Të gjithë patriotëve mediatik nga Tirana e Prishtina, që mahniten me sukseset politike të BDI-së, po ua bëjë një ofertë publike: le të vijnë në vendbanimet shqiptare, ku nuk do mund t’i paguaj aq sa BDI-ja por do ua mbuloj harxhimet e udhëtimit dhe ku, pa syzat e ekspertit do mund të shohin se si qarqet politike e policore maqedonase i kanë kriminalizuar komunat dhe vendbanimet shqiptare dhe ashtu të kriminalizuara, ia kanë lënë në ‘mirëmbajtje’ BDI-së!
Dhe pasi të shohin se vendbanimet shqiptare nuk kanë ambulanca, shkolla e biblioteka, por kanë me dhjetëra narkomanë si dhe me qindra kilogramë rezervë të drogës, mbase do e kuptojnë çka është ajo që i ‘vëllazëron’ kryetarin e BDI-së dhe piktorin e Rilindjes dhe pse ata e urrejnë dhe ndjehen të rrezikuar nga fryma e Albin Kurtit?
Për dashamirët që më këshillojnë të kem kujdes me kritikat se do mund ta ha plumbin kokës? Frikën nga ai plumb ma ka mbuluar trishtimi se fëmijët dhe nipërit e mi jetojnë në mjedis ku ‘mafiozët’ e BDI-së kur të duan munde t’i kompromitojnë ata duke ua kurdisur ndonjë ‘vepër’ kriminale.
Dhe ky trishtim është ai që prindërit e këtushëm i çon t’i nxisin fëmijët e tyre t’i braktisin vendbanimet me nga dy lumenj, ku mbin edhe njeriu po ta mbjellësh, e të shkojnë sa më larg Maqedonisë, sa më larg këtij vendi ku faktori politik shqiptarë prej moti ka vdekur.
Por ndërkohë duhet pranuar se disa qarqe ‘mafioze’ të BDI-së kanë aq shumë para sa mund ta blejnë tërë shtetin dhe si të tillë, ata nuk e kanë hallin si ta ‘mirëmbajnë’ kufomë politike të shqiptarëve të Maqedonisë, por si atë ta bëjnë të padukshme për Tiranën dhe Prishtinën?
Nga: Kim Mehmeti