“Shteti bektashi” brenda shtetit shqiptar, aventurë e shtetit shekullar

Xhafer Sadiku

Mbështetësit më të mëdhenj të Partisë së Punës së Shqipërisë, pas vitit 1950, u bënë kleri dhe komuniteti bektashian. Më 13 shkurt 1967 kryetari i Komitetit Bektashian, kryegjyshi i asaj kohe, i shkruante Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e garantonte Enver Hoxhën se “do të ishin deri në vdekje besnikë të vijës revolucionare të Partisë së Lavdishme dhe heroike”. Ai u bënte thirrje edhe komuniteteve të tjera fetare të vepronin në këtë mënyrë.

Xhafer SADIKU, Tiranë

Shteti shqiptar, i formuar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mori kohën e vet për të funksionuar, për shkak të rrethanave. Lufta ballkanike dhe rivaliteti midis fuqive të mëdha ishin dy faktorë që e përcaktuan madhësinë e sipërfaqes, numrin e përbërjen e popullsisë dhe formën e organizimin e brendshëm. Për të parin është folur shumë dhe shkruar gjatë, ndërsa për të dytin duhet ndalur, pasi organizimi i brendshëm ndikon jo vetëm në dimensionet e lirisë së shtetasve, por edhe në personalitetin e shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Për shkak të përbërjes etnike të popullsisë dhe pavarësisht nga besimet fetare, shteti shqiptar u formua si shtet unitar, ndërsa për shkak të rivalitetit të fuqive që e formuan dhe pretendimeve të shteteve fqinj, statusi që iu dha ishte neutraliteti.

Qëkur u formua shteti shqiptar kishte vështirësi për ta ngritur modelin e një shteti funksional për shkak të nivelit në të cilin ndodhej shoqëria. Baza e shoqërisë shqiptare ishte familja tradicionale dhe fisi, ndërsa jeta sociale rregullohej kryesisht mbi të drejtën zakonore, ku feja luante rol vendimtar. Në vitet e para të jetës së shtetit shqiptar pati ndërhyrje të forta të shtetit në çështjet fetare, por edhe klerikët e tre komuniteteve fetare rezistuan me vendosmëri. Duke e kontrolluar fenë, shteti e vinte nën kontroll shoqërinë mbi të cilën ushtronte pushtet. Shteti dhe feja gjetën një farë ekuilibri në vitet ’30-të të shekullit XIX, ekuilibër që u prish gjatë viteve të regjimit komunist.

Shteti si identitet politik, Feja si identitet moral

Në të gjitha kushtetutat e shtetit shqiptar janë përcaktuar parimet kushtetuese që i rregullojnë marrëdhëniet midis shtetit dhe fesë, midis shtetit dhe komuniteteve fetare dhe midis vet komuniteteve. Duhet theksuar se dallimi midis shtetit dhe fesë është thelbësor dhe parimet kushtetuese e shprehin qartë këtë dallim. Neni 10 i Kushtetutës së Shqipërisë, pika 1, e përcakton se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. Në këtë nen sanksionohet se shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe e garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Shteti e njeh barazinë e bashkësive fetare.

Pra, e drejta kushtetuese e përcakton qartë vijën ndarëse të shtetit dhe fesë, të shtetit si identitet politik shekullar dhe fesë si identitet moral. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.

Ka dallime thelbësore midis shtetit dhe fesë. Feja vepron në fushën e shoqërisë dhe me mjete të moralit, ndërsa shteti në institucione ekzekutive dhe me mjete politike e akte juridike. Nëse Feja bëhet shtet, ajo pushon së qeni si e tillë.

Vlerat morale për fenë dhe klerin janë thelbësore dhe përcaktuese në ekzistencën e tyre. Kaq të rëndësishme janë ato, saqë Naim Frashëri në “Fletorja e Bektashinjve” i përcaktonte disa parime, vlera dhe virtyte që duhej të njihnin dhe të zbatonin klerikët bektashinj për ta merituar fjalën “Baba” dhe “Udhë-rrëfenjës”. Në të gjitha parimet, ai e përmend njerinë, mirësinë dhe Perëndinë, por asnjëherë nuk e përmend fjalën shtet ose pushtet. Ai kërkonte nga klerikët bektashinj të linin lakminë e madhështinë, mëritë e marrëzitë, pirjen, dehjen e babëzinë, të paudhat e gjithë të këqijat. Naimi u bënte thirrje të përpiqeshin ditë e natë për kombin, që i quante klerikët bektashinj “baballarë”, e përgjërohej për ata. Ai i ftonte të punonin bashkë me parësinë e me pleqësinë për shpëtimin e Shqipërisë e të shqiptarit, për dituritë e qytetërimin e Kombit e Mëmëdheut. “Kur të bëjnë këto punë”, – theksonte ai, – “atëherë u them Atë e Udhë-rrëfenjës, pa sot s’u them dot”.

