Ballina Autorë Opinione “Shteti bektashian” i refuzuar nga shumica shqiptare e Maqedonisë së Veriut

“Shteti bektashian” i refuzuar nga shumica shqiptare e Maqedonisë së Veriut

Sefer Tahiri
  • Ideja e Ramës për themelimin e “Vatikanit bektashian” me seli në Tiranë në shikim të parë duket unikale dhe jo shumë kontestuese, pasi më tepër është simbolike. Bektashizmi, mbase pak i njohur substancialisht nga shumica shqiptare, shpesh trajtohet si sekt, si tarikat ose si lëvizje fetare, e cila devijon nga parimet bazike islame. Për bektashinjtë shpesh përdoret sinonimi dervishlerë, ndërsa asocimi i parë për ta është për njerëz që e shpojnë veten me gjilpëra dhe luten me “vallëzim” të trupit.
  • Shkruan: Sefer TAHIRI
  • Identiteti religjioz i Edi Ramës, propozues i “Shtetit bektashian”
  • “Unë jam katolik se gjyshja ime donte të isha katolik edhe pse gjyshi im ishte ortodoks. Babai im dhe fëmijët e tjerë ishin katolikë. Kurse gruaja ime është myslimane. Dy fëmijët e mi të parë janë ortodoksë, kurse djali i vogël katolik.”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Përmes identitetit fetar të tij dhe të afërmve të tij, Edi Rama ka dashur të shpërfaq për botën faktin se Shqipëria dhe populli i saj, për shkak të rrethanave të shumta historike, kanë identitete diversive fetare, të cilat konvergjencë ose pikëtakim e kanë harmoninë apo tolerancën siç e dëgjojmë shpesh!
  • Kryeministri i Shqipërisë, e cila në komunizëm ishte një vend i izoluar dhe e kishte ndaluar fenë, duke burgosur klerikë dhe duke rrënuar objektet e kultit, sot manifeston, të paktën në syprinën publike narracion të identitetit kolektiv shoqëror, i cili kultivon dallimet fetare, të cilave u jep ngjyrime lidhshmërie. Një politikan i regjur populist si Rama, me retorikë të thekur dhe me njohje brilante të zhvillimeve historike politike, nuk ka se si mos e bëjë këtë. Rama nuk e ka problem ta vizitojë Vatikanin ose ta presë në vizitë Erdoganin! Njëra ndër deklaratat përshtypëse të tij është se “Nëse për shkak të hapjes së xhamisë së Namazgjasë në Tiranë nuk duhet të hymë në Bashkimin Europian, atëherë BE-ja nuk na duhet.” Ai pranon dekorata nga kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, Janullatos, dhe e propozon idenë unikale që të formohet “Shteti bektashian”! Pavarësisht qëllimeve, që mund t’i ketë Rama, ideja është autentike dhe nuk i cenon identitetet e tjera fetare!
  • Refuzimi i “shtetit të bektashinjve” nga pjesa më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut
  • Ideja e Ramës për themelimin e “Vatikanit bektashian” me seli në Tiranë në shikim të parë duket unikale dhe jo shumë kontestuese, pasi më tepër është simbolike sesa reale, më shumë është turistike sesa religjioze, më shumë është projeksion i një shteti imagjinar se sa i një shteti objektivizues funksionial.
  • Por, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është pritur me refuzim kategorik! Pse kjo ide u kundërshtua kaq shumë nga qarqet fetare, por edhe nga një pjesë e qytetarëve shqiptarë?
  • Së pari, kjo ka të bëjë me statusin e bektashizmit në Maqedoninë e Veriut? Për dallim nga Shqipëria, e cila e njeh si bashkësi fetare, në Maqedoninë e Veriut komunitetit bektashian nuk i njihet autonomia nga Bashkësia Fetare Islame! Pronësia e kontestuar nga BFI-ja e Teqesë Arabati në Tetovë, e cila praktikisht është selia e bektashizmit në vend, e shfaq qasjen gati se ekskomunikuese ndaj këtij komuniteti!
