Nëse ndiqet kronologjia e proceseve të ndarjes, pa veçuar kushtet dhe rrethanat si u paraqit bektashizmi në Turqi dhe si u bart në Shqipëri, për çfarë është folur e shkruar dhe do të vazhdojë të shkruhet, konstatimi bazë është se këto procese shpërfaqen në kohën e ndryshimeve të mëdha që ndodhin në botën islame.
Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup
Para ca ditësh opinioni i gjerë shqiptar u trondit nga një lajm bombastik të Edi Ramës, që erdhi nga Amerika e largët, bile u promovua edhe në Asamblenë e OKB-së – në OKB do të ketë një anëtar të ri, Shteti Bektashi, që do ta ketë territorin sovran që do të qeveriset nga Baba Mondi. Pas kësaj me të drejtë u ngritën shumë pyetje e dilema sa për motivet, arsyen, momentin e paralajmërimit, e deri tek ato juridiko-kushtetuese dhe teologjike, si dhe të historisë e teorisë së ngritjes së idesë kombëtare. Unë nuk do të futem në asnjërin nga këto aspekte, përveçse do të bëj një kronologji të shkurtër të ndarjeve, denominimeve në fenë islame, në përpjeke për të hedhur dritë mbi kompleksitetin e këtyre proceseve, që në fund ta shtroj në rrethanat në të cilët gjendet sot bota dhe, mbi gjitha, shqiptarët, gjithë kjo në përpjekje për t’i aktualizuar pyetjet që mendoj se duhet t’u përgjigjen shqiptarët para sfidave që na presin.
Do të filloj me një kronologji të shkurtër për ndarjet brenda Islamit. Autori i veprës “Çështja Kozmike – Hyrje në metodologjinë e shtetit dhe të agjenturës”, Gürsel Dönmez, çështjen e ndarjeve në denominime (nga arabishtja: medhhebeve) e trajton në kuadër të teopolitikës, për të cilin pretendon se është një term i ri, të cilin e zbërthen përmes boshtit të “Fesë, Shoqërisë, Politikës dhe Njeriut” dhe mbi këto pikëpamje bektashizmin e karakterizon si grup sikurse edhe alevizmin. Përndryshe, në skemën e tij, të paraqitur si “denominimiet islame”, Dönmezi, pas periudhës së Profetit (610-620) e ndan periudhën Ehli Suneti dhe denominimet shiite. Ndarjet që do të ndodhin më pas, përgjatë shekullit të shtatë e deri në shekullin e dhjetë, i ndan në dy shtylla kryesore: suni që ndahen në: hanefi – maturidi, maliki – eshʼhari; shafi – eshʼhari; hanbeli – selefi; ndërsa shiitët ndahen në: xhaferi – 12 imamët, zejdi – shiitë, ismaili – batini; nusari- gulati. Nën këtë varg tek sunitët vazhdojnë dy grupe që nuk llogariten për denominime (medhhebe). Pastaj janë tarikatet dhe xhematet, si dhe grupet alevite dhe bektashinjtë. Ndërsa në kohën moderne në sunizëm kemi grupe si suni kulturorë (grupet fetare liberale) dhe rrymat margjinale/grupe radikale. Vargun e ndarjes autori e vazhdon me grupet shiite joiraniane dhe grupet dhe rrymat e tjera shiite, që i prodhoi modernizmi, si shiitët kulturorë (grupe fetare liberale) dhe rrymat margjinale/grupet radikale. Mes këtyre dy krahëve paraqitet një shtyllë në skemën e tij që nuk lidhet me këto dy denominime, që njihet si harixhinjë, një rrymë që buron që nga koha e hershme e paraqitjes së Islamit dhe lidhet me betejën e Sifflinit të vitin 657 dhe rishfaqet shumë më vonë në grupimet e tarikateve. Atë ai e cilëson si rryma neoharixhite dhe selefinjtë radikal, që në kohën e modernizmit njihet si vehabizëm – rryma selefiste politike. Çka janë denomiminimet dhe grupet dhe cilat arsyet që ndodhin këto ndarje?