Ishte një përcaktim i qartë që ka vlerë për çdo kohë dhe një pasqyrë ku klerikët bektashinj dhe jo vetëm ata, duhet të shkojnë veten.

Krizat dhe nervoziteti psikologjik

Vendosja e regjimit komunist e prishi ekuilibrin social, duke sjellë si pasojë nervozizmin psikologjik në shoqërinë shqiptare. Partia e Punës së Shqipërisë i ndante klerikët në tre kategori: një pjesë e konsideronte të lidhur me regjimin dhe mbështetës të masave të Partisë kundër fesë, një kategori tjetër qëndroi e heshtur, ndërsa kategoria e tretë ishte ajo që i kundërshtoi masat e regjimit për luftën kundër fesë. Partia i dënoi dhe izoloi klerikët që i kundërshtuan masat e regjimit dhe në këtë mënyrë e shtoi numrin e atyre që heshtën. Pjesën tjetër e përdori për të mbështetur pushtetin e saj dhe transꬵormimin e shoqërisë, nga tradicionale në shoqërinë komuniste.

Mbështetësit më të mëdhenj të Partisë së Punës së Shqipërisë, pas vitit 1950-të, u bënë kleri dhe komuniteti bektashian. Më 13 shkurt 1967 kryetari i Komitetit Bektashian, kryegjyshi i asaj kohe, i shkruante Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e garantonte Enver Hoxhën se “do të ishin deri në vdekje besnikë të vijës revolucionare të Partisë së Lavdishme dhe heroike”. Ai u bënte thirrje edhe komuniteteve të tjera fetare të vepronin në këtë mënyrë. Duhet vënë në dukje se krerët e komunitetit bektashian nuk bënë asnjë protestë formale për mbrojtjen e fesë dhe objekteve të kultit. Qysh atëherë, në zonat ku ka komunitete të mëdha bektashinjsh, regjimi komunist dhe partia që është në pushtet ka mbështetje të gjerë.

Partia e Punës së Shqipërisë i goditi traditat dhe shpirtin e popullit. Ajo luftoi gjithçka idealiste dhe shpirtërore dhe “edukoi” tek njerëzit materializmin dhe luftën midis njerëzve nën termin “lufta e klasave”, duke i përçarë shqiptarët. Gjatë sundimit të gjatë ajo e formoi “njeriun e ri”, bashkësia e të cilëve e krijoi “shoqërinë e re”, që në shpirtin e saj dukej se kishte pak nga vlerat shqiptare.

Pikërisht nervoziteti psikologjik i shoqërisë i ka rrënjët e veta tek ideologjia e partisë komuniste tashmë me emër të ndryshuar, që ia imponoi shoqërisë me forcën shtrënguese të shtetit.

Me gjithë ndryshimin radikal që shteti komunist i bëri shoqërisë, shoqëria shqiptare pati aftësinë për t’i rezistuar në një farë mase presionit të shtetit.

Shanset e humbura të shoqërisë dhe fesë

Pas vitit 1990-të, kur u lejua feja dhe besimi, ato do të duhej të shërbenin për të vendosur ekuilibrin shpirtëror të shoqërisë në kushtet e rënies së sistemit “edukativ” të arsimit. Për fat të keq, një pjesë e të tre besimeve fetare vazhdoi të vihej nën influencën e partisë ateiste të ish-komunistëve dhe, në mënyrë të veçantë, klerikët bektashianë.

Vlerat morale që predikon feja dhe besimi në to nuk kanë efektin e duhur, pasi sistemi i qeverisjes vazhdon të përhapë nervozitet psikologjik në shoqërinë shqiptare.

