Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka thënë se shtetet islame duhet të bashkëpunojnë me të gjitha mundësitë për t’i dhënë fund dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit (Rohingya) në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti turk Erdoğan mbajti fjalim në hapjen e Samitit të Shkencës dhe Teknologjisë së Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) që po mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
Erdoğan e theksoi rëndësinë për të punuar së bashku në mënyrë që t’i jepet fund torturave, dëbimeve dhe persekutimeve ndaj muslimanëve në Mianmar.
“Ne duam të punojmë së bashku me qeverinë e Mianmarit dhe Bangladeshit për ta tejkaluar krizën humanitare në rajon.
Autoriteteve të Bangladeshit ua kemi përçuar ofertat tona për ndihmë dhe pritjet tona për lehtësimin e nevojshëm të gjendjes së muslimanëve që kanë ikur në territorin e Bangladeshit për të shpëtuar nga shtypjet dhe masakrat.
Organizatat ndërkombëtare dhe vetë ne si shtete islame duhet të përpiqemi së bashku me të gjitha mundësitë tona që kjo tirani të marrë fund”, tha Erdoğan.
Presidenti turk po ashtu tha se aktualisht muslimanët në tërë vendet e botës janë duke u përballur me probleme, porse këto probleme nuk duhet të jenë shkatërrues i unitetit dhe solidaritetit të vendeve islame.
Ndryshe, Erdoğan edhe më parë kishte premtuar të ngrejë çështjen e muslimanëve të Arakanit në takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në fund të këtij muaji.
Muslimanët e Arakanit, të përkufizuar nga OKB-ja si njerëzit më të përndjekur në botë, janë përballur me frikë nga sulme, pasi dhjetra u vranë në dhunën që shpërtheu në vitin 2012.
Tetorin e kaluar, pas sulmeve në pikat kufitare në Maungdaw të Arakanit, forcat e sigurisë të Mianmarit filluan operacion pesëmujor në të cilin, sipas grupeve arakaneze, u vranë rreth 400 vetë.
OKB-ja dokumentoi përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijët e vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukje të kryera nga personeli i sigurisë.
Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e të drejtave të njeriut përbënin krime kundër njerëzimit.
Dhuna e fundit shpërtheu në shtetin Arakan të Mianmarit gati dy javë më parë kur forcat e sigurisë nisën një operacion kundër komunitetit Rohingya.
Bangladeshi, i cili tashmë ka pritur rreth 400 mijë refugjatë Rohingya, është përballur me një fluks të ri refugjatësh që nga fillimi i operacionit.
Të shtunën, OKB-ja tha se të paktën 290 mijë Rohingya kanë kërkuar strehim në Bangladesh.