E kaluara, që solli copëtimin e trevave shqiptare, na mëson se asnjëherë nuk mund të thuhet se interesat gjeopolitike të aleatëve, janë absolutisht të përputhshme me ato të të drejtës së shqiptarëve. Ky është një mesazh i historisë, që na kërkon të jemi vigjilent, të bashkuar dhe të vendosur në qëllimet tona.
Shkruan: Arben LABËNISHTI, Strugë
Mendësia e ngjizur me djallëzitë për supremaci dhe kontroll ekonomiko-financiar, politik, ushtarak, teknologjik dhe kulturor, të cilat yshtin në padrejtësi që shkon deri në krim, sundon në kontinuitet nga e shkuara deri në ditët e sotme dhe do ta përvijojë hijen e saj të shfrytëzimit, gjenocidit, copëtimit dhe asfiksimit mbi shtetet e vogla, të dobëta dhe pa autoritetin e duhur të të mençurve, edhe më tej në kohë, derisa të shuhet njerëzimi. Kjo është fantazma e forcës ushtarake, e forcës së potencialit financiaro-ekonomik të bankave e kompanive të shteteve me industri e teknologji të avancuar dhe e forcës së shërbimit inteligjent sekret, për burimet me rëndësi ekonomike dhe ato të pozitës gjeostrategjike të vendeve gjithandej nëpër botë. Popujt e nënshtruar detyrohen të mbijetojnë nën peshën e rëndë të kësaj klime shfrytëzimi, varësie, nëpërkëmbjeje dhe detyrimi nga të fuqishmit, e cila tek ata ka shkaktuar shumë trauma e stres psikologjik dhe i ka dëmtuar faktorët e domosdoshëm të cilët natyrshëm kontribuojnë për zhvillimin e tyre. Kjo mendësi është përgjegjëse edhe për prishjen e ekuilibrave që vet zhvillimi njerëzor i vendos në shtrirjen, mirëqenien dhe harmoninë e popujve në rajone të ndryshme.
Nga studimet shkencore, të cilat hedhin dritë me fakte të dokumentuara me dokumente të kohës për ngjarjet historike si momente vendimmarrjeje vendimtare për të atëhershmen dhe të sotmen e kombit dhe trevave tona etnike, mësojmë se ato janë rezultat i kësaj mendësie të fqinjëve dhe shteteve të fuqishme të kohës, të cilët këtyre fqinjëve ua kanë krijuar mundësitë ose janë pajtuar me aneksimin të trojeve shqiptare dhe të zbatimit të politikave të spastrimit etnik të trojeve tona. Të gjitha ngjarjet e agresionit nga fqinjët dhe vendimet ndërkombëtare të padrejta dëshmojnë për atë që është e njohur, se sa e rëndësishme dhe e domosdoshme është për ta mbrojtur veten që të kesh shtet të konsoliduar me ushtri që përballet me agresorin dhe aleatë të cilët kanë pikëpjekje të interesave të veta gjeopolitike me ato të tuat.
Retrospektivë e shkurtër e ngjarjeve dhe vendimeve historike
Me traktatin e Shën Stefanit për Bullgarinë, i cili ishte rezultat i disfatës së Perandorisë Osmane në lutën me Rusinë, nisi kalvari i copëtimit të kombit dhe i trevave shqiptare për interesa të Rusisë si aleate e Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas këtij traktati, ato jo vetëm që bëheshin të pavarura, por edhe zgjeroheshin në dëm të trojeve etnike shqiptare dhe kombit shqiptar. Vendimet e Shën Stefanit ishin çështje diskutimi në Kongresit të Berlinit, i cili nuk do ta njihte Bullgarinë e mbështetur nga Rusia, por përsëri do ta cenonte rëndë tërësinë territoriale të Shqipërisë. Aty jo vetëm që u shpërblyen fqinjët tanë serbë, grekë dhe malazezë me treva shqiptare, por as nuk u njoh interesi kombëtar i natyrshëm i shqiptarëve për një njësi politike të tyre.
