Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për Komunikimet Strategjike, John Kirby deklaroi te dielën se presidenti rus Vladimir Putin e ka kthyer ushqimin në një armë lufte me pushtimin e tij në Ukrainë.
Kirby tha se administrata e presidentit amerikan Joe Biden dhe vendet partnere po punojnë për të kapërcyer një bllokadë të eksportit që po shkakton një mungesë globale të ushqimit.
“Absolutisht që e ka kthyer ushqimin në një armë lufte dhe ne po punojmë shumë me komunitetin ndërkombëtar dhe OKB-në për të gjetur mënyra për të nxjerrë drithin nga atje dhe për ta dërguar në tregun ku i takon”, tha ai.
Bllokada e eksporteve e Rusisë, sipas tij, do të ketë një ndikim global.
“Ne do të ndiejmë një pjesë të kësaj ndoshta edhe këtu, kjo është arsyeja pse ne po punojmë kaq shumë në përpjekjen për të gjetur rrugë alternative për të nxjerrë një pjesë të asaj gruri,” tha ai.
Në fillim të kësaj jave, CNN raportoi se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shtyjë deri në 49 milionë njerëz në uri ose kushte të ngjashme me urinë për shkak të ndikimit të saj shkatërrues në furnizimin dhe çmimet globale të ushqimit, sipas vlerësimeve të OKB-së. /oranews