan në përgjigjen e Zyrës për media të UEFA-s.

Kundërshtarët e shumtë të një evropiani Shqipëri – Serbi shpresojnë se vendimi nuk do të merret asnjëherë.

Ka pasur kundërshtime të hapura për këtë evropian të përbashkët, sidomos nga tifozët, por edhe nga personalitete të futbollit. Ndër të tjera është kundërshtuar edhe nga kapiteni ikonik i Shqipërisë, Lorik Cana.

Ndërkohë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mbrojtur vazhdimisht idenë e një organizimi të tillë. Ka thënë se benefitet janë të mëdha për futbollin e Shqipërisë, por ka thënë se përfiton edhe Kosova.

“Mesazhi që ne japim në këtë rast është mesazhi i paqes, i bashkëpunimit e i tolerancës. Të cilat janë aq të kërkuara dhe të mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos për vendet problematike të rajonit tonë. Kjo i shërben edhe çështjes së njohjes së Kosovës. Ky është një mesazh evropian, që na bën edhe më shumë evropianë, siç aspirojmë të jemi. Një mesazh që vlen dhe nuk mund të zbehet nga ‘mjaullimat’ e demagogëve të veshur me kostumin e ‘pseudopatriotit’, që s’lënë rast pa shfaqur ‘protagonizmin mjeran’ nëpër blogje e komente fyese. Kjo është e vlefshme dhe kombëtare. Të tjerat s’kanë vlerë dhe janë retorika boshe”, ka thënë Duka në një prej shumë paraqitjeve publike në të cilat ka mbrojtur idenë e Evropianit Shqipëri – Serbi.

Edhe në Federatën serbe kanë përkrahur idenë, por për “Euro 2027” kanë folur shumë më pak.

“Është mundësi e madhe që përmes organizimit të një ngjarjeje kaq të rëndësishme sportive në mënyrë të dinjitetshme, të promovojmë vlerat e vendit dhe të shoqërisë sonë. Megjithatë, të jemi të durueshëm dhe të presim 16 dhjetorin. Më pas do të flasim për këtë temë”, kishte theksuar në shtator Milan Vukoviq, zëdhënës i Federatës serbe të futbollit.

Të martën mediat serbe kanë shkruar për shtyrjen e vendimit të UEFA-s, por pa dhënë detaje.

Ndërkohë nga FSHF-ja nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar.

Presidenti i FSHF-së, Duka, është kritikuar më së shumti për idenë e Evropianit Shqipëri – Serbi. Ai është njëri prej nënkryetarëve të UEFA-s.

Duka kishte shprehur shenja pakënaqësie kur shorti vendosi Shqipërinë e Serbinë në një grup në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. UEFA nuk është përgjigjur nëse ky short mund të ketë ndikim në të ardhmen e Evropianit të përbashkët.

Exit mobile version