Kuptimin e termit denominim autori e nxjerrë nga fjala medhheb, që nënkupton “pikëpamje, bindje, koncept dhe të vihesh në një udhë të caktuar”, kurse në rrafshin fenomenologjik për fetë e reveluara – fetë monoteiste – sipas tij e ka kuptimin “traditë sociologjike, politike, fetare, besimore dhe jurisprudenciale e krijuar me një rrugë, metodë dhe ixhtihad të caktuar që merr formë sipas organizimit të parimeve ose dispozitave themelore”.
Nëse kemi hedhur dritë mbi idenë, motivet, shkaqet dhe faktorët e ndarjes, tash të japim një sqarim elementar se kur, në çfarë rrethanash dhe për çfarë përplasen kryesisht këto denominime dhe grupime. Konstatimi më bazik është se ndarjet ndodhin kur ka ndryshime të mëdha në ambientin ku dominon një fe. Përplasje në rastin e Islamit kishte qëkur ishte gjallë profeti Muhamed, siç ishte me harixhinjtë, por skizma e madhe ndodhi menjëherë pas vdekjes së tij. Vdekja udhëheqësit shpirtëror e politik, siç ishte profeti Muhamed, shkaktoi tronditje sa psikologjike e besimi, aq më tepër e hapi dilemën rreth mënyrës së zgjedhjes së udhëheqësit që do ta pasojë rrugën e tij. Njëra rrymë, shiat, bazuar në traditën arabe të lidhjes së gjakut, e preferonte nipin e profetit Aliun, kurse tjetra, sunite, si më pragmatike, e kërkonte më të urtin, më të pranueshmin mes fiseve arabe si ndjekës të Muhamedit, andaj e zgjedhin Ebu Bekrin, që ishte në miqësi me profetin, por jo edhe në lidhje gjaku.
Por, ndarjet nuk mbaruan këtu, por vetëm sa filluan. Nëse ndiqen vitet kur kanë jetuar imamët që i kanë promovuar shkollat juridike të numëruara më lart, ajo është periudha nga fundi i shekullit të 7-të deri në shekullin e 10-të. Kjo është koha kur Islami ka bërë zgjerimin më të madh dhe është ballafaquar me kultura e zakone, por mbi të gjitha me organizimin shtetëror perandorak të Persisë dhe Bizantit, si dhe me filozofinë e Greqisë antike, të bartur nga Leka i Madh në ato hapësira. Tradita beduine, që promovonte barazinë, afërsinë e solidaritetin, ku jeta në bashkësi ishte një lidhje psikologjike, e njohur si esabia, u ballafaqua me begatinë, pangopësinë, koncentrimin e pushtetit tek udhëheqësi që promovonte hierarki në organizimin shtetëror, gjë që ishte në kundërshtim të plotë me jetën beduine të arabëve. Udhëheqësi myslimanëve paraprak, halifët e parë, nuk ishin pushtetarë, por udhëheqës që jetonin me shumë modesti, por me drejtësi. Zgjerim i Islamit, përveç që u përjetua si shok kulturor, ai hapi shumë pyetje dhe dilema rreth asaj se cili është burimi bazë që duhet referuar mes Kuranit, sunetit, hadithit, por edhe nevojës së ixhtihadit. Nga ajo se si duhet kuptuar, interpretuar, këto burime në gjeografi të ndryshme do të lindin edhe shkollat e ndryshme juridike, të cilët ndahen në dy grupe më të njohura si hadithistë dhe kuranistë, varësisht se në cilin burim e përqendronin studimin e tyre.
Ndarjet nuk mbaruan as këtu. Përderisa historia vazhdoi, u paraqitën kontekste dhe realitete të reja, filloi rënia dhe humbja e territoreve të njohura si Darul-Islam (pushtetit në sundimin islam), ndërsa veçanërisht ballafaqimi me modernizmi nxiti debate dhe përçarje të reja. Kolonializmi ishte goditje fatale për botën islame, e cila edhe sot e kësaj dite nuk gjen rrugë si të dalë prej një pozite inferiore që e përjetoi karshi botës së krishterë parë përmes zhvillimit tekniko-teknologjikë që e sollën kolonialistët. Myslimanët nuk mund ta bënin bashkë bindjen e palëkundur se posedojnë fenë më të avancuar që ekziston dhe realitetin se përjetonin ngecje dramatike kundrejt Perëndimit.