Lëvizja kombëtare shqiptare nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Berlinit. Ajo, në rrethanat e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, të synimeve të mëtejshme grabitqare të fqinjëve dhe të përplasjes së interesave gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, e shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Por, pavarësisht vullnetit dhe vendosmërisë për shtet të pavarur dhe sovran në tërësinë territoriale etnike, Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe Qeveria e Vlorës nuk kishin as ushtri të rregullt për t’i mbrojtur trevat të cilave u ishin vërsulur fqinjët serbë dhe grekë me ushtritë e tyre, as që kishin aleatë të mirëfilltë që do ta pranonin shtetin e pavarur shqiptarë dhe do ta mbronin nga fqinjët tanë dhe aleatët e tyre, në veçanti rusë dhe francezë. Shteti shqiptar i pavarur u bë realitet vetëm pasi u mbështet nga Austro-Hungaria, e cila në Konferencën e Ambasadorëve në Londër i tërhoqi pas vetes Italinë, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe për ta njohur Shqipërinë e pavarur, por jashtë integritetit dhe sovranitetit të saj u lanë Kosova, viset e trevave lindore shqiptare dhe Çamëria me popullin autokton shqiptar që i popullonte ato.
Shumë shpejt pas këtyre vendimeve, zhvillimet e kohës çuan në Luftën e Parë Botërore, gjatë së cilës Shqipëria ishte kthyer në një shesh lufte mes Fuqive të Mëdha. Shtetet e Antantës, ku ishin bërë bashkë Rusia, Anglia, Franca dhe Italia (e cila u rreshtua me ata pasi Britania e pranoi memorandumin italian, i cili kishte për qëllim ndarjen e Shqipërisë), kishin thurur një plan të fshehtë, të njohur si Traktati i Fshehtë i Londrës (1915), i cili i shkelte vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër për Shqipërinë. Sipas tij, Shqipëria do të ndahej mes Italisë, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe do të kishte një principatë shqiptare nën protektoratin e Italisë, në fronin e së cilës pritej të ulej Esat Toptani, si shpërblim për kontributin e tij me një batalion në kuadër të armatës franceze. Ky traktat mori peshë me rrezikshmëri serioze, pasi shtetet e Antantës, që e kishin firmosur atë, e fituan luftën. Humbësit e luftës ishin Austro-Hungaria, e cila e kishte mbrojtur drejtpërdrejt pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve, dhe Gjermania, e cila i ishte bashkëngjitur Austro-Hungarisë në këtë mbështetje për pavarësinë e Shqipërisë. Pas përfundimit të luftës, vendimet që do të merreshin në Konferenca e Paqes në Paris, nga e cila Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Italia, si mbështetëse të fitueses së luftës, Antantës, prisnin të ishin ato Traktatit të Fshehtë të Londrës, sipas tyre duhej të miratoheshin në këtë konferencë dhe, më pas, të merrnin udhën e realizimit në terren. Rolin kryesor në këtë konferencë e kishte Anglia dhe Franca, por ishte qëndrimi dhe mbështetja e SHBA-së, e përfaqësuar në këtë konferencë nga presidenti Willson, i cili e shpëtoi Shqipërinë nga projekti i copëtimit, i cili do të përbënte një krim të radhës pas atij të Konferencës së Ambasadorëve në vitin 1913.
Edhe pse nga Konferenca e Paqes nuk pati një zgjidhje përfundimtare për statusin e Shqipërisë, ajo vazhdoi procesin me frymën e shtetformimit sipas orientimit të aleatëve anglo-sanksonë. Në funksion të kësaj ishte Kongresi i Lushnjës, në janar të vitit 1920, ku u miratua Akti Themeltar Kushtetues për Pavarësinë e Plotë të Shqipërisë, u quajt e rrëzuar Qeveria e Durrësit, u zgjodh qeveria e re dhe kryeqytet u caktua Tirana, për të vazhduar më pas me Luftën e Vlorës për largimin e ushtrisë italiane, e cila përfundoi në gusht 1920 me Protokollin e Tiranës.
