Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj Nezir Mehmetajt

Seanca gjyqësore ndaj Nezir Mehmetaj e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e enjte, ishte shtyrë për mëngjesin e të premtes. E njëjta është shtyrë përsëri për datën 8 maj të këtij viti.

Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar vëllau i tij, Valon Mehmetaj.

“Ju informoj se shtyhet seanca gjyqësore ndaj rastit të Nezir Mehmetaj deri më datën 08.05.2023, mbesim me shpresë”, ka thënë ai.

Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e Komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020, në vendkalimin kufitar në Merdar, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Sipas një përgjigjeje për Portalin Dukagjini nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri tani janë mbajtur mbi 15 seanca gjyqësore ndaj Mehmetaj, dhe seanca e radhës është caktuar për datën 20 prill 2023.

Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’), dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit, teksa gjykimi i tij ka filluar në muajin prill të vitit 2021.