Shtetet e Bashkuara dërgojnë më shumë armë dhe bomba në Izrael

Autoriteti i Transmetimeve në Izrael ka raportuar se dhjetëra fluturime me avionë transportues ushtarakë të ngarkuar me municione kanë zbritur ditët e fundit në bazën ajrore Nevatim në Izrael.

Sipas raportimeve, sot kanë mbërritur gjashtë avionë të ngarkuar me bomba MK-84, municione dhe pajisje të tjera luftarake të destinuara për operacionet në Gaza.

Municioni vjen si pjesë e përgatitjeve për sulme të reja në Gaza, por edhe për sulme të mundshme ndaj Iranit nëse dështojnë negociatat, raportojnë mediat izraelite.

Kjo zhvillohet në të njëjtën kohë me miratimin nga Departamenti Amerikan i Shtetit të një marrëveshjeje me vlerë 180 milionë dollarë për shitjen e motorëve të përdorur në automjete ushtarake për Izraelin.

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka përshpejtuar dërgimin e armëve drejt Izraelit, pavarësisht rritjes së numrit të viktimave në Gaza. Këto përfshijnë edhe disa lloje të armëve sulmuese që ishin ndaluar gjatë presidencës së Joe Biden.