Shqiptarët në mesin e brejtësve identitarë!

Sevdail Demiri

Shqiptarët janë vonuar shumë në procesin e krijimit të kurikulave të përbashkëta arsimore-shkencore. Pas disa dekadave, mezi janë pajtuar për tekstin primar shkollor – Abetaren mbarëkombëtare! Ndërsa, deri më tani do të duhej që tekste të unifikuara shkollore të kishim në më shumë se gjysmën e lëndëve mësimore, veçanërisht në ato identitare, si gjuha  e letërsia shqipe, historia, muzika e të ngjashme, deri në unifikimin e plotë të të gjithë sistemit arsimor, që nga klasa e parë e shkollës fillore e deri te studimet postdoktorale.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Ndryshimet drastike në botë, që pritet të ndodhin me presidentin Tramp në krye të SHBA-së, domosdo do të reflektohen edhe mbi fatin e shqiptarëve në Ballkan. Kontesti ende i hapur i Kosovës në raport me Serbinë dhe aleatët e saj europianë pritet të marrë një epilog që gjithsesi nuk mund të jetë kryekëput në favor të Kosovës. Bllokada e Maqedonisë së Veriut, që vjen nga Bullgaria në procesin e eurointegrimeve dhe mundësia e rrëshqitjes së vendit drejt polit rusofil, gjithashtu është një brengë e madhe e interesit të përgjithshëm shqiptar në Ballkan. Shqipëria tashmë është në rrugë të drejtë në këto procese dhe, si e tillë, mbetet shpresa e vetme që na garanton një të ardhme më stabile si komb, në mesin e cirkut të rënduar multikulturor të Europës Juglindore.

Por, cili është boshti i ruajtjes së identitetit shqiptar në perspektivë, në gjithë këto turbulenca të paparashikueshme që pritet të na rrethojnë në të ardhmen!? Kjo është çështja themelore për të cilën ia vlen të reflektojmë me kohë.

Sfidat e identitetit shqiptar

Është fakt i pamohueshëm që kombi shqiptar në këto më se njëqind vitet e fundit u dënua padrejtësisht të jetojë i ndarë në disa shtete të Ballkanit. Pas një shekulli lufte për mbijetesë, shqiptarët e fituan shtetin e dytë me shumicë absolute shqiptare – Kosovën, dhe me një pozitë shumë më të favorshme politike-juridike dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut. Por, fakti që u detyruam të jetojmë të ndarë në entitete të ndryshme shtetërore, krijuoi distanca të caktuara identitare që në një periudhë afatgjate gjithsesi që do të derivojnë negativitete të caktuara.

Hapja e kufijve në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar dhe, sidomos, komunikimi intensiv në rrafshin mediatik, kulturor dhe turistik, ka bërë që ato dallime të mëhershme ngadalë të fashiten dhe të del në pah një identitet real kombëtar, si një gjithëpërfshirje imediate në krye me asetin më të madh – gjuhën amtare shqipe.

Tani kur ne shqiptarët jetojmë nëpër disa entitete shtetërore, me institucione të ndara dhe politika autonome vendimmarrëse, shtrohet pyetja se a do të largohemi edhe më tej apo do të afrohemi mes vete, në kuptimin identitar, në një perspektivë më të largët?! Apo, thënë më thjeshtë, a do të thellohen ndasitë mes identitetit kombëtar të shqiptarëve apo do të fashiten të njëjtat? Këto janë çështjet në të cilat do të duhet të fokusohen më tepër në të ardhmen qarqet politike, kulturore dhe intelektuale shqiptare në përgjithësi. Ndërsa, për sanimin e këtyre sëmundjeve ka një sërë masash që do të duhet të ndërmerren sa më parë që të jetë e mundur, duke filluar nga sistemi edukativo-arsimor, ku përgatiten dhe projektohen bartësit e proceseve të së ardhmes!

Deri më tani, Shqipëria dhe Kosova janë vonuar shumë në procesin e krijimit të kurikulave të përbashkëta arsimore-shkencore. Pas disa dekadave diskutime dhe hezitime të pakuptimta, mezi e kanë futur në përdorim zyrtar tekstin primar në shkollat fillore shqipe – Abetaren mbarëkombëtare, e cila fatmirësisht tashmë ka depërtuar edhe nëpër shkollat shqipe të Luginës së Preshevës, Malit të Zi, diasporës dhe së fundi edhe të Maqedonisë së Veriut. Por, deri më tani do të duhej që tekste të unifikuara shkollore të kishim në më shumë se gjysmën e lëndëve mësimore, e veçanërisht në lëndët identitare, siç janë gjuha shqipe, letërsia shqipe, historia, muzika e të ngjashme, deri në unifikimin e plotë të të gjithë sistemit arsimor, që nga klasa e parë e shkollës fillore e deri në studimet postdoktorale.

