Shtëpia e Bardhë: Rusia po vuan me mbi 1.200 vi’ktima në ditë në Ukrainë

Mes raporteve se trupat e Koresë së Veriut po dërgohen për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se më shumë se 1.200 trupa ruse po vriten ose po plagosen çdo ditë në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, u tha gazetarëve se presidenti rus, Vladimir Putin, po vuan “një sasi vërtet historike ushtarësh të vrarë dhe të plagosur në këtë luftë për të përmbushur një ide të shtrembëruar të tij për aftësinë e Ukrainës për të ekzistuar si një shtet sovran”.

“Nuk ka dyshim se forcat e tij vazhdojnë të pësojnë një sasi të jashtëzakonshme viktimash në fushën e betejës. E gjithë kjo tregon dhe vërteton faktin se z. Putin është gjithnjë e më i dëshpëruar dhe gjithnjë e më i izoluar në skenën botërore”, tha Kirby.

Koreja e Jugut javën e kaluar pretendoi se Koreja e Veriut i ka dërguar 1.500 ushtarë Rusisë për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës, me Shërbimin Informativ të Koresë së Jugut që tha se Pheniani po planifikon të dërgojë rreth 10 mijë trupa gjithsej në Rusi.

Pheniani ende nuk e ka mohuar apo konfirmuar pretendimin e Seulit. SHBA-ja gjithashtu nuk i ka konfirmuar pretendimet e bëra nga Koreja e Jugut, ndërsa së fundmi Kirby tha se administrata amerikane po i “shqyrton” këto pretendime.

Sot më herët në Kiev, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, njoftoi se SHBA-ja do t’i sigurojë ushtrisë së Ukrainës një ndihmë të re shtesë prej 400 milionë dollarësh.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo përfshin municion 155 milimetrash të artilerisë, municion tankesh 105 milimetrash, si dhe sisteme të tjera anti-tank Javelin.