Shtetas britanikë që luftojnë për ushtrinë izraelite përballen me akuza për krime lufte në Gaza

Michael Mansfield

Një grup avokatësh në Mbretërinë e Bashkuar pritet të dorëzojë sot një kallëzim penal për krime lufte kundër 10 shtetasve britanikë që kanë marrë pjesë në luftën e Izraelit në Gaza, raporton The Guardian.

Sipas raportit, kallëzimi i akuzon britanikët për përfshirje në “sulme të pa dallim ndaj zonave civile” dhe “sulme të koordinuara ndaj objekteve të mbrojtura, përfshirë monumente historike dhe vende fetare”, ndër krimet e tjera.

Avokati i njohur britanik, Michael Mansfield, i cili është pjesë e ekipit ligjor që po ndjek çështjen, tha:

“Shtetasit britanikë kanë detyrim ligjor të mos bashkëpunojnë në krimet që po ndodhin në Palestinë. Askush nuk është mbi ligjin.”

“Nëse një nga shtetasit tanë po kryen një vepër penale, duhet të veprojmë,” citohet Mansfield nga The Guardian. “Edhe nëse nuk mund ta ndalojmë një qeveri të huaj të sillet keq, të paktën mund të ndalojmë shtetasit tanë të sillen në mënyrë të tillë.”

Lajmi ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik dhe pritet të shkaktojë debat të gjerë politik dhe ligjor në Mbretërinë e Bashkuar.