Tregues tjetër i shtetformësisë ishte dhe vendosmëria e shtetit shqiptar për t’u përballur me agresionin jugosllav në veri të vendit. Gjithë kjo u kurorëzua në dhjetor të vitit 1920 në Gjenevë, me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, e cila ishte një ngjarje e madhe për shtetin shqiptar të cunguar. Megjithatë, çështja kombëtare shqiptare ngelte e pazgjidhur. Pas kësaj vjen rikonfirmimi i njohjes së shtetit shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në nëntor të vitit 1921, e cila pothuajse i mbylli çështjet e kufijve të Shqipërisë, por edhe e konfirmoj se “dhunimi i këtyre kufijve ose i pavarësisë së Shqipërisë përbënte një rrezik për synimin strategjik të Italisë”. Pas kësaj, Italia sillej si një shtet të cilit i ishte njohur nga Fuqitë e Mëdha një lloj ndikimi a kontrolli mbi Shqipërinë. Në këto rrethana, qeveritë shqiptare të kohës (në veçanti vetë Ahmet Zogu) ndërtuan raporte bashkëpunimi me Italinë, por asnjëherë nuk ia hapën rrugën synimit italian për kontroll politik. Përpjekjet italiane për Shqipërinë, të cilat shkonin nga investimet dhe ndihmat e natyrave të ndryshme, deri në ndërhyrjen e tyre për përmbysje të qeverisë dhe eliminim fizik të Zogut, nuk rezultuan të suksesshme. Vetëm si rezultat i raporteve të politikës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, që arritën në pikën e ndërhyrjeve dhe përplasjeve ushtarake, Italia e pushtoi Shqipërinë me forcën e armëve.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria e Pavarur dhe trevat shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave u pushtuan nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste. Shqiptarët u organizuan në dy formacione politiko-ushtarake, të cilat e konceptonin ndryshe problemin kombëtar shqiptar: nacionalistët punonin dhe luftonin për çlirimin e Shqipërisë etnike, ndërsa komunistët (PKSH) synonin vetëm çlirimin e Shqipërisë në kufijtë e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Prof. Muharrem Dëzhgiu, në trajtimin e rrethanave gjatë kësaj lufte në këndvështrimin e çlirimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare, duke u nisur nga bashkimi dhe vënia në administrim të Qeverisë së Tiranës, të shumë trevave shqiptare që i ishin shkëputur në vitin 1913, shkruan: “…nuk mund të mohohet fakti se popullsia shqiptare në këto treva për herë të parë përjetoi bashkimin kombëtar të saj. U krijua administrata unike shtetërore shqiptare, u përhap lirshëm arsimi dhe kultura shqipe, u zhdukën për herë të parë kufijtë politik të vitit 1913 me Shqipërinë, u krijua një treg unik kombëtar…”. Natyrisht, ky problem do të zgjidhej edhe në kuadrin e aleancave e të marrëveshjeve të aleatëve më të mëdhenj në këtë luftë, por në fund të fundit ai do të zgjidhej nga shqiptarët. Ky problem do të ishte koherent, do të mbetej kurdoherë në program si një çështje e çlirimit kombëtar. Forcat politike në vend duhej t’i shfrytëzonin me mjeshtëri e në interes të çlirimit kombëtar kushtet objektive të favorshme të bashkimit të disa zonave shqiptare me Shqipërinë (jo të gjitha), pa e konsideruar këtë si fitore përfundimtare, në saje të pushtimit fashist, por si një mundësi për të forcuar lidhjet e afinitetit kombëtar, të ndërprerë nga një kohë 30-vjeçare. “Fuqitë e mëdha të bllokut antifashist, përgjithësisht ndoqën politikën e ruajtjes së kufijve të vitit 1913. Megjithatë duhet theksuar se dy prej këtyre Fuqive të Mëdha, Britania e Madhe dhe BRSS me politikat e tyre, e para që gjatë luftës dhe tjetra pas saj, krijuan precedent të rrezikshëm për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë…”. Lufta e Dytë në Shqipëri përfundoi me vendosjen e regjimit komunist, i cili më së shumti e dëmtoi çështjen kombëtare shqiptare.