Ç’është e vërteta, vitet e fundit ka pasur një intensifikim të bashkëpunimit shkencor mes qendrave albanologjike shqiptare në trekëndëshin Prishtinë-Shkup-Tiranë, duke organizuar shumë konferenca të përbashkëta shkencore për tema të rëndësishme identitare, dhe duke botuar po ashtu edhe shumë tituj shkencorë me interes të përbashkët. Në këtë plan, aktualisht në zhvillim e sipër e me rëndësi jetike janë tre projektet madhore hulumtuese shkencore të projektuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë: “Historia e Shqiptarëve”, “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” dhe “Enciklopedia Shqiptare”. Në këto projekte sublimohen të gjitha arritjet më kulmore të shkencës identitare shqiptare në të gjitha trevat ballkanike dhe në diasporë, duke e nxjerrë shqiptarësinë mbi të gjitha ndasitë gjeografike dhe politike që na i kanë imponuar të huajt shekuj me radhë. Në shembullin e këtyre projekteve gjigante duhet ndërtuar vizioni përbashkues i kombit shqiptar në të gjitha veprimtaritë. Vizioni i qartë dhe unik i kuptimit për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë, duhet të jetë prioritet i të gjitha prioriteteve të veprimtarëve të sotëm.

Unifikimi i mendimit kulturor dhe shkencor të shqiptarëve domosdo do të prodhojë një qasje të re, moderne dhe avangarde të gjeneratave të reja, të cilët do të kenë për borxh bashkimin faktik të shqiptarëve në një shtet ose aleancë të përbashkët politike dhe kulturore, duke e ngritur identitetin kombëtar shqiptar mbi të gjitha prioritetet! Këtij procesi domosdoshmërisht duhet t’i paraprijë lidershipi politik shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup e gjetiu, duke i sinkronizuar veprimet me interes kombëtar dhe duke i ngritur ato mbi interesat dhe kapriciet personale. Në këtë drejtim, veprimet kundërthënëse për çështje themelore të dy kryeministrave aktualë shqiptarë, në Tiranë dhe në Prishtinë, janë një shembull mjaft i keq.

Për ta ruajtur të pacenuar identitetin kombëtar shqiptar në të gjitha trevat ballkanike, pavarësisht kufijve politikë, duhet një bashkërendim më serioz i të gjitha grupeve të interesit, duke ngritur platforma të përbashkëta veprimi, në mënyrë që të mund të mbrohemi me kohë nga sfidat e së ardhmes.

Globalizimi dhe shpopullimi

Po cilët janë cenuesit më të mëdhenj të identitetit kombëtar të shqiptarëve në sytë e perspektivës pak më të largët?! Ata janë shumë, por dy nga më kryesorët janë: globalizimi dhe shpopullimi!

Disa nga tendencat negative që në vijimësi po na sjell në shumë aspekte procesi i globalizimit, pa dyshim se përbëjnë një shqetësim të vazhdueshëm për humbjen e veçorive kryesore identitetare si komb dhe si shoqëri. Derisa fëmijët tanë më mirë flasin mes vete në gjuhën angleze sesa në gjuhën standarde shqipe, kjo flet qartë për rrezikimin e vlerave themelore të familjes sonë. Komunikimi i vazhdueshëm me një gjuhë të huaj, universale, mësuar përmes televizorit dhe telefonave inteligjentë, mbjell te gjeneratat e reja ndjenjën e një përkatësie ndryshe nga ajo që na kanë mësuar baballarët tanë më herët. Kjo sjell lehtësisht deri te tëhuajësimi i gjeneratave të ardhshme, si një proces paraprijës i asimilimit në kuptimin identitar!

Dhe, çështja tjetër – në kushte kur trojet tona tkurren çdo vit për qindra mijë shqiptarë, kryesisht të rinj dhe të aftë për punë, procesi i shpopullimit përbën një rrezik edhe më të madh dhe të pariparueshëm për të ardhmen tonë. Emigrimi i pjesës më vitale të shoqërisë shqiptare, përbën llojin e kancerit më agresiv, i cili për çdo ditë po e bren shoqërinë tonë nga brenda. Ikja e rinisë së aftë e punëtore nga trojet tona, në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në uljen e fuqisë ekonomike dhe zbehjen e faktorizimit politik rajonal dhe më gjerë.

Në njërën anë, përballja me globalizimin dhe, në anën tjetër, me shpopullimin, këto janë sfidat më të mëdha dhe më komplekse me të cilat do të duhet të ballafaqohemi më drejtpërdrejt në të ardhmen. Prandaj, është koha ta kujtojmë më shpesh dhe më me kujdes thënien e të madhit Hasan Prishtina: “Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet”! /revistashenja