Shtohet konkurrenca për Ismajlin

Pas Juventusit e Napolit, edhe një skuadër tjetër nga Serie A, ka shprehur interesim për mbrojtësin Ardian Ismajli.

Është skuadra e Lazios që është futur në garë për shërbimet e Ismajlit, i cili pritet të largohet muajin tjetër nga Empoli pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në verë.

Ismajli ka shkëlqyer këtë edicion me fanellën e Empolit, ndërsa llogaritet në mesin e mbrojtësve më të mirë të kampionatit italian.

Ai po shihet si përforcim i duhur për mbrojtjen te Lazio, ekip që është në kërkim të një mbrojtësi në afatin kalimtar të janarit.

Tek Empoli po kërkojnë të paktën 3 milionë euro për ta liruar Ismajlin, për të cilin thuhet se ka marrëveshje me skuadrën e Napolit.

Ismajli prej vitit 2021 është pjesë e Empolit dhe këtë sezon ka regjistruar 19 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa në Itali ka bërë karrierë edhe te skuadra e Spezias.