Që nga përfundimi i luftës, numri i shqiptarëve që janë shpërngulur nga veriu i Mitrovicës ka arritur në 22 mijë.
Shumë familje të dëbuara nga ajo pjesë jetojnë me qira në jug të Mitrovicës, si refugjatë në qytetin e tyre, ndërkohë që kthimin e tyre në banesa dhe prona të veta prej nga janë dëbuar nuk ua lejojnë strukturat komunale të veriut
Edhe një dimër sikurse edhe 17 të tjerë para tij, shumë familje shqiptare të veriut të Mitrovicës do ta kalojnë nëpër shtëpi të huaja, si refugjatë në qytetin e tyre. Ndonëse kanë banesat e tyre në veri dhe pronat që synonin t’i rindërtonin shtëpitë, atyre nuk u lejohet kthimi atje.
Përveç që nuk u lejohet të kthehen në banesat e veta, aktualisht të uzurpuara nga serbët e veriut të Mitrovicës, shqiptarëve të asaj pjese nuk u lejohet as rindërtimi i shtëpive, të cilat u janë djegur dhe u janë rrënuar gjatë luftës, madje edhe pas lufte..
Në këtë mënyrë, mbi 12 mijë shqiptarë të veriut të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar në shkurtin e vitit 2000 nga banesat dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore vazhdojnë të jetojnë në jug të Mitrovicës, si dhe në qendrat tjera të Kosovës. Ata janë të detyruar të paguajnë qira, ndonëse jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda. Disa prej këtyre familjeve jetojnë në ndërtesat e “Trepçës” në Stantërg, të cilat kanë filluar të shemben, por ato janë streha e vetme për shumë familje të dëbuara nga veriu.