Në Burundi, shtet në Afrikën lindore, janë ndaluar lidhjet jashtëmartesore dhe nga çiftet është kërkuar që të martohen deri në fund të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale, projektligji i paraqitur në muajin maj që parashihte ndalimin e lidhjeve jashtëmartesore është firmosur nga ana e presidentit të shtetit, Pierre Nkurunziza.
Po ashtu, çifteve në lidhje jashtëmartesore u është dhënë afat deri në fund të vitit për t’i zyrtarizuar lidhjet e tyre në kishë ose përmes kurorëzimit zyrtar.
Siç thuhet, kjo praktikë synon ruajtjen e vlerave morale të shoqërisë dhe shmangien e viktimizimit të grave dhe fëmijëve.
Burundi ka shkallë të lartë të lindjeve jashtëmartesore. Në këtë vend, fëmijët e lindur si rezultat i këtyre lidhjeve nuk kanë të drejtë trashëgimie, ndërkohë që edhe për gratë nuk ekziston ndonjë status ligjor.
Nga ana tjetër, një pjesë e vendit është e mendimit se kjo praktikë është në kundërshtim me besimin, kulturën dhe traditat e shoqërisë.