Nevojitet themelimi i një sistemi të përbashkët kriptovalutor mes shteteve islame, pasi dollari është shndëruar në një mjet ndëshkues, thotë kryetari i Forumit Ndërkombëtar të Biznesit (IBF) Erol Yarar, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai thotë se SHBA-të mbajnë transfertat e parave, imponojnë sanksione në tregun ndërkombëtar dhe shkaktojnë kriza në vende të ndryshme përmes përdorimit të dollarit.
“Në IBF, këtë vit, do të diskutojmë mbi termin ‘pluralizëm monetar’, që të krijojmë një mjedis më të drejtë dhe më të shëndoshë tregtar”, tha Yarar.
Në kuadër të kësaj, thotë ai, IBF do të diskutojë përdorimin e teknologjisë “blockchain” dhe kriptovalutat për teknologjitë financiare.
“Do të themelojmë një sistem të kriptovalutave i cili do të përdoret për tregti ndërkombëtare mes shteteve islame”, tha ai.
Yarar sqaroi se kriptovaluta e zakonshme mund të përdoret për të caktuar çmimin e mallit, në tregjet e këmbimit dhe në vet shtetet.
Kryetari i Forumit Ndërkombëtar të Biznesit (IBF), nënvizoi nevojën që kanë shtetet islame për të themeluar një fond, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Fondi në fjalë, do të bazohej në financimet pa kamatë dhe do të ndihmonte shtetet që janë në krizë financiare.
IBF është themeluar në vitin 1995 dhe siguron një rrjet ekonomik global të besueshëm, veçanërisht për afaristët muslimanë.