Rënia e komunizmit, si rrjedhojë edhe e regjimit të Shqipërisë komuniste, shpërbërja e federatës jugosllave dhe e Bashkimit Sovjetik, ia hapën rrugën rrethanave të favorshme ndërkombëtare për interesat shqiptare në trevat e pushtuara nga sllavët dhe interesave gjeopolitike të SHBA-së në rajonin e Ballkanit, ku problemi kombëtar shqiptar përbënte padrejtësi dhe krim ndërkombëtar nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Në këto rrethana, shqiptarët – nën emblemën e UÇK-së – filluan luftën për çlirimin e Kosovës së pushtuar nga serbët. Si rezultat i kësaj lufte dhe mbështetjes nga shtetet aleate të saj, anëtare të NATO-s, në veçanti të mbështetjes nga SHBA-ja, Kosova sot është shtet i pavarur, i njohur nga shtetet më të fuqishme të botës, i cili i ka institucionet e saj shtetërore, por Serbia akoma vazhdon të këmbëngulë në pretendimet e saj mbi Kosovën. Ajo, me veprimet brenda territorit të Kosovës, në kufijtë e saj dhe me aktivitetin diplomatik, në vazhdimësi e mban Kosovën në tension për të përfituar. Në këto përpjekje, Serbia aleatin e parë të saj dhe më të zëshmin vazhdon ta ketë Rusinë. Këmbënguljet e aleatëve dhe e shqiptarëve për një zgjidhje ndërkombëtare përfundimtare për Kosovën vazhdojnë.
Në Maqedoninë e Veriut, kryengritja e armatosur shqiptare e vitit 2001 përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, e cila ofron vetëm një avancim parcial të interesave shqiptare, por nuk është një zgjidhje e problemeve dhe e të vërtetës mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Politika shqiptare në vend (por, edhe ndikimi i asaj të Tiranës dhe Prishtinës), si pasojë e paaftësisë, e krizës morale dhe e shantazhuar, është kufizuar dhe ka ngelur në qerthullin e interesave minore, që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë interesin shqiptar.
Në pozita edhe më të vështira janë shqiptarët autoktonë në trevat e tyre në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por edhe ato nën Malin e Zi.
Ndërkohë Shqipëria, e zhytur në korrupsion, në kriminalitet e me përplasje të egra mes forcave politike, pa vizion kombëtar dhe nën ndikimet negative të huaja, akoma nuk po arrin ta konsolidojë shtetin në kuptimin politik, ekonomik, ushtarak, social dhe diplomatik, të domosdoshëm për ta mbrojtur dhe garantuar sigurinë dhe kapitalin e qytetarit, resurset kombëtare, cenimin e territorit shtetëror dhe përfaqësimin e përballjen dinjitoze me fqinjët dhe aleatët. Kjo gjendje e shtetit shqiptar ka ndikim shumë të madh edhe në moszgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare jashtë kufijve të vitit 1913-të.
Të veçojmë disa mësime nga historia e çështjes sonë kombëtare
Kanë qenë disa faktorë ndërkombëtarë të favorshëm dhe të disfavorshëm, por edhe faktorë brendashqiptar, të cilët kanë pasur ndikim vendimtar në vendimet për çështjen shqiptare deri në ditët e sotme, të cilat nga njëra anë lidhen drejtpërdrejtë me interesat gjeopolitike dhe kompromiset të shteteve të fuqishme, ndërsa nga ana tjetër me përçarjen të elitave drejtuese dhe potencialin shqiptar të paorganizuar mirë.
Më poshtë do të radhisim disa nga mësimet që na i ofron historia.
