Shtyllat e formuara nga derdhja e lavës vullkanike në veri të Turqisë, janë shndërruar në një destinacion të popullarizuar turistik, që prej kur kjo zonë u hap për turistët katër muaj më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zona për të cilën thuhet se është e vjetër rreth 80 milionë vite, ndodhet në krahinën Bartin, dhe për vetëm katër muaj të funksionimit si një destinacion turistik, është vizituar nga rreth 40.000 njerëz.
Shtyllat të cilat janë formuar në bregun Guzelcehisar, në rajonin e Detit të Zi, janë formuar përmes ftohjes së shpejtë të lavës vullkanike, ndërsa sot me formën që kanë, mahnitin vizitorët.
Fuat Dursun, në cilësi të drejtorit të Departamentit për Turizëm dhe Kulturë në Bartin, tha se kjo zonë, falë shkëmbinjve, është bërë “mrekullia e natyrës”.
“Karakteristika e veçantë e kësaj zone janë shtyllat 80 milionë vjeçare. Të çarat të cilat ndodhën krijuan shtyllat në formën pentagonale dhe gjashtëkëndëshe”, tha Dursun.
Ai theksoi se formacionet në Guzelcehisar, dallojnë nga ekzemplarët e këtij lloji në vendet tjera të botës. “Shtyllat nga lava, në vendet tjera të botës shtrihen horizontalisht, ndërsa këtu te ne, janë vertikale, por ka edhe horizontale”, theksoi Dursun.
Sipas tij, një numër i konsiderueshëm vizitorësh ka ardhur për të parë nga afër këtë fenomen, për të shtuar se qëllimi i tyre është rritja e numrit të vizitorëve mes 100 dhe 200 mijë turistë vendor dhe të huaj në vit.
“Është planifikuar ndërtimi i objekteve hotelierike, objekteve të akomodimit dhe rrugëve hyrëse”, tha ai.
Shtyllat e formuara nga lava, janë një fenomen i cili mund të shihet edhe në Irlandën e Veriut, Skoci dhe Kaliforni, ndërsa Bartini është i vetmi vend në Turqi, për çka autoritetet e vendit i shpallën shtyllat monumente natyrore.