Kjo është koha kur edhe paraqiten lëvizjet intelektuale që bënin përpjekje ta shpjegonin këtë dihotomi, që më vonë do të ngrihen në lëvizje politike që sot njihet si islami politik. Sipas Tarik Kulenoviqit, rrënjët e islamit modern politik i gjejmë që në shekullin XVIII, në lëvizjen reformiste paramoderne, siç është vehabizmi, por flamurtarët e islamit politik ose, siç do të kishin preferuar të quheshin “reformatorë të islamit”, i gjejmë deri në shekullin XIX tek autorët si Xhemaluddin el-Afgani, Muhamed Abduhu dhe Reshid Rida. Në kohën e sundimit kolonial këta autorë filluan që mendimit islam t’i japin formën e ideologjisë së luftës kundër pushtetit kolonial. Përderisa Afgani ishte i dhënë për zgjidhjet me dhunë, bashkëkohësi i tij, Abduhu, nxiti reformat në arsim dhe edukim, si bazë për nisjen e ndryshimeve shoqërore. Ndërkaq, Rida, sipas Kulenoviqit, mund të llogaritet si themelues i republikanizmit islam, ngase u angazhua që ta shqyrtojë problemin e sovranitetit dhe raportin e myslimaneve ndaj tij. Si dukeshin këto karikatura të shteteve postkoloniale moderne pa shkencëtarizim, pa industrializim, pa urbanizim dhe pa shekullarizim mbi këto ide?
Moataz Bellah Mohamed Abdel Fattah ka bërë një tezë doktorature mbi Islamin dhe demokracinë ku i analizon 32 shtete me shumicë myslimane nga të gjitha viset gjeografike, kulturore e grupet sektare, nga Afrika, Lindja e Mesme, Lindja e Largët, por edhe Shqipërinë si shtet europian.
Studiuesi i nxjerr në pah tri grupe mendimesh dhe praktikash demokratike. Së pari janë tradicionalistët, që angazhohen për qeveri islamike, që nuk është e ngjashme ose edhe e afërt me ndonjë qeveri tjetër joislame. Ky sistem qeverisjeje është antiteza e asaj që njihet si demokraci përfaqësuese. Pastaj janë modernistët, që angazhohen për një sistem qeveritar që është në përputhje me Islamin, në vend që të jetë idiosinkrati – veçori, karakteristikë – islamike. Për ta, shumica e aspekteve të demokracisë janë në përputhje me mësimin e Islamit ose, të paktën, të islamizueshëm. Për dallim prej tyre, të tretët, sekularistët, nuk shqetësohen sa islamike apo sa i moralshëm është sistemi i qeverisjes që ata preferojnë. Këto dallime bëjnë që intelektualët dhe studiuesit myslimanë të jenë përfshirë në një debat të pakompromistë, analog me një luftë civile intelektuale.
Por, pse demokracia që e preferojnë sekularistët kaloi në autokraci? Duke iu referuar Mazrui-t, myslimanët nuk janë gati për demokraci, ngase analfabetizmi, jeta fisnore, apatia, emocionalizmi dhe nostalgjia nuk janë të favorshme për demokracinë. Arsyeja shtesë është se demokracia u trashëgua nga përvoja shtrembëruese e kolonializmit që çoi në (1) urbanizim pa industrializim, (2) edukim verbal pa trajnim produktiv, (3) laicizëm pa shkencë (rënia e fesë pa ngritjen e shkencës) dhe (4) lakmi kapitaliste pa disiplinë kapitaliste.
