Ballina Lajmet Shtypi gjerman: Prokurori shqiptar rrezikon jetën

Shtypi gjerman: Prokurori shqiptar rrezikon jetën

Gazeta gjermane “tageszeitung” mbi një prokuror shqiptar, të cilit i është rrezikuar jeta, pas hetimeve brenda rrjetit të mafias së ndërtimit në Vlorë. Arben Jorgaqi humbi punën si pasojë e hetimeve.

Nën titullin “Viktimë e korrupsionit” gazeta gjermane “tageszeitung” i kushton vëmendje të martën (29.08) problemeve me të cilat përballen prokurorët shqiptarë, kur hetojnë rrjetet e rrezikshme. Arben Jorgaqi është një prokuror nga Vlora, i cili ka hetuar në rrjetet e mafias së ndërtimit. Ai humbi edhe vendin e punës dhe tani ka frikë për jetën.

“taz” e përshkruan prokurorin nga fundi i të 30-ve si një tip modern, i interesuar për artin, që në vështrim të parë nuk duket sikur përshtatet me profesionin e tij.

“Por ai është prokuror që e merr seriozisht profesionin dhe luftën e propaganduar nga qeveria kundër korrupsionit….Arben Jorgaqi ka imazhin e një prokurori të pakorruptuar…por në majin e këtij viti erdhi kthesa. Jorgaqi u pushua nga puna. Me sa duket ai i ishte afruar shumë disa njerëzve të fuqishëm.”

Në vazhdim “tageszeitung” nënvizon, se prokurori shqiptar ia doli, madje edhe si hetues në fshehtësi të zbulojë, se kriminelët e veshur me petkun honorifik të biznesmenit kishin manipuluar dosje dhe përkatësinë e truallit, në luftën për të siguruar copat më të majme të bregdetit shqiptar.

“Prokuroria megjithatë mblodhi prova dhe bëri goditjen e parë. Në maj të këtij viti ai kërkoi arrestimin e disa personave të rrjetit në fjalë. Por për habinë e tij policia nuk reagoi. Në vend të kësaj ajo mori një qortim. Më vonë ai u zhvendos në Përmet.”

Gazeta gjermane raporton mbi përplasjen e prokurorit shqiptar, Arben Jorgaqi me prokurorinë e Vlorës. Lufta me autoritetet përfundoi me “lirimin” e tij nga detyra dhe më vonë me heqjen e mandatit.

“As protestat në Tiranë nuk sollën gjë…. prokurori i padëshiruar u largua para reformës në drejtësi nga detyra.”

300.000 euro kompensim

Por historia e Arben Jorgaqit nuk përfundon me kaq. Ai ka marrë kërcënime pas refuzimit të 300.000 eurove si “kompensim”. “Arbeni u fsheh në Tiranë dhe ndërron rregullisht vendbanimin.

Ai ka frikë për jetën…shpresa e vetme është që Gjykata e Apelit në Tiranë të vendosë në favor të tij. Por për shkak të lidhjeve të politikanëve të nivelit të lartë me rrjetin e mafias së ndërtimit, ai është skeptik.”

Sërish debati në Serbi për Kosovën tërheq vëmendjen e mediave gjermane. Gazeta “Süddeutsche Zeitung” nën titullin “Prerje e nyjes” (28.08) shkruan se Vuçiçi, dikur i preferuari i nacionalistëve, habit me propozimin e tij për të pranuar humbjen e Kosovës.

Debati i kërkuar nga presidenti po zhvillohet me zjarr në Serbi, megjithëse nuk vihet re ndonjë drejtim i qartë i tij./DW/

“Krahas disa teorive të konspiracionit, Vuçiç duhet të dëgjojë akuzat për tradhti nga nacionalistët si edhe nga kisha ortodokse serbe…forcat liberale e shohin këtë tentativë si retorikë boshe.”

Vuçiç – “Willy Brandt serb”?

Vuçiç i ngritur lart madje edhe si “Willy Brandt serb”, megjithëse nuk tha konkretisht, se si duhet të duket zgjidhja, ia lë të tjerëve propozimet konkrete, shkruan gazeta gjermane. Ministri i Jashtëm serb, Daçiç propozoi jo më vonë se gushti ndarjen e Kosovës.

Por Süddeutsche Zeitung kujton se propozimi jo i ri i Daçiç “bie ndesh plotësisht me vizionin e bashkësisë ndërkombëtare që ka si parim mosndryshimin e kufijve në Ballkan, që pas përfundimit të luftës në rajon.

Një ndarje e Kosovës do të zgjonte orekse të tjera. Për Serbinë, kjo mund të ishte paraloja për të kërkuar më pas bashkimin e serbëve boshnjakë dhe shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës.

Përveç kësaj, kjo mund të rriste ambiciet e shqiptarëve me pasoja deri në Maqedoni, ku një e treta e popullsisë janë shqiptarë etikë.”

Po gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në numrin e së hënës (28.08) i kushton vëmendje zhvillimeve në Ballkan.

Nën titullin “Të ndaluar në kufirin serb” ajo vëren se shoferi i makinës transportit të parave, i kërkuar nga policia e Mynihut është arritur të ndalet në kufirin serbo-hungarez.

“Serbi 26 -vjeçar që ishte larguar nga Serbia, akuzohet për vjedhjen e më shumë se 1 milionë eurove nga makina e transportit- të cilën ai e uzurpoi pas largimit të dy kolegëve nga makina”.

Punonjësi i firmës të sigurisë, Prosegur, sipas të dhënave të policisë ishte përpjekur të kalonte kufirin me këmbë në Bacsalmas, por u ndal nga autoritetet hungareze.”/Mesazhi/

 

 

Exit mobile version