Shqiptari rrëfen për tmerrin e përjetuar në tërmetin në Turqi

Shqiptari Bruno Dodi ka rrëfyer për tmerrin që përjetoi të hënën në Turqi, kur një tërmet 7.8 ballë Rihter goditi këtë vend.

Tërmeti, që kishte epiqendër Gaziantepin, ka shkaktuar mbi 5200 viktima në Turqi e Siri.

Dodi në momentin e tërmetit ishte në qytetin Adana. Ai ka rrëfyer se si ka zbritur nga kati i 12-të i hotelit dhe si arriti të merrte me vete gjatë zbritjes edhe një fëmijë.

“Tërmeti ra nga ora 4:15, ishte i fuqishëm, me përmasa që s’kisha parë më parë. Nuk po pushonte. Isha në katin e 12-të në atë moment, në një hotel në qendër të Adanas. Dritat ikën komplet, u munduam të iknim nga shkallët, por ngecëm dhe më pas dolëm nëpërmjet disa shkallëve të vogla emergjente. Për fat të mirë dolëm jashtë, dhe aty pamë katastrofën. Njerëz të shtrirë në shesh, rrënoja, ishte diçka që nuk kisha përjetuar. Unë isha këtu me një futbollist që e kisha sjellë, pasi jam menaxher i futbollit. Nga shkallët e hotelit kur po zbrisnim, ishte një zonjë me tre fëmijë të vegjël, nuk po arrinte t’i zbriste të tre, ne morëm njërin dhe për fat të mirë e zbritëm”, ka thënë Dodi në “60 Minuta” të KTV-së.

Dodi ka treguar se si sot ishte në spital në Adana, pasi nuk po ndihej mirë.

“Spitalet ishin tejmase të mbushura, me njerëz të lënduar. Është situatë e papërshkrueshme”, tha Dodi.

Ai ka treguar se nga qendra e Adanas nuk ka shtëpi të shembura, por në periferi janë shkatërruar shumë ndërtesa e shtëpi.

Dodi tregon se është kontaktuar edhe nga Qeveria e Shqipërisë dhe po ashtu nga ajo e Greqisë, pasi ka vite që jeton në shtetin grek.

Bruno Dodi ka treguar se njerëzit në zonën ku po qëndron nuk po flejnë nëpër ndërtesa.

“Njerëzit po flejnë nëpër vetura, janë edhe dy xhami të mëdha këtu që kanë hapur dyert për qytetarët. Po ashtu po flejnë edhe nëpër parqe e stadiume”, tha Dodi.

Ai tregon se ka takuar rastësisht edhe dy futbollistë shqiptarë, njëri nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut. Tregon se gjendja e tyre ishte e mirë.

Dodi ka thënë se aeroporti i Adanas është dëmtuar e po ashtu edhe rrugët. Ndërsa thotë se është në pritje të një zgjidhje që të arrijë deri në Stamboll e nga atje të kthehet në Athinë apo Tiranë.