– Ngjarjet historike na mësojnë se nuk duhet pasur dyshim dhe të mashtrohemi se ata që i quajmë aleatë kanë pasur dhe kanë ndjesi dhimbjeje dhe dashurie për t’i ndihmuar dhe korrigjuar vendimet e padrejta që u janë bërë popujve të ndryshëm ose u bëhen edhe në ditët e sotme. Mund të njihen raste ku një individ me pushtet mund të ketë ndjesi arsyetimi dhe reflektimi dashamirës për të vërtetën, e cila në një masë të caktuar mund të ketë ndikim në vendimin shtetëror për çështjen përkatëse, por pa mëdyshje mund të thuhet se vendimet shtetërore të aleatëve në radhë të parë i kanë interesat e tyre gjeopolitike të lidhura me resurset natyrore dhe pozitën strategjike të regjionin përkatës. Kjo është e vlefshme njëlloj si për aleatët e popullit që kërkon lirinë, pavarësinë, sigurinë dhe stabilitetin e shtetit që përpiqet të mbijetojë në rrethana armiqësore me fqinjë të cilët thurin kurthe dhe ndërhyrje të armatosura, po aq edhe për aleatët e shtetit agresor, që pretendon t’i ruaj, t’i rimarrë ose të bëjë sa më pak lëshime në një plan që duhet të kurorëzohet me një marrëveshje ndërkombëtare. Kjo shprehet me imponimin që bëjnë aleatët te palët në konflikt, për të përfunduar me një marrëveshje kompromisi, në interes të aleatit më të fuqishëm, ku interesat e palëve në mosmarrëveshje nuk mund t’i tejkalojnë ato të kompromisit mes aleatëve të të dyja palëve. Kështu shpesh problemet ngelin të pazgjidhura drejt dhe plotësisht.
– Resurset natyrore në tërësinë e trevave shqiptare dhe pozita e favorshme gjeostrategjike e tyre u ka dhënë dhe vazhdon t’u japë atyre rëndësi dhe pozitë strategjike për interesat e gjeopolitikës së shteteve të fuqishme dhe fqinjëve. Pikërisht këto resurse janë bërë shkak që në përplasjet e interesave gjeopolitike të shteteve të fuqishme në rajonin tonë dhe përtej tij, të mos lejohet fshirja e Shqipërisë nga harta e Ballkanit ose, thënë ndryshe, të njihej shtet i pavarur shqiptar në vitin 1913, por edhe të mbështetet Kosova për të dalë nga kthetrat e Serbisë dhe ta fitojë pavarësinë.
– Aleati më i mirë i shqiptarëve ka qenë Austro-Hungaria (edhe Italia në Konferencën e Ambasadorëve në Londër). Vendin e saj më pas e zë SHBA-ja, e cila në ditët e sotme është aleati më konsekuent i shqiptarëve. Aleatët e tjerë, interesat e të cilëve përkojnë me ato të shqiptarëve, janë: Gjermania, Anglia (atje ku është SHBA-ja është edhe Anglia) dhe Turqia.
– E kaluara, që solli copëtimin e trevave shqiptare, na mëson se asnjëherë nuk mund të thuhet se interesat gjeopolitike të aleatëve janë absolutisht të përputhshme me ato të së drejtës së shqiptarëve. Ky është një mesazh i historisë, që na kërkon të jemi vigjilentë, të bashkuar dhe të vendosur në qëllimet tona.
– Komunizmi i shkaktoi dëm shumë të madh problemit kombëtar shqiptar, si gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe gjatë qeverisjes së shtetit. Ata bashkëpunuan dhe ishin në varësi të armiqve tradicionalë të shqiptarëve, jugosllavëve dhe rusëve. Komunistët shkatërruan çdo përpjekje për bashkimin e faktorit politiko-ushtarak shqiptar gjatë luftës në interes së çështjes kombëtare shqiptare. Regjimi komunist i Tiranës, në përfundim të luftës dhe më pas, nuk bëri as veprimin më të vogël për ta ndaluar fushatën e krimeve sllave ndaj shqiptarëve nën pushtimin e Jugosllavisë. Shteti shqiptar u izolua, e shkatërroi inteligjencien e kohës, e çrrënjosi nacionalizmin, e varfëroi qytetarin… Të gjitha këto ishin veprime që e dëmtonin kombin dhe u shkonin përshtat armiqve tanë.