  • E dyta, bektashizmi, mbase pak i njohur substancialisht nga shumica shqiptare, shpesh trajtohet si sekt, si tarikat ose si lëvizje fetare, e cila devijon nga parimet bazike islame. Bektashizmi dhe bektashinjtë shpesh janë të paragjykuar dhe stereotipizuar nga shumica, e cila praktikon të ashtuquajturin “Islam tradicional”. “Tradicionalistëve shqiptarë islamikë” çdo lëvizje ose fenomen diversiv në sferën shpirtërore fetare u pengon dhe u shkakton pakënaqësi dhe sikur ua prish vijëzimin e projektuar identitar fetar. Kështu ka ndodhur edhe kur janë shfaqur selefinjtë ose vehabinjtë ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas shumicës shkaktojnë përçarje. E njëjta ndodh edhe me Lëvizjen e ashtuquajtur të Deçanit ose tashmë Lëvizjen për Rikthim (në Krishterim ose Katolicizëm)! Publikisht nuk është regjistruar as edhe një rast i vetëm i konvertimit ose rikthimit të ndonjë shqiptari nga Maqedonia e Veriut nga Islami në katolicizëm, ndërsa kjo temë nuk është fare aktuale në media dhe në jetën publike, siç ndodh në hapësirën shqiptare. Kjo ndoshta ndërlidhet edhe me faktin se, sa i përket fesë, është e vërtetë se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut shfaqin një lloj konservatorizmi në kuptimin e ruajtjes së vlerave tradicionale, i cili është brumosur ndër shekuj.
  • Meqë bektashizmi nuk njihet në thelb, nuk dihet historia e tij, ka pak informacione për kontributin e tij në Rilindjen Kombëtare, nga një pjesë e konsiderueshme bektashinjtë nuk trajtohen si teistë ose besimtarë, por si njerëz që për arsye të ndryshme kanë devijuar nga Islami burimor dhe shkaktojnë përçarje ndërfetare tek shqiptarët. Për bektashinjtë shpesh përdoret sinonimi dervishlerë, ndërsa asocimi i parë për ta është për njerëz që e shpojnë veten me gjilpëra të hekurta deri në gjakderdhje dhe që bëjnë lutje në teqetë me lëvizje të ndryshme trupore. Por, fatkeqësisht, ka shumë pak informacion se pse ndodhin këto lloj lutjesh në teqe! Narrativi negativ, pak a shumë i ngjashëm, përdoret edhe për selefinjtë ose edhe të konvertuarit në katolikë.
  • Njohuri të pakta mbi bektashizmin në kuptimin mistik
  • Po ashtu, nisur nga parimet islamike sunite mbi praktikimin e pesë shtyllave të Islamit, ndër shqiptarët ka pak njohur mbi bektashizmin në kuptimin shpirtëror, si segment religjioz i Islamit, i cili më shumë rëndësi se sa praktikimit kolektiv aktiv ose fizik në xhami i kushton rëndësi transcendencës ose sufizmit, që në shpjegimet teorike përshkruhet përgjithësisht si “mistika islame”, dimensioni i përbrendshëm i Islamit” ose “fenomeni mistik i Islamit”.
  • Ndjekësit e doktrinës së bektashizmit janë një grup i vogël dhe, së këndejmi, nuk ka ndonjë ndikim të madh në jetën publike, ndërsa nuk është i pranishëm as në media, madje edhe kur ky komunitet kremton festa të rëndësishme. Drejtuesi i këtij komuniteti, Baba Mondi, nuk është parë në ndonjë intervistë në mediat e këtushme.
  • Për dallim nga mediat në Kosovë dhe Shqipëri, në mediat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ideja e “shtetit bektashian” nuk është debatuar dhe analizuar fare, ndërsa është raportuar si lajm i zakonshëm, ndonëse si i tillë nuk ka qenë pa nota sensacionaliste. Mediatizimi i religjionit nuk është fenomen që ndodh në sektorin mediatik në gjuhën shqipe, gjë që është për t’u vlerësuar, sepse ngritja e çështjeve fetare në nivel të debatit publik shfaq tendenca të panevojshme të prishjes së harmonisë ndër shqiptarët.
  • Nisur nga ky fakt, nuk është i rastësishëm edhe konvertimi ndër vite i shumë bektashinjve në Maqedoninë e Veriut në myslimanë sunitë, pra duke iu bashkëngjitur shumicës dominuese të shqiptarëve.
  • Duke marrë parasysh edhe faktin që propozuesi është Rama, ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është nxitur skepticizmi mbi prapavijën politike të kësaj ideje, në radhë të parë sa ajo e dobëson Islamin, edhe pse identiteti fetar në Shqipëri nuk është shumë statik, por fluid.
  • Të gjithë këto fakte shpijnë drejt konkludimit se ideja e Ramës, po të varej nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nuk do të miratohej dhe do të ngelte një ide e debatuar brenda kuluareve kabinetike qeveritare shqiptare, por jo edhe e debatuar në nivel të sferës publike. /revistashenja
Exit mobile version