Administrata Trump po kërcënon të tërheqë fondet qeveritare nga Universiteti Columbia dhe po kërkon shkarkimin e drejtuesve të një departamenti akademik që ka qenë kritik ndaj Izraelit, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Sipas raportit, universitetit iu kërkua të vendosë Departamentin e Studimeve për Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Afrikën nën “marrje akademike në administrim” për një periudhë minimale prej pesë vitesh.
Ky është një mekanizëm i rrallë, i cili vendos një departament akademik nën mbikëqyrjen e një profesori ose administratori të jashtëm, shpesh në raste të krizave financiare apo politike.
Administrata Trump ka njoftuar tashmë tërheqjen e 400 milionë dollarëve në kontrata nga Columbia dhe ka kërcënuar me shkurtime të tjera, me 5 miliardë dollarë grante që po rishikohen.
Gjithashtu, universitetit i është kërkuar të ndalojë përdorimin e maskave në kampus, të adoptojë një përkufizim të ri të antisemitizmit, të ndryshojë procesin e disiplinimit të studentëve dhe të reformojë praktikat e pranimeve për studentët e huaj dhe të diplomuarit.
Institucionet arsimore, akademikët dhe juristët po e konsiderojnë këtë ndërhyrje si shkelje të lirisë akademike dhe fjalës së lirë, ndërsa disa grupe hebraike dhe mbështetës të Trump-it argumentojnë se qeveria ka të drejtë të vendosë kushte mbi financimin e universiteteve.