Bashkimi shpirtëror i kombit shqiptar qëndron kryesisht në bashkimin psikologjik të gjithë elementëve shoqërorë dhe i ka rrënjët e veta morale në shpirtin e popullit. Krijimet dhe vlerat autentike të popullit shqiptar, këngët popullore, zakonet, doket e proverbat janë shpirti i popullit. Janë këto vlera shpirtërore që e bashkojnë kombin, ndryshe nga ato materiale që kanë tendencën për t’i ndarë. Ne e mbajtëm të paprekur artin dhe krijimtarinë e realizmit socialist që prodhuan nervozitet, urrejtje dhe përçarje kur do të duhej t’i harmonizonim me traditën dhe risinë për të pasur ekuilibër shpirtëror. Sado e lartë të jetë kultura e të tjerëve, letërsia dhe arti i tyre, ai përbën shpirtin e popujve që i kanë krijuar. Ai nuk mund të importohet nga jashtë.

Në vend që kleri të ndikonte në pastrimin e shoqërisë nga veset dhe ideologjia që i injektoi komunizmi e të shëronte plagët shoqërore të popullit, një pjesë e tij vazhdon ta mbështesë partinë që i shkaktoi tragjedi shoqërisë shqiptare!

“Shteti bektashi”, fundi i bektashizmit si sekt fetar

Krijimi i një shteti brenda shtetit shqiptar do të ishte aventurë, sepse nuk ka ndryshuar ndonjë rrethanë, e brendshme apo e jashtme, nga ato që kanë qenë kur u formua shteti shqiptar. Në aspektin ligjor krijimi i një shteti të tillë e cenon tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Në nenin 1, pikën 2, të Kushtetutës së Shqipërisë sanksionohet se: “Shqipëria është shtet unitar dhe i pandashëm”. Për ta mbrojtur këtë parim themelor, në bazë të nenit 4 të kushtetutës, shteti ka për detyrë t’i respektojë e t’i mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij.

Të krijosh një shtet duhet së pari një sipërfaqe, popullsia, struktura e pushtetit dhe sovraniteti i autoritetit. Natyrshëm, mund të shtrojmë disa pyetje: mbi çfarë sipërfaqe do të ngrihet ky shtet?! Cila do të jetë popullsia e tij, do të jenë klerikët apo edhe besimtarët e të tjerë?! Çfarë statusi do të kenë objektet e kultit nëpër Shqipëri, sidomos teqetë bektashiane apo vendet e pelegrinazhit si mali i Tomorrit etj. A do të funksionojë sistemi i kapitulacioneve në shtetin shqiptar për shtetasit e shtetit bektashi?!

Shteti, duke qenë identitet politik, përdor instrumente ligjore, ndërsa vetë ligji përmban në vetvete zbatimin e detyrueshëm të tij. Ndryshe ndodh me fenë, e cila, duke vepruar në sferën e moralit, nuk e përmban elementin detyrim, por bindjen vullnetare ndaj normave të caktuara nga feja dhe traditat zakonore.

Gjatë gjithë historisë është vërtetuar se shteti e ka tendencën për të kufizuar liritë, për shkak se e drejta që jep dhe garanton ai, buron nga politika. Vetë ligji është shprehje e vullnetit politik e shprehur në normë juridike. Ndryshe ndodh me raportin e së drejtës që predikon feja, e cila njihet si e drejta hyjnore apo e drejta natyrore.

Ajo që po ndodh me përdorimin e bektashinjve dhe lëvizjeve të dyshimta fetare flet qartësisht për mosnjohje reale të gjendjes. Duke e shfrytëzuar krizën që po e përjetojnë shqiptarët, projektuesit e formimit të shtetit brenda shtetit synojnë të realizojnë objektiva të dyshimta dhe ta shtojnë dozën e nervozitetit psikologjik në shoqërinë shqiptare. Përdorimi politik i fesë dhe klerit, për më tepër kur nuk ekzistojnë çështje fetare në shoqërinë shqiptare, nuk mund t’i qëndrojnë debatit dhe kritikës. Përfshirja e qeverisë dhe mekanizmave të shtetit në çështje të rregulluara me akte të nivelit kushtetues janë jo vetëm të dëmshme, por edhe të rrezikshme.

“Shteti” bektashi nuk do t’u sjellë asnjë të mirë shqiptarëve. Përkundrazi, do të sjellë vetëm dëme. Ai e prish ekuilibrin e shoqërisë, e rrezikon stabilitetin brendashqiptar dhe e shkel parimin kushtetues të barazisë së feve. Nën shembullin e tij mund të kërkojnë të njëjtin privilegj edhe komunitete të tjera, duke e kantonizuar Shqipërinë si fazë të parë dhe, më pas, duke e copëtuar.

