Pas Arsenalit edhe dy skuadra tjera nga Premier League janë futur në garë për portierin Diant Ramaj.
Bëhet fjalë për Chelsean dhe Manchester Unitedin, ekipe që po synojnë transferimin e tij me të përfunduar edicioni aktual.
Mësohet se tri skuadrat angleze tashmë edhe zyrtarisht kanë shprehur interesim për 22-vjeçarin, i cili është pjesë e skuadrës së Ajaxit.
Tek Ajaxi janë të gatshëm ta shesin portierin Ramaj këtë verë dhe tashmë për kartonin e tij po kërkojnë të paktën 15 milionë euro. Skuadrat angleze pritet së shpejti të nisin negociatat me Ajaxin, pasi po e shohin porierin Ramaj si investim të qëlluar duke pasur parasysh paraqitjet e tij në kampionatin holandez.
Ramaj vitin e shkuar u transferua tek Ajaxi dhe deri më tani ka 26 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa me ekipin nga Eredivisie ka kontratë deri në verën e vitit 2028.
Para se t’i bashkohej Ajaxit, Ramaj karrierë ka bërë edhe te Eintracht Frankfurti e Heidenheimi në Gjermani. Ai ka luajtur për gjeneratat e reja të Gjermanisë dhe po e pret ftesën nga ekipi A, ndonëse është kontaktuar edhe nga Kosova e Shqipëria.