Shtohet numri i të prekurve nga virusi HIV në Kosovë

Dhjetë të infektuar me virusin HIV i janë shtuar Kosovës vetëm brenda një viti. Numri i të prekurve nga sëmundja e SIDËS, po rritet për çdo vit.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, tregon për Infokusin se aktualisht në Kosovë janë gjithsej 31 të infektuar me këtë sëmundje, ndërsa nuk e njohin arsyen e cila ndikon në rritjen e për vjetshme, shkruan Infokusi.com.

“Ndërmjet viteve situata nuk ka lëviz shumë, nga 2-3 raste në vit, kurse viti 2016 ka shënuar një rritje të rasteve në 10 të sëmurë, që ne nuk e kemi shumë të qartë këtë rritje të numrit të infektuarve”, thotë Ramadani.

Mosha mesatare e të prekurve nga kjo sëmundje, që janë të gjithë shtetas të Kosovës, është rreth të tridhjetave.

Aktualisht në repartin e Klinikës Infektive në QKUK, nuk ka asnjë fëmijë të prekur nga kjo sëmundje.

“Që të gjithë të sëmurët janë nga Kosova, ndërsa një i sëmurë përkohësisht është duke punuar jashtë vendit. Mosha mesatare është rreth 30 vjeçare”, tregon Ramadani.
Drejtori i kësaj klinike thekson se pavarësisht rritjes së të infektuarve nga kjo sëmundje, në shoqëri nuk ka shenja epidemiologjike.

Ndërkaq, ai ka thënë se në kuadër të QKUK-së, ekziston strategjia kundër HIV AIDS, për të cilën strategji ka të angazhuar ekipe profesionale.

Sidoqoftë, virusi HIV, për herë të parë në Kosovë është paraqitur në vitin 1986 dhe që prej atëherë janë evidentuar 70 raste, 28 prej të cilëve kanë vdekur, përfshirë këtu edhe një fëmijë 13-vjeçar.