Krahasim i papërshtatshëm

Krahasimi me Vatikanin, i sjellë si argument, nuk është as i përshtatshëm dhe as i saktë. Vatikani u krijua si shtet në kushtet e Italisë njëfetare, kur Italia e copëtuar po bashkohej dhe nuk u krijua si produkt politik i ndarjes. Procesin e bashkimit të Italisë e udhëhoqën figura të njohura si Francesco Crispi, Conti Cavur, Mazini, etj. Procesi kaloi nëpër debate të ashpra në parlament për të gjetur një zgjidhje që edhe shteti të bashkohej, por edhe statusi i papës të respektohej. Kisha Katolike është universale dhe nuk mund të bëhej kishë nacionale. Formulën pse duhej zgjidhur ashtu e dha Francesco Crispi në fjalën e tij në seancën parlamentare të 17 nëntorit 1864. Ai tha se papa, siç konstituohej deri atëherë, nuk mund të bëhej qytetar i një shteti të bashkuar, duke zbritur nga froni mbi të cilin e nderonte gjithë katolicizmi. Por, nga ana tjetër, as mbreti nuk mund të ulej nën statusin e sovranit. Pra, nuk mund të ishte një papë sovran në një shtet laik dhe as një mbret sovran në shtetin klerikal. Kështu u gjet zgjidhja që e njohim: edhe mbreti të ishte sovran, por edhe papa duhej të mbetej i tillë.

Kur kjo ka ndodhur në një shoqëri njëfetare çfarë ishte Italia, si mund të ndodhë në një shoqëri të pluralizmit religjioz si shoqëria shqiptare! Sekti bektashi nuk e ka statusin që e kishte feja katolike në atë kohë, as mund ta marrë e as mund ta përdorë. Nuk mundet, sepse është një pakicë e vogël që, përkundër mitizimit, nuk ka pasur dhe nuk mund ta ketë atë rol që mundohen t’i japin, as në historinë e popullit dhe as të religjioneve.

Shqipëria është vend i pluralizmit fetar dhe një aventurë e tillë do ta copëtonte vendin. Këto janë plane të disa fuqive perëndimore, të cilat e mbështesnin bektashizmin që pas Kongresit të Berlinit, për t’i realizuar objektivat e tyre në hapësirën etnike shqiptare e më gjerë.

Si përfundim duhet theksuar se formimi i “shtetit bektashi” brenda territorit të shtetit shqiptar nuk do të sjellë asnjë dobi, as për shtetin shqiptar e as për komunitetin bektashian. Disa klerikë bektashianë po përdoren edhe këtë herë, si i përdorën konsullatat e huaja në tokat shqiptare, qysh nga çereku i fundit i shekullit XIX dhe si i përdori Partia e Punës së Shqipërisë. Të vetmit që do të përfitojnë janë ideatorët e huaj të këtij projekti përçarës. Komuniteti bektashi nuk duhet të lejojë që për interesa okulte të fuqive të identifikohet si përçarës i kombit shqiptar.

Është për të ardhur keq se në vatrat tona po shuhet zjarri i dashurisë për njeriun, për shqiptarin e për atdheun. Nuk ka ndryshuar atdheu, por kanë ndryshuar shqiptarët që po braktisin atdheun e tyre.

Braktisja po ndodh jo aq për arsye ekonomike, por për arsye psikologjike. Të rinjtë kërkojnë ta kultivojnë personalitetin, dinjitetin dhe vlerësimin individual në shoqëri, por mundësitë ua kufizojnë. Në shkolla mungon kriteri i drejtë i vlerësimit të dijeve, në shoqëri vlerësohet i forti e i pasuri dhe jo i miri. Regjimi dhe politika i afron dhe mbështet njerëzit e veseve dhe jo të vlerave, nxit individualizmin dhe indiferentizmin kundër solidaritetit social. Ata mbështesin kultin e individit të sundimtarit të radhës dhe e kanë humbur besimin në kultin e kombit dhe idealin kombëtar. Për të kultivuar vlerat njerëzore, duhet të ndihmonin edhe besimet fetare, por këtë nuk mund ta bëjnë dot klerikët ateistë që e mbështesin regjimin. Këtë mund ta bëjnë ata që janë në anën e popullit. /revistashenja