Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shtetasit e Bosnjë dhe Hercegovinës nga sot në Kosovë vetëm me letërnjoftime

Shtetasit e Bosnjë dhe Hercegovinës nga sot në Kosovë vetëm me letërnjoftime

Qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës nga dita e sotme mund të udhëtojnë drejt Kosovës vetëm me letërnjoftime, falë një vendimi të njëanshëm nga ana e Prishtinës zyrtare, raporton Anadolu.

Lëvizja e lirë e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës drejt Kosovës vjen pasi masa u mundësua nga qeveria kosovare më 14 tetor 2024, në kuadër të një marrëveshjeje si pjesë e Procesit të Berlinit.

Marrëveshja për lëvizje me letërnjoftime ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, krahas marrëveshjeve të tjera, u nënshkrua nga liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë një takimi të këtij procesi në vitin 2022.

Parlamenti i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 shkurt të vitit 2023, por një gjë e tillë nuk është realizuar ende nga autoritetet në Bosnjë, ndërsa Prishtina akuzon entitetin serb të këtij vendi për bllokimin e marrëveshjes.

Gjatë njoftimit të vendimit të njëanshëm në tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Republika Sërpska po refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, ndërsa Kosova ka qenë e para në rajon që e ka ratifikuar këtë marrëveshje në parlament.

“Përderisa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës”, ishe shprehur Kurti.

Ai më herët kishte thënë se marrëdhëniet me Bosnjë dhe Hercegovinën aktualisht janë të vështira “për shkak të vetos të Republikës Serbe atje”.

Ndryshe, më 21 tetor 2022, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, BeH, Shqipëria dhe Kosova arritën tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, respektivisht për lëvizjen e qytetarëve vetëm me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve në nivelin e lartë të arsimit, si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët e përgjithshëm, ata të stomatologjisë dhe për arkitektët.

Exit mobile version