Pjesa më e madhe e 43 vendeve me fe zyrtare ndodhen në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, me shumicë muslimane, sipas vëzhgimit të qendrës kërkimore Pew.
Më shumë se një në pesë shtete kanë fe zyrtare, ndërsa shumica e tyre janë shtete muslimane ndërsa pak më shumë se 20 për qind të tjera kanë një besim që favorizohet mbi të tjerët.
Por, pjesa më e madhe e vendeve të botës nuk kanë fe zyrtare dhe as besim të favorizuar, 53 për qind, ndërsa 10 vende apo 5 për qind janë armiqësore ndaj fesë. Gjetjet janë publikuar në një raport nga qendra kërkimore Pew me seli në Uashington.
Pjesa më e madhe e shteteve me besim zyrtar ndodhen në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, ndërsa veçohet një grup në Europën Veriore.
Islami është besimi zyrtar në 27 vende në Azi dhe në Afrikën sub-sahariane, ashtu sikundër në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme.
13 vende, përfshirë nëntë në Europë – janë zyrtarisht të krishtera, dy (Butani dhe Kamboxhia) kanë budizmin si fe shtetërore dhe një, Izraeli është zyrtarisht shtet hebre. Asnjë vend nuk ka hinduizmin si besim shtetëror.
Raporti i qendrës kërkimore Pew thotë se në disa raste, fetë zyrtare kanë role që janë më së shumti ceremoniale.
“Por, shpesh dallimi vjen me avantazhe të prekshme në rastet e statusit ligjor apo të taksimit, pronësisë së pronave të paluajtshme apo tjetër, dhe me aksesin në ndihmën financiare nga shteti.
Për më tepër, vendet që kanë besime që mbështeten nga shteti, apo “të njohura zyrtarisht” priren të jenë më të ashpra në rregullimin e praktikave fetare, përfshirë edhe kufizime apo ndalime ndaj grupeve fetare pakicë”, thuhet në raport.
Raporti shton: “Në pak raste, besimi zyrtar i një vendi është kryesisht trashëgimi e historisë së tij dhe tashmë, përfshin pak ose aspak privilegje nga shteti.
Në pak vende të tjera, kjo situatë shkonë në anën e kundërt të spektrit, duke e bërë fenë zyrtare të detyrueshme për të gjithë qytetarët.
Krishtërimi është besimi i favorizuar në 28 nga 40 vende që kanë një status të tillë fetar. Më shumë se gjysma e fondeve të siguruara apo burimeve për programet e edukimit fetar më së shumti përfitohen nga besimi favorizuar, dhe një e treta e fondeve sigurojnë burime për ndërtime fetare./Tesheshi/
Në 10 vende, shteti ose ka rregulla të ashpra ndaj institucioneve fetare ose është aktivisht armiqësor ndaj besimit.
Në to përfshihen Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Vietnami dhe disa ish-republika sovjetike. Sipas qendrës kërkimore Pew, këto janë “vende ku zyrtarët qeveritarë kërkojnë të kontrollojnë praktikat e besimit, shprehjen publike të fesë dhe aktivitetin politik nga grupet fetare”. /Mesazhi/