Shtimi natyror i popullsisë për tremujorin e dytë 2024 rezulton pozitiv, duke regjistruar 255 lindje më shumë sesa vdekje.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikës të Shqipërisë (INSTAT) tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2024 ishte 5.269, duke shënuar një rënie me 3,4 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.
Ndërsa numri i vdekjeve ishte 5.014, duke shënuar një rritje prej 1,3 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.
Katër qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Qarku me shtimin natyror më të lartë është Tirana, me 741 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtimin natyror më të ulët është Korça, me 187 vdekje më shumë sesa lindje.