Shtyhet seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) ka shtyrë seancën për çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, raporton Anadolu.

Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim ka kërkuar revokimin ose zëvendësimin e masës së arrestit në burg, ndërkohë sot ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore për kërkesën e tij.

GJKKO konfirmoi për Anadolu se seanca është shtyrë për më 23 prill, pasi avokatët e Veliajt kanë kërkuar kohë të njihen me aktet e depozituara nga prokurorët.

Veliaj kundërshton masën arrest në burg, ndërkohë në seancën e ardhshme pritet të merret një vendim në lidhje me masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

– Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj

Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash.

Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për disa vepra penale.

Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015 ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.