Shtetet e QUINT-it i kërkojnë Kosovës të respektojë ligjin dhe të ndalojë punimet në rrugën te Manastiri i Deçanit

????????????????????????????????????

Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovës kanë kërkuar që para se të ndërmerret ndonjë veprim për rrugën Plavë-Deçan, palët t’u përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngrisin çdo shqetësim të mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim (KMI).

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet vendore që t’u përmbahen ligjeve të Kosovës për rastin e Manastirit të Deçanit.

Përmes një komunikate të përbashkët, ambasadorët apo të ngarkuarit me punë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian, KFOR-it, dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kanë vizituar rajonin e Deçanit “në kërkim të fakteve”.

Ata janë takuar ndaras me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

“U bëjmë thirrje palëve që në përpikëri t’iu përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngrenë çdo shqetësim të mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim (KMI), para se të ndërmarrin ndonjë veprim. Për më tepër, i nxisim autoritetet e Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan. Dhe në fund, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë të shpejtë të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore në përputhje me këto që u përmendën më lartë”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Për më tepër, i nxisim autoritetet e Kosovës qe të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan. Dhe në fund, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë ekspeditive të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore në përputhje me këto që u përmendën me lartë”, thuhet në komunikatë, shkruan lajmi.net.

Punimet për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, u ndërprenë më 16 gusht, pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hoti.

Reagimi i kryeministrit, erdhi një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.