Megjithatë, përgjigjja në këtë pyetje nuk është aq e thjeshtë. Në një studim të Muhamed Guda-s, përmes metodës së krahasimit me kushtetutën e Al-Azhar-it, si pikënisje, për matjen se sa një kushtetutë përmban preferencë islame, të gjeturat shpalosin një fenomen interesant. Nëse vendet do të kenë më tepër ose më pak preferenciale islame, kjo shumë më tepër do të varet nga gjeografia ose vendndodhjen e tyre sesa nga përqindja e popullatës islame që jeton në atë shtet. Historia koloniale, distanca nga epiqendra e Islamit (Meka / Medina) dhe mënyrat me të cilat është përhapur Islami kanë ndikim të madhe në mënyrën e funksionimit të shteteve. Por, në përgjithësi, në vendet që u kolonizuan nga britanikët vërehen nivele relativisht më të larta islamizimi sesa në vendet që u kolonizuan nga fuqitë e tjera koloniale, veçanërisht nga francezët. Në fund pse na duhej gjithë kjo kronologji e ngjarjeve? Ekzistojnë më tepër arsye, por unë do të përmend vetëm disa. Së pari, për ta nxjerrë në pah kompleksitetin e këtij procesi të ndarjes dhe faktorë që ndikojnë nëse një grup do të arrijë të formësohet. Së dyti, për të përkujtuar se shumë më herët ka pasur lëvizje dhe përpjekje për të nxjerrë një interpretim të Islamit adekuat në rrethanat dhe gjeografit e ndryshme. Së treti, se në një shtet me popullatë shumice myslimane varet nga shumë faktorë nëse do të ketë preferenca të jetojë me parime islame apo jo. Dhe, së katërti, se proceset që janë zhvilluar në kërkim të rrugës së modernizimit, demokratizimit, por edhe zhvillimit e mirëqenies në shtetet myslimanë, në esencë kanë qenë endogjene, prej brenda, prej vetë elitave intelektuale religjioze. Më saktë, proceset janë zhvilluar prej poshtë lart dhe jo prej lart poshtë, me diktat. Në fakt, të gjitha proceset revolucionare kanë një trajektore të tillë zhvillimi, por esenca qëndron në atë se Islami nuk e njeh lartësinë, hierarkinë në funksionimin e vet, por qendrën dhe afërsinë. Në fund vjen pyetja qenësore: a kanë nevojë shqiptarët për një debat rreth kësaj teme? Po, bile shumë. Nëse ndiqet kronologjia e proceseve të ndarjes, pa veçuar kushtet, rrethanat se si u paraqit bektashizmi në Turqi dhe si u bart në Shqipëri, për çfarë është folur e shkruar dhe do të vazhdojë të shkruhet, konstatimi bazë është se këto procese shpërfaqen në kohën e ndryshimeve të mëdha që ndodhin në botën islame. Që këtu rrjedh nevoja dhe urgjenca për debat. Jemi dëshmitarë se bota më tepër se kurrë më parë në dekadat e fundit ndodhet para rirreshtimit të madh që ka filluar dhe do të vazhdojë të zhvillohet në përpjekje për të vendosur një rend të ri në rrafshin global. Në Europë kjo veçanërisht do të varet nga tre faktorë: teknologjia, që vjen nga Amerika; demografia, që vjen nga Afrika; dhe kultura, që vjen nga Lindja, veçanërisht nga Lindja Afërt dhe e Mesme, me prefiks islam. Për shqiptarët debati bëhet më urgjent nëse kemi parasysh se gjeografia dhe historia na kanë determinuar të jemi qendra, vendtakimi i këtyre kulturave dhe civilizimeve.
