Ballina Autorë Opinione “Shteti sovran i urdhrit bektashi” apo dy Shqipëri?

“Shteti sovran i urdhrit bektashi” apo dy Shqipëri?

Blerim Halili
  • Rilindësit me ekolet e tyre, të vendosur në vendet më të zhvilluara të kohës, të cilët njiheshin me kulturë të gjerë intelektuale, flisnin shumë gjuhë dhe kishin arritur të depërtonin në majat e zotërimeve intelektuale, por edhe politike e diplomatike të Perandorisë Osmane, por edhe të vendeve perëndimore. Por, përveç gjuhës, territorit, kulturës dhe vazhdimësisë historike shqiptare në këto troje, një nga konceptet fundamentale që e trajtuan ishte edhe çështja e fesë.

Blerim HALILI, Prishtinë

Shteti modern është një formë e organizimit politik e shoqëror i cili bazohet në principet e racionalitetit, burokracisë, meritokracisë, kompaktësisë territoriale, ekonomisë së tregut dhe prodhimit kapitalist. Madje, edhe koncepti feja civile shënon transformimin e perceptimit dhe manifestimit të simboleve dhe ritualeve në një tërësi simbolike me përmbajtje laike (rituale publike, ceremoni, flamuj, monumente, etj.). Kështu shteti modern shënon një manifestim serioz të mosidentifikimit të shtetit me një fe të caktuar, fe tradicionale, duke krijuar kështu vijën ndarëse me shtetet dhe organizimet politike mesjetare. Transformimet që e karakterizojnë kalimin në shtetin modern përbëjnë thelbin e ndryshimit edhe për konceptin e sovranitetit. Tashmë ai nuk buron nga kleri dhe urdhëresat teologjike, por nga populli dhe i përket popullit. Shtete të ndryshme e kanë kaluar në mënyra të ndryshme transformimin nga marrëdhëniet socio-politike paramoderne në ato moderne, përkatësisht themelimin e shtetit modern, proces ky që është shoqëruar me ndryshime të thella ekonomike nga njëra anë, por edhe me trazira e humbje njerëzore, nga ana tjetër.

Shtet në shtet

Opinioni shqiptar, ditëve të fundit, u informua nga kryeministri Edi Rama në lidhje me idenë dhe vullnetin e tij për ta themeluar “Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi” në Shqipëri, pra në Republikën sovrane të Shqipërisë. Duket se kjo ide nuk është e rëndomtë dhe prek disa fundamente të kushtetutës dhe rendit politiko-shoqëror në Shqipëri. Para së gjithash, Republika e Shqipërisë, nga njëra anë, përbën një entitet shtetëror sovran dhe të pavarur me rregullim të qartë kushtetues dhe ligjor, ndërsa, nga ana tjetër, një identitet politik dhe historik, një frymë morale e vlerore, jo vetëm për shtetasit e saj, por për të gjithë shqiptarët në rajon dhe botë. Vetë shpallja e Pavarësisë, e pastaj transformimet e mëdha politike e shoqërore nga njëri sistem në tjetrin, nga njëra formë e organizimit shtetëror në tjetrën, ishin një proces i gjatë e i mundimshëm, i cili ka lënë pasoja të mëdha dhe gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit shqiptar. Tani, pas një periudhe konsolidimi të rendit kushtetues dhe shoqërisë demokratike, të hapësh sërish çështje të sovranitetit është kthim prapa dhe rrënim i rendit të ndërtuar. Duke pasur parasysh se me këtë ide cenohet principi themelor i shtetit, pra sovraniteti, ideja për një shtet të tillë brenda shtetit shqiptar e shkelë kushtetutën dhe kodin penal. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shprehet qartë se Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm dhe se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Madje, në nenin 3 potencohet se pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. Por, kjo ide duket se nuk përkon as me fazën aktuale të integrimit europian dhe as me përpjekjen për të ndërtuar një shoqëri dhe sistem sipas modelit perëndimor. Kështu, në një kontekst rajonal e kontinental, kur Shqipëria, me gjithë pengesat dhe problemet e brendshme që i ka, po shënon hapa drejt integrimit europian, përpjekja për ta prekur a ndryshuar bërthamën e saj si kushtetuese e territoriale, e po ashtu edhe atë të identitetit shekullor politik e historik, përbën një akt të papranueshëm nga aspekti shtetëror dhe kombëtar, nga njëra anë, por edhe devijim nga perceptimi modern europian për shtetin, nga ana tjetër.

