Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar sot se shqiptarët në Maqedoni, si një popullsi shtet-formuese janë qartazi faktor përcaktues për stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e shefit të diplomacisë së Shqipërisë ka ardhur gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në kuadër një leksioni të hapur. Në fjalën e tij ministri Bushati duke folur për gjendjen në Evropë tha se ajo sot ngjan e absorbuar me vetveten, me trajtimin e krizave të shumëfishta që e kanë zaptuar.
“Kriza e tejzgjatur në Maqedoni, ngjarjet shqetësuese të muajve të fundit në raportet Kosovë-Serbi shoqëruar me mungesën e rezultateve të prekshme në procesin e dialogut, stanjacioni në Bosnjë e Hercegovinë, ndërhyrja e aktorëve të tretë në zhvillimet e brendshme politike në Malin e Zi, janë disa tregues të vëmendjes së munguar dhe forcës së dobësuar të BE-së pikërisht në oborrin e saj”, ka shtuar Bushati.
Ai ka theksuar më tej se “Rajoni ynë do të përkufizohej si një hapësirë e gjerë rreth nesh, të cilën unë e kam cilësuar si katërkëndëshi i kufizuar nga Roma, Vjena, Athina dhe Ankaraja e ku, në një formë ose tjetër, të hapur në Mesdhe e të kyçur në Ballkan, ndërthuret shumëçka e rëndësishme për ne”.
Duke u ndalur në 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Bushati tha se edhe pse rruga e saj drejt shtet-ndërtimit e fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar paraqet vështirësi të panumërta, procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik është i pakthyeshëm.
Duke folur për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë Bushati ka thënë: “Jemi dhe do të vijojmë të jemi në kërkim të barazisë e dinjitetit njerëzor duke marrë për bazë eksperiencat më të mira në rajon e në Europë. Por ka ende shumë për të bërë. Po marr vetëm një shembull: pakica serbe në Kosovë përbën rreth 6 përqind të popullsisë së Kosovës. Serbishtja është gjuhë zyrtare, pakicat kanë 10 përqind të vendeve të rezervuara e mund të fitojnë edhe vende shtesë sipas dinamikave elektorale, kanë të drejtën e shumicës së dyfishtë për ligjet që kërkojnë shumicë kushtetuese. Në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, është dakorduar krijimi i Asociacionin të Komunave me shumicë serbe, modalitetet e funksionimit të të cilit mbeten të testohen në praktikë. Popullsia shqiptare shtet-formuese në Maqedoni, disa herë më madhe në përqindje e shifra absolute, prej një dekade kërkon mirëkuptim për shpalljen e shqipes si gjuhë zyrtare. Qoftë edhe vetëm në këtë aspekt, një ndër shumë, kontrasti nuk mund të jetë më flagrant, më jashtë kohës”.
Ai ka theksuar se për këtë arsye kanë inkurajuar faktorin shqiptar kudo që jeton, përfshirë në Maqedoni, për të luajtur rol konstruktiv dhe për të marrë pjesë aktivisht në institucionet respektive, duke e parë atë element thelbësor në adresimin e shqetësimeve të tyre në rrugë institucionale.