– Kur shqiptarët kanë qenë të vendosur në qëndrimet dhe veprimet e tyre politike, të cilat kanë shkuar deri në kapjen e armëve që me luftë ta mbrojnë veten dhe të përballen me agresorët dhe pushtuesit fqinjë, suksesi i tyre ka qenë më i madh.
– Edhe në ditët e sotme në krye të listës së aleatëve të Serbisë është Rusia. Vetëm me nxitjen dhe mbështetjen e Rusisë dhe aleatëve të saj, Serbia mund të fillojë një luftë me qëllimin për ta ripushtuar Kosovën. Por, përfundimi që ka të bëjë me problemin mes Kosovës dhe Serbisë, mund të vijë si rezultat i peshës së forcës dhe kompromiseve të interesave gjeopolitike të aleatëve të të dyja palëve në rajonin tonë, por edhe më gjerë, në një rajon tjetër ku përplasen interesat e tyre.
– Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të mashtrohen dhe të heshtin për interesat e tyre. Duhet të flitet dhe të kërkohet hapur avancimi i interesave shqiptare në nivelin e barazisë shqiptaro-maqedonase. Kjo nënkupton shtetin binacional maqedonaso-shqiptar, ku do të njiheshin dhe garantoheshin edhe liritë dhe të drejtat e minoriteteve që jetojnë në vend. Sigurisht, këtë s’e duan dhe e luftojnë jo vetëm maqedonasit, por edhe Serbia, Bullgaria, Greqia, Rusia dhe ndonjë vend tjetër. Shteti binacional duhet të bëhet vullnet e qëllim i politikës dhe intelektualëve shqiptarë. Kjo vijë politike është e domosdoshme për interesat e shqiptarëve në vend dhe ajo garanton, bashkëjetesë, stabilitet dhe përparim të shtetit.
– Greqia edhe në ditët e sotme e ka në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Ata përpiqen ta vënë në ndikimin e tyre jugun e Shqipërisë, duke e bërë këtë me aktivitete fetare, kulturore, historike dhe përmes punësimit e tregtisë. Nëse ia arrijnë kësaj, në një moment krize të brendshme të Shqipërisë dhe situate ndërkombëtare më të favorshme, e cila në veçanti lidhet me Turqinë, ata do të jenë të gatshëm të përdorin edhe fuqinë ushtarake për qëllimet e tyre të padrejta në jugun e Shqipërisë. Kjo duhet ta bëjë shtetin shqiptar të kujdesshëm dhe të vendosur në kontrollin e ndërhyrjeve të natyrave të ndryshme të Greqisë në Shqipëri.
– Historia e shtetit të pavarur Shqiptar dëshmon se sa më i dobët ka qenë ai, aq më lehtë fqinjët tanë i kanë realizuar politikat e tyre në dëm të shqiptarëve. Prandaj, faktor i rëndësisë së veçantë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare është forcimi dhe bashkëpunimi real i shteteve shqiptare (RSH dhe RK), që nënkupton konsolidimin paralelisht të institucioneve shtetërore, duke përfshirë ato të sigurisë, drejtësisë, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës etj., si dhe flakjen e përçarjes e qëndrimit të përbashkët, të qartë dhe të qëndrueshëm në raport me fqinjët dhe të ruajtjes së marrëdhënieve realiste me aleatët.
Vetë historia na mëson se asnjëherë nuk duhet të shmangemi nga synimi për zgjidhjen përfundimtare të çështjes sonë kombëtare, e cila është një detyrë e natyrshme dhe e domosdoshme për përparimin dhe dinjitetin e kombit tonë. /revistashenja