Konteksti historik dhe sociologjik

Trashëgimia dhe referenca themelore intelektuale, politike, letrare dhe vlerore e kombit shqiptar dhe e projektit politik të tij është Rilindja Kombëtare Shqiptare, që nisi në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Projekti i Rilindjes kombëtare lindi si nevojë dhe reagim për shpëtimin e veçantisë etnike dhe kulturore shqiptare në një periudhë të trazuar të historisë, kur vihej në rrezik fati i trojeve të banuara ndër shekuj me shqiptarë. Themelet konceptuale të Shqipërisë moderne duhen kërkuar pikërisht në këtë lëvizje politike dhe kulturore shqiptare, që, përveç Shqipërisë, shtrihej nga Stambolli në Bukuresht, nga Parisi në SHBA e nga Roma në Selanik e Athinë.

Rilindësit me ekolet e tyre, të vendosur në vendet më të zhvilluara të kohës, të cilët njiheshin me kulturë të gjerë intelektuale, flisnin shumë gjuhë dhe kishin arritur të depërtonin në majat e zotërimeve intelektuale, por edhe politike e diplomatike të Perandorisë Osmane, por edhe të vendeve perëndimore. Por, përveç gjuhës, territorit, kulturës dhe vazhdimësisë historike shqiptare në këto troje, një nga konceptet fundamentale që e trajtuan ishte edhe çështja e fesë. Teksa jetonin në një periudhë të trazuar, kur po lëkundeshin themelet e një perandorie të shtrirë në tri kontinente, ata ishin vigjilentë ta shtynin para projektin modern për Shqipërinë e katër vilajeteve, një Shqipëri që i respekton të tria besimet tradicionale të shqiptarëve, Islamin, Katolicizmin dhe Ortodoksizmin, por që vë identitetin etnik/kombëtar në plan të parë në funksion të ndërtimit të entitetit politik unik, të barabartë për të gjithë. Ideja për t’i kapërcyer ndarjet fetare e për ta ndërtuar shtetin e përbashkët, të shpëtohej aq sa mundej nga tërësia territoriale dhe demografike shqiptare, mund të llogaritet si ide revolucionare në ndërtimin e shtetit modern për shqiptarët. Kjo i kapërceu shumë sfida, për t’u shndërruar kështu në një shoqëri dhe shtet model në respektimin dhe bashkëjetesën ndërmjet feve të ndryshme. Nga ana tjetër, ky konsensus i simbiozës së tri feve me identitetin kombëtar ose i subordinimit sistemor paqësor të tyre në funksion të tërësisë etnike dhe territoriale, që do të kulmonin me një shtet sovran, ishte edhe ide e pashmangshme. Mendimtarët dhe veprimtarët e Rilindjes ishin personalitete që i njihnin mirë gjuhët dhe kulturat të cilat përbëjnë fundamentin shpirtëror dhe vleror të këtyre feve (si gjuhët europiane e latine, ashtu edhe gjuhën turke, persiane dhe arabe). Nga ana tjetër, ata vinin nga një substrat kulturor shqiptar dhe ishin të lidhur në mënyrë organike (ata që vepronin në qendra të mëdha metropolitane) me vendin e origjinës dhe e njihnin mirë kontekstin lokal, projeksionet, marrëdhëniet socio-politike dhe realitetin etnik e demografik të popullit të tyre. Të gjendur në një situatë të tillë, ata ishin në gjendje t’i projektonin më së miri idetë përparimtare për Shqipërinë e katër vilajeteve. Tani ideja për shtetin sovran bektashi përbën shkelje drastike të këtij fundamenti që e ka vendosur Rilindja Kombëtare para më shumë se një shekulli dhe e kthen kriterin fetar si komponent primar në projeksionet politike.

Nëse përmes kësaj ideje bëhet përpjekje për ta kristalizuar dhe konkretizuar tolerancën dhe bashkëjetesën fetare si vlerë, prapëseprapë kjo përbën një çakordim të vlerës së shpërndarë tek disa fe, rrjedhimisht një shkelje të meritës historike të të gjitha feve bashkë në ndërtimin e një shoqërie vëllazërore e jopërjashtuese. Sipas kësaj ideje, që vlera e tolerancës të shtëtëzohet tek “shteti sovran bektashi”, toleranca kështu projektohet tek një rend i posaçëm fetar: bektashizmi. Kjo qasje i privon nga roli historik në ruajtjen e bashkëjetesës, si myslimanët, ashtu edhe të krishterët, duke vendosur monopol merite mbi një besim/rend të caktuar fetar. Nëse është qëllimi të promovohet një version tolerant i Islamit, siç propozon kryeministri Rama, kjo e nxjerr jashtë kontekstit pjesën tjetër të Islamit shqiptar. Kjo duket të jetë një përpjekje që vlera e natyrshme e bashkëjetesës që vjen nga poshtë (nga tabani shoqëror, nga populli) të shndërrohet në një aparat politik që kristalizohet dhe pastaj administrohet nga lart (nga mekanizmi shtetëror i “shtetit sovran të urdhrit bektashi”).