Debati për pozicionimin e shqiptarëve në realitetin e ri nuk duhet hapur as për shkak të luftës, që momentin zhvillohet në Gaza e Liban, kur elitat politike shqiptare janë pozicionuar “pro” Izraelit, që për momentin nuk ka ndonjë reagim popullorë. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo qetësi është sa prej pragmatizmit, konformizmit të elitave intelektuale e politike, por shumë më tepër se pjesa dërrmuese e besimtarëve myslimanë shprehin përgjegjësi të lartë kombëtare dhe heshtin duke “ndjekur” diskursin e intelektualëve dhe politikanëve jo se pajtohen me gjithë atë që u servohet, por se janë të ndërgjegjshëm për rrezikun e një ndarjeje mbi baza fetare. Megjithatë, aty-këtu nëpër rrjetet sociale hasim ndonjë ofshamë dhe revoltë, por në përgjithësi, ata janë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë për nevojën e unitetit kombëtar që duhet vlerësuar. Për këtë nuk ka pasur nevojë “të ngrihet” një grupim fetar me pretendime që t’i garantohet edhe shtet e sovranitet, udhëheqësi i të cilëve do të deklarojë se i ndjen për vëllezër hebrenjtë. Myslimanët, në përgjithësi, e ata shqiptarët, në veçanti, kurë nuk kanë pasur problem as me Hebraizmin as me Krishterimin, e as me popullin izraelit. Fakti që profeti i cili më së shumti përmendet në Kuran është Musai (plot 136 herë), pastaj Ibrahimi (69 herë), ndërsa Isai përmendet sa edhe Ademi (25 herë), kurse Muhamedi vetëm katër herë, flet se Islami dhe myslimanët e pranojnë misionin e tyre profetik, dhe nuk kanë problem as me ndjekësit e tyre. Ata mund të kenë problem me një qeveri si e Putinit, Erdoganit, Natnjahut, po sikur edhe me qeverinë e Ramës, Kurtit, Makronit e Shollcit që është krejt legjitime. Ata, si shumëkush në botë, kanë problem me luftën që zhvillohet në Gaza, e veçanërisht me gjenocidin dhe thyerjen masive të drejtave njerëzore. Për këtë nuk ka nevojë ta favorizojnë një Islam “pragmatik” siç i quan Ben Blushi bektashinjtë, që janë “pak myslimanë pak të krishterë”, për të përçuar mesazhin se jemi shtet me shumicë myslimane, por të moderuar, andaj Europa dhe Perëndimi nuk duhet të brengoset. Myslimanët shqiptarë, edhe pa “shtetin e bektashinjve” të Ramës, e kanë kuptuar rëndësinë e demokracisë bile pa mëdyshje mund t’u mbajnë ligjërata për tolerancë ndërfetare shumë popujve europianë.
Shqiptarët kanë nevojë, edhe atë shumë, për një debat për realitetet e reja që ndërtohen dhe do t’i determinojnë sa raportet lindje-jerëndim, po aq edhe jug-veri, sa edhe raportet mes civilizimeve. Ky proces nuk do të jetë pa bubullima e tërmete, pasi Mesdheu dhe Ballkani shndërrohen në arenë të këtij teatri të madh. Ata kanë nevojë ta filozofojnë mitin Gjergj Kastrioti Skënderbe, i cili ishte vendimtar që treshen fetare që e ngërthente në vete e shndërroi në Një, një komb. Kjo na garantoj mbijetesën për një shekull dhe kjo duhet ristudiuar që të mund ta projektojnë të ardhmen.
Sot jetojmë në kohën e dekonstruksionalizmit, andaj na imponohet ta dekonstruktuojm mitin për ta ngritur në filozofi. Vetëm pasi t’i jetë dhënë përgjigje ekuacionit matematikor, më tepër kosmologjik sesa logjik (1+1+1 ≠ 3 por = 1), që na la në trashëgimi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kurse ne deri tani e njësonim si 0+0+1 =1, do ta kemi përgjigjen së cila duhet të jetë filozofia mbi të cilën do të ngrihet strategjia për t’i sfiduar turbulencat që i kemi përpara. Thjesht, kjo kërkon përgjigje të pyetjeve: kush jemi? dhe çka jemi?. Përgjigjet e drejta do të na udhëzojnë se si duhet të pozicionohemi karshi sfidave që na presin. Shpikje të tilla si “shteti i bektashinjve” nuk janë përgjigje, përveçse shkak për ndarje shtesë dhe top i lojës politike parazgjedhore të Ramës, që nuk u ndihmon as shqiptarëve e as myslimanëve. /revistashenja