Kjo ide hap rrugë për kthimin prapa në histori, kur secili komunitet fetar do të mund ta kërkonte hisen e vet për ta ndërtuar shtetin e ëndrrave dhe projeksioneve religjioze. Rreziku afatgjatë qëndron pikërisht në këtë precedent. Edhe nëse ky “shtet” i ri brenda shtetit shqiptar është menduar si një shkrirje simbolike administrative e rendit bektashi, që më shumë duket si atraksion turistik sesa si shtet real, prapëseprapë precedenti që krijon përbën një rrezik permanent për kthimin prapa në histori deri në mohimin e trashëgimisë së Rilindjes Kombëtare. Në deklaratën e kryeministrit Rama potencohet edhe se tolerancën fetare nuk duhet ta marrim si të mirëqenë. Prandaj kjo ide duket si përpjekje që tolerancës t’i jepet garanci shtetërore, duke ia dhënë madje edhe territorin dhe sovranitetin falas, por kjo nismë nuk jep garanci se çka do të ndodhë me tolerancën në pjesën tjetër të Shqipërisë jobektashiane. Andaj edhe ideja për ta shpëtuar e siguruar tolerancën do të duhej të mendohej në një format që e përfshin gjithë Shqipërinë, e jo që e ndan atë në dy shtete.

Ndonëse mund të interpretohet edhe si përpjekje sistematike për akomodimin a kamuflimin atraktiv të fesë në kontekst të integrimit europian për sa kohë që shteti i ri do të shndërrohej në “Shqipëri fetare” edhe de jure (edhe ashtu tolerante, me një “version tolerant të Islamit”, i pranueshëm për botën, pra Europën), e Shqipëria tjetër të bëhet purolaike dhe e pafe e të lirohet një herë e përgjithmonë nga etiketa eventuale e Islamit ose fesë në përgjithësi, prapëseprapë është për t’u analizuar se si është menduar të shpallet një shtet me bazë fetare në një kontekst politik të integrimit europian kur toleranca, bashkëjetesa pa dallim etnie, feje e përcaktimi politik janë parakusht i një shoqërie të lirë e demokratike. Prandaj, nga aspekti i transformimit të mëtejmë drejt një shoqërie moderne, kjo ide duket të jetë një nismë anakronike.

Ndikimet në rajon

Ideja për themelimin e “shtetit sovran të urdhrit bektashi” në Shqipëri përbën edhe një precedent të rrezikshëm për rajonin. Roli i kishës serbe në identitetin historik dhe modern të shtetit serb është i njohur. Ajo gjithnjë ka shërbyer si frymëzim për botën serbe për idenë e kthimit në tokën e shenjtë në Kosovë. Në kontekstin aktual, Kosova përballet me një presion ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, akt të cilin Kosova e konsideron si shkelje të Kushtetutës dhe sovranitetit. Nga ana tjetër, aplikimi i ekstraterritorialitetit dhe përdorimi politik i kulteve dhe tubimeve religjioze nga ana e shtetit serb tek komuniteti serb në Kosovë është dëshmuar se përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Shfaqja e idesë tani për një shtet brenda shtetit shqiptar përbën një shembull të keq dhe një precedent të rrezikshëm për Kosovën në drejtim të lëshimeve dhe koncesioneve që “duhet” të bëjë me territorin gjoja në funksion të respektimit të paprekshmërisë së besimit të një komuniteti të caktuar fetar e etnik. Por, Republika e Kosovës nuk mund të ketë një hisedar tjetër në sovranitet, ashtu siç nuk do të duhej të kishte as Shqipëria.

Si përfundim, ideja për shkeljen e parimit të unitaritetit të shtetit, pavarësisht presioneve a matematikave në dukje atraktive, përbën rrezik permanent për paqen dhe sigurinë. Ndërkaq, në epokën moderne, sovraniteti delegohet tek shteti dhe të gjitha poret e jetës shoqërore, përfshirë komunitetet fetare, i subordinohen shtetit sovran. Ideja për shtet e autoritet të tillë brenda një shteti tjetër e cenon pikërisht këtë parim.

Exit mobile version